69 emigrantë shqiptarë u trafikuan drejt Britanisë së Madhe në një anije peshkimi të modifikuar, e cila brenda kishte vetëm 20 jelekë shpëtimi. Anija e quajtur Svanic po kalonte në Detit e Veriut nga Belgjika për në Norfolk, më 17 Nëntor, kur u dallua nga Forcat Kufitare britanike. Ajo u shoqërua për në Harwich, në Essex, ku 3 anëtarët e ekuipazhit u arrestuan. Më vonë u ndaluan po ashtu edhe 3 organizatorët e këtij grupi, me bazë në Britani.
Në seancën gjyqësore për këtë rast u zbulua se Svanic, e ndërtuar në 1962, ishte modifikuar për të mbajtur 19 persona, shumë më pak nga numri i njerëzve që ndodheshin në bord dhe kishte kapacitet për të shpëtuar maksimumi 20 persona, që do të thotë se jelekët e shpëtimit nuk ishin të mjaftueshëm për 69 emigrantët dhe 3 të pandehurit që ndodheshin në anije.
Sipas asaj që shkruan DailyMail, prokurori i çështjes tregoi se anija kishte një gamë të gjerë problemesh që në vetvete rrezikonin jetën e personave që ndodheshin në të. Ai shtoi se përdorimi i një mjeti kaq të madh lundrues për të trafikuar emigrantë të jashtëligjshëm ishte i pazakontë dhe më i sofistikuar sesa metodat e tjera që përdoren nga grupet kriminale.
Rruga më e zakonshme që përdoret nga shqiptarët që futen ilegalisht në Britaninë e Madhe nga Belgjika është nëpërmjet mjeteve të tonazhit të rëndë, me një çmim prej 2-3 mijë paund për person.
Por një anije peshkimi si Svanic e cila do të kërkonte burime të tilla si staf, karburant dhe tarifa të ankorimit, sipas prokurorit, personave që udhëtonin me të do të duhet të paguanin rreth 15 mijë paund për person.
Në gjykatë po ashtu u zbulua edhe një regjistrim auido në të cilin organizatorët flisnin për përfitimet nga ky trafik. “Do të sjellim 50 persona në javë, po, është e nevojshëm që të investojmë tani. 40 mijë paund nëse do, 20 unë, 20 ti. Janë para që do i marrim mbrapsht që me rrugën e parë”, dëgjohet të thotë një prej të akuzuarve.
Anija Svanic u nis nga Letonia në fund të Tetorit dhe hasi vështirësi në brigjet e Suedisë, duke u detyruar që të bëjë një ndalesë në port. Anija më pas lundroi në Danimarkë ku bëri shpenzime për riparimet, e më pas udhëtoi drejt Belgjikës. Disa ditë më vonë u kap gjatë kohës që ishte drejtuar për në brigjet lindore të Anglisë.
Gjyqi për rastin në fjalë, që pritet të zgjasë 6-8 javë, vijon.