Nga Ilir Dhima
Siç është njoftuar nga mediet, dy muaj pas publikimit të Raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit mbëriti në Tiranë kryetarja e misionit të vëzhguesve të kësaj organizate ndërkombëtare të specializuar, Ursula Gaçek, e cila sëbashku me dy pjesëmarrës të tjerë të këtij misioni zhvilloi takime me liderë të partive politike kryesore në Shqipëri. Në këtë kuadër, nuk dihet se çfarë u fol në Selinë blu, por pas takimit atje kreu i opozitës, Lulzim Basha u shpreh përsëri për ekzistencën e një “masakre elektorale” gjatë zgjedhjes së deputetëve për Legjislaturën e sapo nisur të Kuvendit, se votat u blenë, se u është bërë presion votuesve etj. Ashtu sikurse pak kohë më parë ishte po ky Basha, që për të justifikuar humbjen e përsëritur për të disatën herë të Partisë Demokratike, duke komentuar Raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it u shpreh se, sipas tij: “U konfirmua që 25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme”.
Ky konstatim i Bashës është vërtet në pikëpyetje, përderisa i gjithë opinioni publik tashmë është njohur me përmbajtjen e këtij Raporti ku shkruhej, midis të tjerash, se zgjedhjet e 25 Prillit ishin organizuar mirë; se liritë themelore në përgjithësi u repsektuan, përfshirë lirinë e tubimit; se subjektet zgjedhore mundën ta bënin fushatën lirisht; se Presidenti Meta, ish Kryetar i LSI, shfaqi një marrëdhënie të tensionuar me Kryeministrin Rama, ndërmori disa iniciativa lidhur me zgjedhjet dhe kritikoi publikisht qeverinë, duke përdorur një gjuhë të ashpër; se Partia Demokratike (që ngriti më shumë zërin kundër shit-blerjes së votës) përdori disa metoda ndërhyrjesh potencialisht të jashtëligjshme “për të mbrojtur votën”, të vetëjustifikuara këto me deklaratat e saj publike; se drejtuesit e policisë me të cilët u takuan vëzhguesit er ODIHR – it theksuan se askush nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele me policinë etj, etj.
Pra, duket qartë se, deklaratat e fundit të Kreut të Partisë Demokratike janë kontradiktore dhe bien ndesh në shumë pika me gjendjen reale të paraqitur në Raportin të cilit ai i referohet, si edhe me rreshtimin e deputetëve opozitarë që në ditën e parë të Legjislaturës në platenë e sallës së Kuvendit, si për të treguar se ata janë të gatshëm jo për të krijuar gradualisht një alternativë të vërtetë qeverisëse, që do t’ua përmbushte dëshirën e flaktë për të ardhur ndonjë herë në pushtet, por për të vazhduar avazin e kahershëm për të shfryrë ndaj gjithçkaje që s’ua jep mundësinë e realizimit të kësaj ëndre. Në këtë kontekst, vetëm një ditë pas takimit të Lulzim Bashës me amabasadoren Gaçek, nga Selia blu u nis për t’u depozituar në Kuvend kërkesa për ngritjen e një komisioni parlamerntar me objekt hetimin e zgjedhjeve të 25 Prillit(?!) Ndonëse rezultatet e tyre janë çertifikuar nga KQZ, që ka shpërndarë edhe mandatet e deputetëve.
Prandaj është e natyrshme të ngrihet pyetja: A mund të ngrihet dhe të veprojë një komision hetimor parlamentar, i posaçëm, me këtë objket? Për t’i dhënë përgjigje të plotë kësaj pyetje, në fillim le të shohim nenin 68/2 të Kushtetutës ku thuhet shprehimisht, se: “Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultatit të tyre”. Ndërsa në nenin ne nenin 1/7 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se, KQZ është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është institucioni shtetëror për administrimin e zgjedhjeve; neni 145 i këtij Kodi shprehet qartë se, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda afatit ligjor; neni 167 i Kodit parashikon se, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja.
Tani le t’i hedhim një sy nenit 77 të Kushtetutës, sipas të cilit: “1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme dhe mund të caktojë komisione të possaçme. 2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. 3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”. Pra, komisioni hetimor kur kërkohet nga numri i nevojshëm i deputetëve mund të ngrihet dhe të veprojë për çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit, por objekti dhe fusha e veprimit të tij duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cenuar pavarësinë e pushteteve të tjera dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të tyre., siç është në këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
E drejta e deputetëve kërkues për të ushtruar hetim parlamentar nuk është dhe nuk mund të jetë e pakufizuar, përderisa është i lidhur me detyrimin për të qenë me objekt në përputhje me respektimin e parimeve të sanksionuara në Kushtetutë. Domethënë, një hetim që nuk i përket veprimtarisë së Legjislativit, nuk konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese; hetimi parlamentar është vërtet një instrument i rëndësishëm i kësaj veprimtarie, por nuk mund të abuzohet me objektin e tij, aq sa të tentohet ta shtrijë hetimin jashtë hapësirës kontrolluese që Kushtetuta i njeh Kuvendit, ose për ta shfrytëzuar atë në formën e një aksioni politik (siç po përpiqen ta paraqesin këtë nga SHQUP-i) por vetëm për ato çështje që nuk sjellin transferim kompetencash. I vetmi përjashtim për të drejtat e Kuvendit – siç është pranuar nga doktrina e së drejtës – është nxjerrja e akteve të amnistisë.
Sigurisht, në rastin për të cilin bëjmë fjalë, kur një e katërta e deputetëve kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, Kuvendi ka detyrimin të mos e diskutojë ngritjen e këtij komisioni, por t’ia nënshtrojë diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Prandaj, Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj nr. 18, datë 14.05.2003, duke bërë interpretimin e nenit 77, pika 2, të Kushtetutës ka theksuar, se: “kufizimet e lejueshme kushtetuese që kanë të bëjnë me respektimin e parimeve kushtetuese fokusohen në objektin e hetimit, i cili nuk mund të reduktohet nga Kuvendi deri në atë masë sa t’ia bëjë të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë”.
Sidoqoftë, Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit mund të ngrihet, por nuk mund të veprojë aq sa po prapagandohet nga selia blu!
Komisioni hetimor ngrihet per t’ë mbyllur çështjet dhe kur ato egzistojnë , e jo per këtë rast , po qëllimi është që të meren ca lekë shtesë nga antarët e komisionit , haruat komisionin Tahiri që zgjati ca vjet , dhe kryetari i tij , Paloka kërkonte te zgjatej afati dhe mbas dorzimit të mandatit ,e largimit te z Tahiri nga te gjitha funksionet shtetërore ?!!!
Jo vetem ky komisjon hetimor porkerkohet komisjon per ceshtjen Beketi.Per ate ceshtje ka nje vendim te gjykates se arbitrazhit qe nuk e ndryshon dot.Cili do te jete objekti ketij komisjoni?Berja e zhurmes per te tilla gjera eshte thjesht te gjendet kola ne pune.Opozita do te bente mire te fokusohet te probleme te jetes se perditeshme te shqiptareve per permiresimin e saj.