Kolaps në Serbi: Vala e katërt e Covid-19 po gjunjëzon spitalet

5 Tetor 2021, 11:55Rajoni TEMA

Spitalet serbe janë mbushur me pacientë që po kurohen për Covid-19, për shkak se vendi po përballet me një valë të katërt infektimesh.

Me 8,5 milionë banorë, Serbia raportoi të hënën më shumë raste ditore për 1 milion banorë se çdo shtet tjetër në botë, sipas “Our World in Data”.

Ministria e Shëndetësisë raportoi 5983 raste në 4 tetor, 966 989 që prej nisjes së pandemisë. Vetëm të martën u regjistruan 50 viktima, ndërsa nga nisja e pandemisë 8430 persona kanë humbur jetën. Në total, në të gjithë vendin 6511 pacientë janë shtruar në spital, prej të cilëve 256 janë në intubim, raportoi Ministria e Shëndetësisë të hënën.

Në spitalin “Batajnica” në Beograd, një prej katër spitaleve Covid në vend, janë rreth 800 të shtruar në gjendje të moderuar ose të rëndë. Anestezistja dhe zv.drejtoresha e spitalit, Jelena Velickovic, tha për Reuters se situata ishte tepër e rëndë, pasi spitali ishte në prag të mbushjes së kapaciteteve.

Serbia u vlerësua në fillim të fushatës së vaksinimit, pasi ishte përpara shumë shteteve europiane. Por me kalimin e muajve ritmi i procesit u ul ndjeshëm dhe vetëm gjysma e popullsisë rezulton e vaksinuar me të dy dozat. E famshme për “diplomacinë e vaksinave”, Serbia u ofroi shtetasve të vet katër lloje vaksinash, Pfizer, AstraZeneca, Sinopharm dhe Sputnik V, ndërsa shumë shpejt do të marrë edhe Moderna.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje