Për krimet e luftës në Kosovë, aplikohet Kodi Penal i Jugosllavisë

7 Tetor 2021, 11:07Rajoni TEMA

Të martën e 6 tetorit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me vetëm 20 vjet burgim, Goran Stanishiçin, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 13 civilëve në fshatin Sllovi të Lipjanit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999).

Dënimi ishte krejtësisht në shpërputhje me veprën e kryer. Por, kjo ndodh pasi që në Kosovë vazhdon të aplikohet Kodi Penal i Jugosllavisë, ndaj autorëve të krimeve të luftës.

Dënimet e këtyre kriminelëve në Kosovë shqiptohen duke u bazuar në kohën e kryerjes së veprave penale, prandaj burgimi i Stanishiçit u shqiptua vetëm më 20 vjet dhe në përputhje me Kodin Penal të Jugosllavisë në periudhën 1998-1999.

Juristi Arbër Jashari, shpjegon se nëse Gjykata do të merrte një vendim më afatgjatë, do të ishte në kundërshtim me parimet kushtetuese.

“Gjykatat e Kosovës e kanë të pamundshme, ligjërisht të shqiptojnë dënime më të larta se ato që kanë qenë në fuqi, në kohën e kryerjes se veprave penale, pasi që një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim, me parimet kushtetuese dhe ligjore mbi të cilat është ndërtuar drejtësia penale në Kosovë”, pohon Jashari për Albanian Post.

Janë dy nene të cilat e ndalojnë dënimin më të lartë ndaj Stanishiçit.

“Sipas nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është e zbatueshme drejtë për drejtë, në të drejtën pozitive, askujt nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale”.

Por, ai thekson se është e çuditshme se si për krime kaq të rënda ka dënime kaq të lehta.

“Për mu si jurist, është pak e habitshme, se si ish-shteti jugosllav, për krime kaq të rënda, ka paraparë, dënime kaq të lehta, e të cilat as për së afërmi nuk përkojnë me peshën e veprave penale”, deklaron ai.

Edhe, avokati Arianit Koci, në një prononcim për Albanian Post thotë se ky kod penal detyrueshëm vazhdon të jetë në fuqi, meqenëse krimet e luftës në Kosovë janë kryer në atë kohë.

“Në Kodin Penal të Jugosllavisë, më herët ka ekzistuar dënimi me vdekje. Në ndërkohë, i njëjti është suprimuar dhe ka mbetur si alternativë dënimi prej 20 viteve si dënim maksimal. Kjo është koha kur Stanishiçi i ka kryer krimet”, thotë ai.

Kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë. Secili vend i rajonit që përjetoi luftën, krim-kryerësit i dënon po me atë kod, si rregull universal i sistemeve të drejtësisë, ku autori gjykohet për kohën kur ka kryer krimin dhe dënohet me ligjet e kohës.

“Dhe sipas kodit të asaj kohe rastet e krimeve të luftës nuk e kalojnë limitin ligjor prej 20 vite burgim – sepse në atë kohë ky ishte dënimi maksimal që mund të shqiptohej”, deklaron Koci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje