Dita Ndërkombëtare e Zhdukjes së Varfërisë: Ku qëndron Shqipëria?

17 Tetor 2021, 15:49Ekonomia TEMA

Një ditë që u përket atyre, më të prekshmëve në shoqërinë ku jetojnë.

Një ditë për të kujtuar se, në mbarë botën, ka njerëz të pastrehë dhe se vëmendja duhet të kthehet tek ata.

17 tetori shënjon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Që prej vitit 1993, kjo ditë ndërgjegjëson njerëzit kudo në botë, sidomos në vendet në zhvillim, për të çrrënjosur varfërinë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendi ynë, renditet i pari në Rajonin e Ballkanit Perëndimor për nivelin e varfërisë.

Banka Botërore përllogarit se varfëri relative është ajo popullsi që jeton me më pak se pesë dollarë në ditë.

Përkatësisht 30.8% e shqiptarëve po e vuajnë këtë fenomen, sipas BB-së.

Në vendin e dytë, renditet shteti i Kosovës, me 24.4%, pasuar nga Serbia, me 19.8%, Maqedonia e Veriut me 17.9% .

Mali i Zi duket se ka një përqindje më të ulët të nivelit të varfërisë me 16%.

Për tremujorin e dytë të këtij viti, vendi ynë pati një rritje ekonomike prej 17.9%. Shqipëria nuk ka arritur të ulë numrin e popullsisë së saj – një e treta – që po jeton me varfërinë.

Ndonëse të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT), janë që prej vitit 2012 – pothuajse që prej një dekade – ku varfëria në Shqipëri rezultonte në masën 39.1%.

Banka Botërore i ka nxjerrë përfundimet në bazë të ecurisë së Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të secilit shtet.

Sipas të dhënave të fundit të një reviste ekonomike, niveli i lartë i varfërisë ka ardhur për shkak të tërmetit të ndodhur në vitin 2019 dhe pandemisë së COVID-19 (2020-2021).

Një shkak tjetër, është tkurrja e sektorëve të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të.

Në krahasim me vitin 2019 – për tremujorin e dytë – në 2021-shin janë punësuar 33 mijë qytetarë më pak.

Siç analizon Banka Botërore, pandemia do t’i përkeqësojë më tej investimet, rritjen ekonomike etj., dhe kjo do të japë efektin e vet negativ te më të varfrit.

Deri në vitin 2023, nëse pjesëmarrja në forcën e punës dhe punësimi rritet edhe më shumë, Shqipëria, duke iu referuar Bankës Botërore, mund ta ulë varfërinë deri në 29.3%.

Ndërkaq vlerësimet e fundit të ofruara nga OKB-ja dhe Banka Botërore tregojnë se 10.7% e popullsisë së botës jeton me më pak se 1.90 dollarë në ditë, përkatësisht rreth 767 milionë njerëz.

Dita e 17 tetorit përfaqëson hendekun mes një bote të karakterizuar nga një nivel i lartë i zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe burimeve financiare, me një botë që akoma flitet për varfëri ekstreme.

Sipas OKB-së, varfëria nuk është vetëm një çështje ekonomike, por një fenomen shumëdimensional që përfshin mungesën e të ardhurave dhe aftësive themelore për të jetuar në dinjitet.

Në vitin 1987, më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën në Paris, për të nderuar viktimat e varfërisë ekstreme, dhunës dhe urisë.

 

2 komente në “Dita Ndërkombëtare e Zhdukjes së Varfërisë: Ku qëndron Shqipëria?”

  1. ?????? says:

    shteti shqiptare eshte skandal turp i botes

  2. Loni pe Kolkondasi says:

    Opo lereni varferine, mos u merrni me te! Satelitet, mor aman, ata shikoni, kur do ti ngrehim? Rama thote ne Mars dhe ne Qershor te vitit tjeter. Vone, shume vone,. Ju lutemi, afroheni daten sa me shpejt, per kenaqesine e ketij populli. Dhe shikoni te restaurojme Galerite e arteve, thiatrot, zyrat, paisjet e tyre me kondicioner, se po vjen dimri dhe mos na ftohen administratoret e parave publike.Pastaj keni ngelur me ato vetura qe jane blere nje vit me pare! Cfare eshte kjo hata keshtu me juve? Nderrojini mor aman, blini te reja. Doni t’na kenaqni apo jo? Ja kjo eshte kenaqesia me e madhe per ne fukarenjte, kur shohim qe ju te jeni ngrohte ne dimer dhe freket ne vere. Dhe kur nderroni marken e veturave me nje bashkekohore. Por sidomos satelite, sa me shume satelite, per lartesimin e emrit te kryeministrit tone gjigand dhe shqiperise tone te dashur. Rrofshi! Dhe marci, o Zot, sa me shume mandate qeverisese!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje