Airfinity, një agjenci analitike parashikon se kompanitë BioNTech/Pfizer dhe Moderna do të mbizotërojnë tregun e vaksinave Covid-19 vitin e ardhshëm, duke arritur një shumë prej 93.2 miliardë dollarësh në shitjet bruto të vaksinave, gati sa dyfishi i sasisë në vitin 2021.
Parashikimet nga Airfinity tregojnë se dy prodhuesit e vaksinave me ARN, do të mbizotërojnë 3/4 e tregut të vaksinave në vitin 2022.
BioNTech/Pfizer parashikohet të arrijnë një vlerë prej 54.5 miliardë dollarësh në shitjen e vaksinave Covid-19, ndërsa kompania Moderna 38.7 miliardë dollarë, një shifër shumë më e lartë sesa parashikimet fillestare prej përkatësisht 23.6 miliardë dollarësh dhe 20 miliardë dollarësh.
Rivalët AstraZeneca, Johnson & Johnson, Sputnik V i Rusisë apo Novavax, përbëjnë pjesën tjetër të tregut, i cili parashikohet të dyfishohet në vlerë duke arritur deri në 124 miliardë dollarë një vit më vonë.
“Ne parashikojmë vazhdimin e shitjeve në vitin 2022, teksa kombet kërkojnë siguri të vazhdueshme dhe kombet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kërkojnë të arrijnë nivelin e vaksinimit të kombeve me të ardhura më të larta.” – Rasmus Bech Hansen, shefi i Airfinity.
Shumica e analistëve konfirmojnë se Pfizer në veçanti, ka mbizotëruar garën e vaksinave Covid-19 dhe ka shumë të ngjarë ta forcojë edhe më tepër këtë pozicion, në muajt e ardhshëm.