Amendamentet e PD për ndryshimet kushtetuese, Rama: Kemi vullnet të dëgjojmë, por edhe duam të dëgjohemi

20 Tetor 2021, 10:06Politika TEMA

Në konferencën për shtyp me ambasadorin Soreca, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se është i gatshëm të diskutojë me opozitën propozimet për ndryshimet kushtetuese të bëra prej saj.

“Kemi dhënë disponim total për t’i diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogut që sipas meje duhet të ushqehet me vullnet të mirë mes palëve, dhe për këtë arsye do më ndjeni që të mos jap opinione përpara sesa t’i japim këtij dialogu një shans real dhe të kemi mundësinë të ballafaqojmë opinionet tona me palën tjetër, duke pasur vullnetin e mirë të dëgjojmë, dhe duke kërkuar të dëgjohemi.

Në fund të fundit, cilësia e një bashkëjetese në çdo instancë, nuk përcaktohet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra sesi nuk biem dakord. Dëshiroj t’i japim një shans të plotë dialogut. Opozita ka bërë 3 propozime, mund të bëjë edhe më shumë. Ne kemi detyrën që t’i japim mundësi këtyre propozimeve që të diskutohen”, tha Rama.

Një ditë më parë, PD publikoi tre propozime për amendime kushtetuese, sa i përket reformës zgjedhore, reformës territoriale, si edhe nisjen e vetingut në politikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje