Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti një grup studentësh nga Polonia, të cilët ishin të interesuar të mësonin më shumë për historikun e Shqipërisë, por sidomos Tiranës, e cila në vitin 2022 do marrë titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Ata udhëtuan nga Varshava drejt Tiranës për herë të parë me linjën e re direkte mes dy qyteteve.
Kryebashkiaku tha se kjo është një mundësi fantastike për të lidhur të rinjtë e dy vendeve.
“Më vjen mirë që ky është delegacioni i parë me fluturimin më të ri që i shtohet aeroportit të Tiranës. Kjo vlen edhe për djemtë dhe vajzat nga Tirana, që edhe ata të eksplorojnë Varshavën. Sa më shumë lidhet Tirana me qytete të tjera aq më mirë, sepse krijohen aleanca, krijohen rrjete djemsh dhe vajzash të rinj, që rriten bashkë në një Europë që është sot më e hapur”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se vitin tjetër kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do të zhvillohen rreth 1000 aktivitete me të rinj pjesëmarrës nga e gjithë bota.
“Mezi pres që të ftojmë edhe miqtë nga Polonia që të jenë pjesë e Tiranës “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Do të kemi një vit me rreth 1000 aktivite nga 1 janari deri në datën 31 Dhjetor. Pres që edhe me grupin që kemi sot nga Varshava të planifikojmë disa nga aktivitete më mbresëlënëse dhe të sigurohemi që nëse të rinjtë tanë krijojnë lidhje dhe kontakte që kur janë 17-20 vjeç, gjasat janë që do të rriten si aleatë”, u shpreh Veliaj.
Studentët polakë u shprehën të lumtur që vizituan Tiranën për herë të parë.