Ish- missi dhe këngëtarja, Morena Taraku, ka pushtuar kryetitujt e mediave rozë të Turqisë, ndërsa po përflitet se ka nisur një lidhje me këngëtarin e njohur turk, Berdan Mardini.
Sipas mediave turke, Taraku, 28 vjeçe dhe Mardini, 43 vjeç, janë fqinjë në një lagje të klasës së lartë në Stamboll, ndërsa lidhja e tyre thuhet të ketë filluar prej kohësh.
Këngëtari turk, Mardini, i ka dhënë fund martesës prej 10 vjetësh me Fatos Yelller në muajin mars të këtij viti, me të cilën kishte dy fëmijë, ndërkohë që siç duket ai tashmë është i lumtur në krahët e Morena Tarakut.
Romanca mes këngëtares shqiptare dhe këngëtarit turk u zbulua pas festës së ditëlindjes së këngëtari, që thuhet se u organizua nga Morena.
“Ndjenjën e dashurisë e kam përjetuar vërtetë te Morena. Jam shumë i lumtur që jam me të dhe gjeta sërish jetën me të”, u ka thënë Berdan miqve të tij të ngushtë.
Por, Morena si gjithmonë, vazhdon ta ruaj me fanatizëm jetën e saj private, duke e mbajtur larg nga fokusi i mediave rozë.
Ndryshe, së fundmi, prestigjiozja britanike, “DailyMail”, kishte publikuar një artikull për disa fëmijë të pasur si dhe pushimet e tyre luksoze nën titullin – “Fëmijët e pasur e bëjnë verën”, brenda të cilit ka përfshirë edhe modelen e këngëtaren nga Kosova, Morena Tarakun.
Në artikull flitej për fëmijët e pasur të globit nga Rusia, Britania e Madhe e Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kanë publikuar fotografi nga pushimet e tyre luksoze në destinacione të klasit të parë në Spanjë, Qipro e Monako.
Por, ajo që la përshtypje ishte përfshirja në listë e Morenës, e cila tash e sa kohë është zhvendosur për të jetuar në Turqi e që “DailyMail”, shkruan edhe për byzylykun e saj prej ari të bardhë dhe diamanti në vlerë prej 340 mijë eurosh.
“Disa kanë ndarë disa fotografi të festave të tyre të bollshme, të blerjeve, përfshirë muzikanten shqiptare dhe ish-mbretëreshën e bukurisë Morena Taraku, e cila ka një byzylyk prej ari të bardhë dhe diamant të markës ‘Cartier’, vlera e së cilit shkon deri në 290,000 funte (340,000 euro)”, thuhet në artikullin e publikuar nga e përditshmja britanike.