Krimi makabër ndaj 8-vjeçarit Mateo Vasiu, i vrarë nga fqinji i tij Klodian Çalamani në Greçalli të Fierit, nuk është rasti i parë në vend. Raste të ngjashme të rrëmbimit të fëmijëve dhe të ekzekutimit të tyre që kanë tronditur vendin, janë disa ndër vite.
Në vitin 2013, Julian Çela ishe vetëm 11 vjeç, ku u rrëmbye dhe u vra nga Ardian Përrenjasi. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Laprakës në Tiranë, ku Ardian Përrenjasi e rrëmbeu atë dhe më pas e vrau mizorisht.
Pas arrestimit nga policia, Përrenjasi pranoi krimin, teksa dëshmoi se e kishte futur atë në shtëpi e më pas e kishte mbytur, pasi i mituri kishte filluar të bërtiste. Trupin e tij, të mbështjellë me batanije, autori e kishte hedhur më pas në një kosh me plehra.
Pavarësisht kësaj, ai u arrestua teksa tentoi të bënte të njëjtën gjë me një tjetër fëmijë, i cili banonte shumë pranë banesës së tij. Policia mundi të ndërhynte në kohë, duke shpëtuar të miturin, 10 vjeç, i cili u gjet me shenja në trup dhe dyshohej se ishte abuzuar edhe seksualisht.
Në vitin 2016 një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin. Në Himarë, Jorgo Zani i preu kokën kushëririt të tij vetëm 12-vjeç, i cili kishte ardhur nga Greqia në Palasë për të kaluar pushimet e verës te gjyshërit e tij.
Jorgo Zani vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa një vit pas krimit monstruoz, u vetëvra spitalin e burgut të Fushë Krujës.
Drejtori i Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Kujtim Llapi, u shpreh atëherë se 30 vjeçari, ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik në vitin 2015, i përcaktuar me diagnozën “çrregullime të theksuara të personalitetit”, si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.
Në 6 dhjetor 2016, Naum Toshi mbyti me një tel fëmijët e tij të mitur, të moshës 7 dhe 4 vjeç dhe më pas i dha fund jetës duke u vetëvarur në katin e dytë të banesës ku ai jetonte.
41-vjeçari jetonte prej pak kohësh i vetëm, pasi bashkëshortja e tij, 24-vjeçarja Marsela Toshi ishte larguar nga banesa pas konflikteve të shpeshta në çift.
Mësohet se 24-vjeçarja punonte në një lokal nate në qytetin e Korçës dhe pikërisht ky ishte edhe shkaku i konflikteve mes tyre.
Sipas fqinjëve të tyre, gruaja ishte kthyer në banesë mbrëmjen kur ndodhi krimi, ku ka qëndruar deri në orën 2 pas mesnate, me pretendimin për të marrë fëmijët e saj. Por pasi nuk e ka arritur këtë gjë është larguar.
Nga ky moment fqinjët rrëfejnë se kanë dëgjuar të bërtiturat dhe ulërimat e fëmijëve, por nuk e kanë menduar se 41-vjeçari do të arrinte deri aty sa të mund të kryente një krim të tillë.
Mësohet se gruaja e re, e cila kishte fëmijën 6 vjeç nga martesa e parë, dhe fëmijën 4-vjeçar nga martesa me Naum Toshin, e kishte denoncuar këtë të fundit për faktin se e pengonte të punonte.