Tirana ka marrë sot humbjen e parë në kampionat. Faza e parë përfundon me një disfatë në “Loro Boriçi”, aty ku Kukësi bëhet i pari ekip që shijon tre pikët kundër bardhebluve.
Pjesa e parë përfundoi në baraspeshë 0-0, por me fillimin e të dytës, ishte Milunoviç ai që tundi rrjetën. Goli i lojtarit serb merr edhe konfirmimin e VAR-it dhe festa ishte e gjitha për verilindorët.
Tirana kundërpërgjigjet në minutën e 80. Topi i goditur nga Gjumsi prek në krahun e kundërshtarit dhe është sistemi VAR ai që thërret arbitrin për një penallti.
Gjyqtari shkon të shohë pamjet në monitor dhe vendimi më pas është i qartë, 11 metërsh për Tiranën. Bardheblutë barazojnë shifrat, teksa Seferi fiton duelin me Tafasin.
Por Kukësi i Longos nuk dorëzohet deri në fund. Në minutën e 88 është Basha që reazilon një supergol me të majtën e tij. Përpos mjeshtërisë në realizim, ky gol mbart me vete një vlerë edhe më të madhe, pasi nuk i lë bardheblutë e kryeqytetit të arratisen në krye të tabelës.
Tirana qendron në krye me 20 pikë të grumbulluara, por nga pas e ndjek pikërisht Kukësi me vetëm 3 pikë më pak.