Xhevahir Mzhika, ish-agjenti i SHISH, i cili në vitin 2014 vrau një person është vënë në pranga nga Policia e Tiranës. Arrestimi i tij u bë në rrugën “Babë Rexha”. 51-vjeçari ka tentuar që të largohet, por është neutralizuar nga autoritetet policore.
Mzhika është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me 10 vjet burg për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja për të cilën është dënuar ai ka ndodhur në Gusht të vitit 2014 tek zona e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Ish-agjenti qëlloi me plumb ndaj F. Selmanit, pronar i një servisi. Arsyeja e krimit ka qenë një gomë. Autori i ngjarjes kishte riparuar një gomë tek servisi i Selmanit. Goma është plasur gjatë një udhëtimi të ish-agjentit të SHISH, kur ky i fundit udhëtonte bashkë me familjen.
Mzhika ka shkuar te servisi dhe ka kërkuar llogari pasi sipas tij, aksidenti i kishte rrezikuar jetën atij dhe familjarëve të tij. Por në këtë moment ka nisur një konflikt mes tij dhe pronarit të servisit.
Në një moment, Mzhika ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Selmanin me një plumb në krahun e majtë të kraharorit. Pas ngjarjes, Xhevahir Mzhika u largua për t’u gjet deri këtë të martë pas 7 vitesh arrati.