Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar padinë e Presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Në një prononcim për media pas dhënies së vendimit, Dvorani tha se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe se ka ikur koha e gjyqeve popullore.
“Unë nuk kam përplasje me asnjë institucion, ushtroj detyrën jam gjyqtar. Është jashtë realitet të mendoj që ka përplasje. Kush mendon se ka përplasje i ka për vete. Është e drejta e zotit meta që të ketë interpretimin e tij.
Nuk jam kurrkush ta gjykoj dhe paragjykoj. Janë institucionet ato që vendosin. Koha e gjyqeve popullore i përkasin një regjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen në media,” u shpreh Dvorani.
Çështja është pezulluar gjithashtu edhe për ish-ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në kallëzimin e ish kreut të shtetit. Sakaq, përfaqësuesi ligjor i president, Bledar Dervishaj tha për mediat se kjo çështje duhet të ishte rikthyer për hetim, ndërsa shtoi se do të presin vendimin e zbardhur të gjykatës.
Meta kallëzoi Dvoranin në SPAK më 18 shkurt të 2020-ës, ndërsa e ka akuzuar si shkelës të ligjit dhe të Kushtetutës.