Heshtja që flet dhe i bën njësoj përgjegjës

2 Dhjetor 2021, 19:00Politika TEMA

Nga Astrit Patozi

Tani që Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin për rrëzimin e kërkesës, që kontestonte zgjedhjet lokale të qershorit 2019, del më e qartë panorama e përgjegjësisë së rëndë politike të atyre, që atëherë udhëhiqnin dhe përfaqësonin opozitën.

Se si për shkak të një marrëzie djallëzore iu dorëzua i gjithë pushteti lokal sovjetëve, ndërkohë që kjo temë nuk para trajtohet, si nga bunkeri “statutor”, ku është mbyllur Lulzim Basha për t’u mbrojtur nga partia e vet, ashtu edhe nga “foltorja” e revolucionit paqësor, që do të rithemelojë pluralizmin në Shqipëri.

Ata, që realisht e morën vendimin e çmendur të bojkotit dhe të tjerët, që u përpoqën të pengonin me çdo mjet në dispozicion mbajtjen e zgjedhjeve, ishin të bindur plotësisht se nuk e fitonin çështjen, ndaj edhe nuk iu drejtuan vetë gjykatës. Sepse, me sa duket, dy humbje për të njëjtin rast bëheshin shumë.

Dhe gjetën Voltanën e shkretë, e cila ka mbetur si një ishull i vogël në mesin e ujërave të pushtetit pa kufinj të “Rilindjes”, ndoshta jo për ndonjë faj të vetin. Të cilës i ngarkuan në kurriz një peshë të madhe, që nuk i takonte fare ta mbante, sepse nuk ishte fare problemi i saj, por edhe ndonjë arsye të fortë për ta refuzuar nuk është se ka pasur. Tek e fundit, postieri nuk akuzohet asnjëherë për ato që përmbajnë letrat brenda.

Ndaj edhe sot nuk është dita për të kërkuar humbjen e Voltana Ademit, sepse ajo ndoshta është e vetmja opozitare që ka fituar nga zgjedhjet e qershorit 2019, pavarësisht se pa asnjë meritë. Por për të parë se si heshtin njëkohësisht për këtë shuplakë përcëlluese si të ishin në kohërat e arta të dashurisë midis tyre kryetari “de jure” i Partisë Demokratike, “foltorja” dhe Presidenti i Republikës.

1 komente në “Heshtja që flet dhe i bën njësoj përgjegjës”

  1. Populli says:

    Sa mire e mban mend ky Patozi leksionin e pushtetit te sovjeteve!
    Por meazallah se foli nje fjale Patozi – Ish nenkryetar i PD kur sovjetet e PD vrane me 11 Janar, jo thjesht 4 qytetare , por nje popull te tere!
    Nuk foli nje fjale ky Patozi kur qeverisja e tij vrau nje fshat te tere ne Gerdec!
    Per keto ke mbetur ne histori Patoz, jo per keto brockullat qe shkruan si gazetar i pafajshem!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje