Kukësi konfirmon formën e mirë në këtë moment të sezonit, teksa verilindorët nuk e vendosin për asnjë moment në diskutim trepikëshin ndaj Kastriotit duke i mposhtur këta të fundit në transfertë me rezultatin e thellë 1-5. Kukësi në këtë formë merr fitoren e tretë radhazi dhe i ushtron presion Tiranës, duke u renditur në vendin e dytë, vetëm një pikë larg bardhebluve. Sa i takon kronikës së sfidës, Kukësi e nisi duke shpërdoruar dy raste me anë të Feijao, megjithatë braziliani rikuperoi gabimet me anë të golit në minutën e 24.
Nga ana tjetër, Kastrioti pati mundësi për të shënuar, por Greca nuk ishte i saktë para Tafas, me këtë të fundit që shpëtoi edhe në raste të tjera skuadrën. Megjithatë, në minutën e 42, Milunivic dyfishoi shifrat duke i dhuruar qetësinë të tijve. Ndërkohë, në fraksionin e dytë, vendasit pësuan jë transformim në aspektin negativ dhe Kukësi nuk fali duke shënuar edhe katër herë të tjera.
Protagonist ishte Feijao që kompletoi tripletën personale, ndërsa në listën e golashënuesve nuk munguan edhe Gjelbrim Taipi dhe Bruno Lulaj nga penalltia. Sakaq, për krutanët realizoi Mudrazija, por që goli i tij vlen vetëm për statistika. Pas kësaj, ndeshje situata për Kastriotin rëndohet edhe më shumë në lidhje me renditjen, teksa mbetet e fundit me pesë pikë të grumbulluara në 11 javë.
Tirana është rikthyer te suksesi në ditën e sotme teksa ka mposhtur në transfertë Egnatian me rezultatin 0-2. Bardheblutë ishin dominues në fushë ndaj rrogozhinasve ndërsa e nisën me vrull sfidën duke kërkuar golin me anë të Seferit, i cili në fakt shpërdoroi një rast të artë në minutën e pestë. Sakaq, të besuarit e trajnerit Orges Shehi nuk e ulën ritmin dhe në vazhdim ishte Limaj që provoi dy herë me goditje në hyrje të zonës, megjithatë pa gjetur kuadratin e Duric.
Por, momenti vendimtar do të vinte në minutën e 38-të, teksa si rezultat i një kombinimi mes Seferit dhe Ismajlgecit, ky i fundit shënoi me një goditje të fortë Brenda zonës. Goli ndikoi te vendasit e Përparim Daiut, të cilët në minutat shtesë të fraksionit të parë, pësuan edhe golin e dytë. Seferi provoi nga distance, por portiere Duric nuk u tregua i sigurtë me sferën që i shpëtoi nga duart.
Aty pranë përfitoi Michael Ngoo, që shtyu topin në rrjetë ndërsa sulmuesi u zhbllokua pas një thatësirë që zgjaste nga java e parë e kampionatit ku i shënoi dy herë Skënderbeut. Sa i takon 45-minutave të dyta, Tirana diti të menaxhonte rezultatin dhe forcat, teksa nuk lejoi rrogozhinasit të ktheheshin në një kërcënim për ta. Pas kësaj ndeshje, bardheblutë ruajnë vendin e parë duke shkuar në kuotën e 24 pikëve, të ndjekur nga Kukësi me një pikë më pak.