Luan Daci fiton një ditë kohë për t’u mbrojtur ndaj procedimit disiplinor

6 Dhjetor 2021, 19:15Kronika TEMA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shtyjë seancën dëgjimore të hënën, kur ishte njoftuar se do të gjykohej çështja e kërkuar prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM me objekt procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci.

Procedimi disiplinor ndaj Dacit nisi me kërkesë të ONM-së, pas dënimit të tij me vendim të formës së prerë për falsifikim dokumentesh, pasi gjatë aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut fshehu faktin se ishte shkarkuar më parë nga detyra e gjyqtarit.

Në fillim të seancës të hënën, Luan Daci kërkoi shtyrjen e seancës për tre ditë, me pretendimin se i nevojitej më shumë kohë për të kryer një mbrojtje efektive. Ai argumentoi se ishte njoftuar të premten për seancën dhe se nuk kishte pasur mundësi të përgatitej, pasi dosjen e kishte në kasafortë në zyrën e tij në Kolegj. Daci shtoi gjithashtu se të shtunën dhe të dielën nuk kishte pasur mundësi të shkonte në zyrë, pasi po kryhej dezinfektimi i ambjenteve të KPA-së.

Pasi u tërhoq, Komisioni Disiplinor konstatoi se Dacit i ishin njoftuar konkluzionet e hetimit disiplinor më datë 25 nëntor nga ana e gjyqtarit hetues, Ardian Hajdari. Megjithatë, Mulaj solli në vëmendje faktin se Komisioni Disiplinor ka 15 ditë afat për vendimarrjen dhe vendosi ta shtyjë seancën për më datë 7 dhjetor, ora 14:00 duke i dhënë dhe një ditë kohë Dacit për t’u përgatitur.

Rreth nëntë muaj pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra.

Në korrik, Hajdari vendosi të pezullojë hetimin disiplinor për të pritur vendimarrjen e Gjykatës së Lartë për çështjen penale ndaj Dacit, i cili ushtroi rekurs. Pasi Gjykata e Lartë e rrëzoi rekursin e Dacit duke lënë në fuqi dënimin e tij, Hajdari e rifilloi procedimin disiplinor.

2 komente në “Luan Daci fiton një ditë kohë për t’u mbrojtur ndaj procedimit disiplinor”

  1. Arber says:

    Se si mundet te jete nje gjygjtar me emer e mbiemer me emra kafshesh? Ha!!!
    Kur do te beje te fortin eshte “luan”, kete e ka treguar sa here i eshte dashur te jape vendime gjygjsore kur ja ka dashur interesi se ketu i ka patur mundesite.
    Por ne te vertete eshte dac, dac i shemtuar ne fytyre e ne shpirt.

  2. qytetar says:

    Dy vjet kohe ti jepej.
    Gjynah .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje