Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar” se as ish-kryedemokrati Sali Berisha dhe as ai aktual Lulzim Basha nuk flasin kurrë për paktin e detit me Greqinë dhe e “kursejnë” njëri tjetrin me akuza në lidhje në këtë çështje, në mes të një “lufte” tashmë të shpallur mes tyre. Hoxha u shpreh se nëse Shqipëria humb një copë nga toka apo deti i saj, përgjegjësit do të jenë pikërisht ata të dy duke treguar prapaskenat e marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë në vitin 2009.
“Berisha dhe Basha nuk i përmendin këto sepse është një histori që ka goditur shumë në atë kohë. Sado të akuzohet kushdo, nëse Shqipëria humb një copë, përgjegjësit janë pikërisht këta dy persona. Me vendimin e Berishës të datës 23 gusht 2007 zë zanafillë ajo që ndodhi. Ne nuk morëm vesh asgjë deri në firmosjen e marrëveshjen dy vite më vonë”, tha Artan Hoxha.
Ai u shpreh se Greqia i kërkonte palës shqiptare që marrëveshjen ta bënte pa palë të treta për të shmangur trysninë e Amerikës, të cilët sipas tij ishin shumë të shqetësuar në lidhje me këtë histori. “Greqia i kërkonte qeverisë shqiptare që marrëveshjen ta bënte pa palë të treta. Grekët e dinin mirë që Shqipërinë mund ta trysnonin por Amerikën jo. Amerikanët kanë qenë shumë të shqetësuar për këtë histori dhe shumë më mbrapa dhanë garanci”, u shpreh Hoxha.
Këtu Hoxha shprehet se Greqia e kërcënonte Berishën me firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ai tha se vetë SHBA shpreh habi se përse Shqipëria nuk kërkoi ndihmë prej saj por preferoi ta zgjidhte vetë këtë çështje.
“SHBA duke ruajtur interesat e saj gjeostrategjike ka ruajtur edhe interesat e shtetit shqiptar. Në kabllogram thuhet: “Teksa marrëveshja e stabilizim acociimit të Shqipërisë është firmosur nga shumë shtete, Greqia është mes vendeve që nuk e ka firmosur”.
Me këtë gjë e kërcënonte Berishën: “Në çështjen e kufirit shqiptar, Athina ka thënë se do të bëhet sipas kushteve të saj ose nuk bëhet fare”. Në pikën e fundit thuhet: “Për çudi qeveria shqiptare nuk i ka kërkuar ndihmë SHBA, por ka preferuar ta zgjidhë vetë këtë çështje”. Janë një sërë personash që kanë cenuar rëndë interesin tonë kombëtar”, tha Hoxha.(abc)