E ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në “Dritare TV”, deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma ka komentuar situatën politike brenda dhe aksionin politik të Berishës për të rimarrë drejtimin e PD.
Duma shprehet se gjatë këtyre viteve në opozitë, në PD ka pasur dualizëm mes Bashës dhe Berishës dhe se kanë marrë çdo vendim bashkë dhe të konsultuar me njëri-tjetrin, që te djegia e mandateve por edhe te marrëveshja e “famshme” e 2017 mes Bashës dhe Ramës.
“Në marrëveshjen e 2017 ishte edhe Berisha, i thonë Bashës marrëveshja e 2017-ës, por ishin bashkë, Berisha dhe Basha ishin bashkë në çdo gjë. Edhe në djegien e mandatave ishin bashkë, madje Berisha e ka deklaruar para Bashës djegien e mandatit.
Tani Berisha thotë të heqim Bashën, ai pret dhimbjen e demokratëve nga humbja e zgjedhjeve. Berisha para zgjedhjeve brenda PD, nuk dha asnjë sinjal që Basha nuk duhet të ishte në krye të PD, sepse nuk mund të them që Berisha votoi për Agron Shehajn”, u shpreh deputetja e PD Grida Duma.
Duma shprehet se “Foltorja” e Berishës është vetëm një show i madh me një regji shumë të vjetër.
“Foltorja pa asnjë diskutim që është një show i madh dhe ka një regji shumë të vjetër, për sa kohë që nuk shikon aty asgjë që del nga kuadri i lavdërimit. Besoj se koha e kësaj politike ka ikur. Unë me zor po pres të jem në një sallë me njerëz të rinj që kanë atë lirshmërinë absolute, që sot është gjuha urbane moderne e Shqipërisë që nuk ka komplekse. Nëse sheh gjuhën e Foltores, as para 30 viteve nuk ishte kështu, më shqetëson fakti që vijon kulti i individit.”, u shpreh deputetja e PD Grida Duma.