Parlamenti Europian vazhdoi diskutimet këtë të enjte rreth dokumentit që ndezi gjakrat pak ditë më parë – a po kërkojnë vërtetë deputetët europianë të ndalojnë Krishtlindjet?
Debati i sotshëm u kërkua nga partia e qendrës së djathtë e drejtuar nga Manfred Weber.
“Liria e besimit, apo e mosbesimit, është një e drejtë themelore që ne të gjithë kemi mundësi ta shijojmë… Unë jam Katolik dhe unë besoj se Zoti na shoqëron dhe udhëzon të gjithëve gjatë jetës dhe besoj gjithashtu se ka jetë pas vdekjes…
Unë kam të drejtë t’i mbajë këto besime dhe të flas për to. Kjo nuk do të thotë që unë po përpiqem t’ju bind. Besimi është një fakt jetësor dhe njerëz të caktuar po mundohen ta largojnë atë nga jeta publike,” – tha Weber.
Gjithçka nisi nga një projekt draft i propozuar nga Komisionerja Europiane për Barazinë, Helena Dalli, e cila u akuzua sidomos nga të djathtët se po përpiqej të ‘ndalonte Krishtlindjet’.
Argumenti i saj ishte i bazuar tek ‘gjuha gjithëpërfshirëse’ dhe nisur nga kjo, ajo dhe deputetë të tjerë të majtë, propozuan se për shkak të nuancave fetare të kësaj feste, urimet shoqëruese si ‘Merry Christmas’ apo ‘Gëzuar Krishtlindjet’, sidomos kur ato bëhen në komunikime zyrtare, duhej të ndaloheshin pasi ato nuk përfaqësonin një Europë gjithëpërfshirëse të përbërë nga vlera dhe kultura të ndryshme.
Sigurisht kjo tërhoqi një vëmendje të paprecedentë, sidomos nga politikanë të qendrës dhe të djathtës europiane.
Duket se shqetësimi kryesor i deputetëve të majtë janë grupimet jo fetare në Europë, të cilat janë shprehur shpesh kundër vlerave të krishtera, përfshi këtu qëndrimet e tyre rreth komunitetit LGBT apo edhe abortit. Kjo u duk qartë në replikën e bërë sot nga deputetja socialiste Heléne Fritzon, e cila i quajti kritikat e Komisionit të pabaza.
“Ne si socialistë besojmë tek një BE që promovon barazinë e të gjithë gjinive dhe grupeve. Gjuha mund të ndikojë në botën tonë dhe përdorimi i një gjuhe që promovon barazi dhe gjithë-përfshirje ka të bëjë në thelb, me komunikimin e barabartë me të gjithë qytetarët tanë.
Institucionet tona punojnë kundër stereotipeve dhe paragjykimeve, duke garantuar që të gjithë qytetarët të ndjehen të pranuar dhe të respektuar. Ne nuk i pranojmë forcat prapanike të cilat abuzojnë me të drejtat themelore të njeriut, apo të cilat i refuzojnë grave të drejtën për të vendosur vetë për trupin e tyre.”
Në vazhdim, sipas deputetes së Partisë së Gjelbër, Alice Kuhnke, çështja është shumë e thjesht dhe po ekzagjerohet pa të drejtë.
“Ne kemi kaq shumë sfida para nesh dhe ju vendosni të bëni qimen tra (…) duhet ‘t’ju vij turp nga vetja,” – tha ajo.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputeti i qendrës, Dacian Cioloş, i cili tha se Komisioni duhet të përqendrohej tek problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet Europa si pandemia, çmimi i gazit apo lufta jashtë kufijve të BE.
“Le të mos t’i japim ekstremistëve arsye duke i hedhur benzinë zjarrit. Nuk më duhet leja e Komisionit për t’i uruar dikujt Gëzuar Krishtlindjet ose jo, pasi pikërisht kjo i largon njerëzit nga Europa.” – tha ai.
Seanca e djeshme në Strasburg ndezi debate dhe shkaktojë një ‘luftë’ të vërtetë ideologjike dhe kulturore rreth vlerave europiane. Shumë mendojnë se këto diskutime u ndezën më tepër nga e djathta ekstreme e cila duket se e ka përdorur këtë episod në favor të saj, duke e kthyer në një ‘bombë të vërtetë publicistike’.
Shumë kritikë në fakt po e barazojnë këtë reagim të të djathtëve, me një ‘thashethem të rëndomtë’ pasi ata nuk mendojnë se ky draft kërkonte vërtet të sulmonte apo ‘ndalonte Krishtlindjet’.
Pas polemikave të shumta, Komisioni Europian i drejtuar nga një president i qendrës së djathtë, e refuzoi këtë kërkesë dhe duket sikur për momentin, debati i kësaj jave mund jetë mbyllur.
Sidoqoftë, ndasitë kulturore dhe ideologjike në Europë sidomos mes të djathtëve dhe të majtëve, do të vazhdojnë të bluhen në heshtje – deri në një moment të dytë, kur ato do të behën sërish pjesë e titujve kryesorë.