Deklaratat “e bujshme” të presidencës, që u kthyen në mallkim për trajnerët e Partizanit

27 Dhjetor 2021, 15:00Sport TEMA

Ilir Daja nuk do të jetë më trajner i skuadrës së Partizanit në pjesën e dytë të sezonit. Humbja në derbin e radhës kundër Tiranës i ka shkaktuar teknikut kryeqytetas largimin nga pankina e të kuqve, ku qëndroi rreth 1 sezon e gjysëm.

Daja konsiderohet si një ndër trajnerët më të mirë të Kategorisë Superiore dhe emërimi i tij në krye të skuadrës së Partizanit u prit me mjaft entuziasëm dhe superlative nga ana e drejtorit të përgjithshëm Olsi Rama dhe presidentit Gaz Demi, por gjithashtu dhe nga tifozeria e kuqe.

Në prezantimin e Dajës si trajner i Partizanit Olsi Rama deklaronte se së bashku do të kishin një projekt afatgjatë.

“Kemi shumë të përbashkëta dhe aq mjaftoi. Ky ishte hapi më normal i Partizanit dhe duhet të them se marrëveshja me Dajën ishte një nga më të thjeshtat që kam bërë në karrierë, ku mjaftoi një shtrëngim dore. Një detaj interesant ishte që nuk më kërkoi emra lojtarësh për të afruar, por kompleksin, fushën me bar dhe kushtet maksimale stërvitore”, u shpreh Rama, përcjell gazeta SPORT.

Ndërkohë presidenti Demi shkoi dhe më tej, duke i dhënë një besim absolut trajnerit si dhe duke e mbajtur shpesh herë larg presioneve pavarsisht se rezultatet i kishte kundra.

Demi shprehej se ai dhe Ilir Daja do të dilnin së bashku në pension tek Partizani.

“Sa të jem unë në krye të Partizanit do të jetë trajner Ilir Daja pasi nga ana ime kemi një projekt afatgjatë. Nëse nuk kam më fuqi për ta përballuar, ngre duart lartë dhe e shes klubin, por sa të jem unë dalim në pension me Dajën si trajner”, kanë qenë fjalët e numrit një të presidencës së kuqe.

Por zhgënjimi si në lojë, në merkato, dhe në rezultate, bëri që kjo marrëveshje të thyehej dhe të dy palët të ndahen përfundimisht.

Nën drejtimin e Dajës këtë sezon Partizani ka arritur që të grumbullojë 18-  pikë duke u pozicionuar në vendin e pestë, larg objektivave dhe pritshmerive te vendosura ne nisje te ketij edicioni.

Duket se fati i Dajës është i ngjashëm me atë të Skënder Gegës, i cili arriti që të sjellë titullin kampion tek Partizanit pas 26 vitesh, raporton gazeta SPORT.

Edhe Gega u prezantua me mjaft bujë dhe me premtimin se do qendronte gjate, por qëndrimi i tij zgjati vetëm një sezon pavarsisht se arriti që të rikthejë titullin kampion.

Në atë vit drejtori Olsi Rama e cilësoi Skënder Gegën si Arsen Vengerin e Partizanit, duke nënkuptuar qartazi një bashkëpunim shumë të gjatë, por qe ne fund nuk rezultoi te ishte i tille.

Duket se të gjitha këto deklarata që kanë pasur qëllimin e mirë dhe qartazi një mbështetje të drejtuesve të Partizanit për trajnerët nuk kanë rezultuar shumë efikase, te cilat duket se u kthyen në një mallkim për ta.

Tashmë mbetet për tu parë se cili do të jetë timonieri i ri i Partizanit, që do të pasojë Ilir Dajën. Aktualisht deri në gjetjen e emrit të ri, të kuqtë do të drejtohen nga Dritan Mehmeti. /Gazeta Sport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje