Veliaj: FSHF e angazhuar në përgjime dhe shantazhe dhe po manipulon procesin zgjedhor. Duka është kthyer në neverinë e dashamirësve të futbollit

24 Janar 2022, 14:05Sport TEMA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar në lidhje me qëndrimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për mbledhjen e djeshme të anëtarëve të komunitetit të futbollit dhe Shoqatës Rajonale Tiranë.

Kryebashkiaku Veliaj thekson se FSHF në vend të garantimit të barazisë së garës, ka zgjedhur rrugën e përgjimeve dhe të shantazhit për të ruajtur pozitat e Armando Dukës.

Veliaj sqaron se Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, ndaj askush nuk duhet të ngatërrojë përkatësinë e tij në PS me përfshirjen që i takon si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga FSHF-së.

“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!

Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!

“Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve”, shkruan Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje