Helidon Bushati jep dorëheqjen nga drejtuesi i Qarkut të Shkodrës: PD po kalon momente të vështira

26 Janar 2022, 14:17Politika TEMA

Helidon Bushati është tërhequr nga roli i tij si Drejtuesit Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Bushati bën të ditur se vendimi vjen pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve të fundit në PD.

Vendimin, ai thotë se e ka komunikuar edhe tek drejtuesit e PD. Bushati shprehet se PD po kalon momente të vështira, por shton se është i bindur që demokratët do të bashkohen shpejt.

Deputeti demokrat thotë se largimi i tij krijon mundësi për energji të reja dhe mundësi promovimi për emra të rinj.

Ai shkruan: 

Të dashur miq!

Bashkëqytetarë dhe shkodranët e mi të nderuar!

Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.

PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.

Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë

Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës.

Ndihem çdo ditë i bekuar nga përkrahja që kam marrë dhe marr prej tyre.

Dua të falenderoj përzemërsisht, të gjithë banorët e qarkut Shkodër, demokratët e palodhur, drejtuesit e strukturave dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt për besimin dhe mbështetjen e pakursyer përgjatë këtij rrugëtimi.

Një besim që do bëj gjithçka për ta shpërblyer.

Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit. Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta.

Ndërkohë, kujtojmë se sa i përket garës për “6 Marsin”, grupi ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar emrat e kandidatëve për primaret në Bashkinë e Shkodrës.

Mësohet se të dielën në Shkodër do të votojë anëtarësia e PD dhe kandidatët potencialë për këtë bashki janë ish zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia dhe kryetarja aktuale e Bashkisë Voltana Ademi.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Olta Xhaçkën si të deleguarën e socialistëve për të menaxhuar zgjedhjet në Bashkinë e këtij qyteti.

Në Shkodër, PS pritet të kandidojë një grua. Majlinda Angoni, prefektja e qarkut pritet të zyrtarizohet si kandidate për Bashkinë. Kurse, emri më i kuotuar nga PD në këtë garë është Xhemal Bushati.

3 komente në “Helidon Bushati jep dorëheqjen nga drejtuesi i Qarkut të Shkodrës: PD po kalon momente të vështira”

  1. zefi says:

    Sa te jete Sali non grata PD nuk do ta ngreje koken…. Qytetaria dufet te distancohet sepse ata qe i shkojne mbrapa jane shpellare….
    Me kete opozite Edi Rama do bwj qejf….

  2. Likja says:

    Ke bërë gjysmën e punës. Mirë do të ishte të ishe larguar edhe si deputet. Kësaj i thonë një dorë në revani një në kadaif

  3. NjeQytetarOptimist says:

    Karrigen e deputetit e mban te shikoj “interesat e qytetareve”. Por per te zbritur ne terren dorehiqet. Li mandatin meqe do ti japesh nje shanc brezit te ri.. Ahhh putana qe jeni ju..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje