Laçi mposht Partizanin dhe merr vendin e dytë. Egnatia i merr një pikë Dinamos me 10- lojtarë

31 Janar 2022, 16:08Sport TEMA

Laçi i Mirel Josës ka koleksionuar fitoren e radhës në kampionat teksa në shtëpi mposhtën me rezultatin minimal 1-0, Partizanin. Kurbinasit ishin më kërkues gjatë takimit, ndërsa edhe rasti i parë i sfidës iu takoi atyre teksa Qato vendosi në provë Alban Hoxhën në minutën e 13. Në vazhdim, ndeshja pati shumë dyluftime në fushë duke bërë që të mungonin mundësitë e pastra, ndërsa vetëm në minutën e 40, Xhuljano Skuka për Partizanin u shfaq në një aksion individual të cilin nuk arriti ta mbyllte në mënyrën e duhur. Sakaq, në fraksionin e dytë, sërish Laçi ishte më kërkues, por raste pati sërish për Skukën i cili në dy raste me kokë nuk ia doli të gjente rrjetën e Dajsinanit.

Megjithatë, nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh dhe Laçi e zbatoi më së miri këtë rregull teksa kurbinasit shfrytëzuan në maksimum kualitetin e Regi Lushkjes. Mesfushori i cili luajti ndeshjen e fundit me Laçin pasi do të transferohet te Sheriff Tiraspol në Moldavi, shënoi një supergol në hyrje të zonës teksa Alban Hoxha megjithë përpjekjen e tij nuk mundi të bënte asgjë për ta shmangur realizimin.

Ndërkaq, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Laçi fitoi duke marrë tashmë vendin e dytë të kampionatit me 34 pikë, ndërsa Partizani rikthehet te disfata teksa të kuqtë mbeten me 22 pikë në vendin e pestë.

Skuadra e Egnatias e nisi ndeshjen më mënyrën më të keqe të mundshme ndaj Dinamos, por nuk përfundoi si e tillë, sepse edhe pse me 10 lojtarë rrogozhinasit ar4ritën të merrnin 1 pikë të vlefshme kundër bluve.

Që në sekondën e 40-të mbrojtësi Gëzim Krasniqi, “tradhëtoi” rrogozhinasit duke ndërhyrë si lojtari i fundit ndaj Patrik Bardhit, ku për arbitrin kryesorë Enea Jorgji nuk ka dyshime dhe ish-lojtari i Kukësit del me karton të kuq nga fusha e lojës.

Agim Ibrahimi merr përsipër goditjen e dënimit duke mos toleruar aspak nga një distancë e tillë, për të kaluar të tijtë në avantazh. Një goditje spektakolare nga fantazisti i Dinamos.

Djemtë e Zekirija Ramadanit provojnë të dalin në sulm por nuk kanë forcat e duhura për të surprizuar kundërshtarët. 35′ Egnatia pretendon për 11-metërsh pas një prekje të topit me dorë nga ana e Samake, megjithatë kryesori Jorgji nuk është i këtij mendimi dhe loja vijon normalisht.

Pas disa minutave mes tensionin në fillimin e pjesës së dytë, për shkak se tifozët filluan të sulmonin arbitrin kryesorë Enea Jorgjin, për vendimet e tij, kjo nuk ndikoi tek përqendrimi i djemve të Ramadanit.

56′ Samake gabon duke humbur topin me Ademin i cili tregohet i vëmendshëm duke marrë topin për të mposhtur portierin Simoni. Barazim 1-1 në Rrogozhinë dhe festa është e gjitha e stafit të Egnatias që edhe pse më një lojtarë më pak në këtë ndeshje arritën të merrnin të paktën 1 pikë.

Minutat e mbetura të sfidës nuk prodhuan gola të tjerë edhe pse raste kishte nga të dyja skuadrat. Egnatia dhe Dinamo në fund të ndeshjes ndajnë pikë mes tyre në sfidën e javës së 18-të të Abissnet Superiore.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje