Më 1 shkurt 2022, me rastin e një-vjetorit të grushtit të shtetit ushtarak në Mianmar, Shqipëria përmes MEPJ Olta Xhaçka iu bashkua deklaratës së përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian dhe Ministrave të Jashtëm të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Republikës së Koresë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
Bashkimi me deklaratën reflekton përgjegjësinë e shtuar të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe është në linjë me qëndrimet e saj parimore ndaj kësaj çështjeje.
Qëndrimi i Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme është në linjë me prioritetet e vendit për ruajtjen e paqes e sigurisë në botë, përfshirë kundërshtimin e akteve të dhunës nga regjimet jodemokratike, promovimin e të drejtës ndërkombëtare, si dhe mbrojtjen e respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë ato të pakicave etnike e fetare, si dhe shmangien e përkeqësimit të situatave humanitare kudo që ato ndodhin.