Shqipëria ka qenë në objektin e spiunazhit gjerman. Arkivat e Stas-it, hapur së fundi me ligj të veçantë, përmbajnë dosje të tëra me raporte sekrete nga Tirana e atyre viteve. Dojçe Vele në një emision të veçantë, hedh dritë në një pjesë të tyre.
Sigurimit të Shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane mund të hysh si person privat dhe të pyesësh për përmbajten e dosjes sate, (nëse ekziston një e tillë), mund të hysh si historian me një temë-çështje të caktuar, ose si punonjës i mediave. Nga kërkimi paraprak për çështjet që përmban arkivi mbi marrëdhëniet e jashtme RPSSH – RPGJ, rezulton një dosje me 600 faqe dokumente. Të gjitha ato vijnë nga sektori i Dhjetë, sektori që mbulon politikën e jashtme të ish RDGJ….
PANAIRI I VJESHTËS NË LAJPCIG
Shqipëria ka dashur të shfrytëzojë pjesëmarrjen në Panair për përhapjen e ideve politike të PPSH dhe udhëheqjes së saj. Nga ana tjetër, prania e Tiranës në këtë panair ka qenë me interes edhe për Stas-in. Për pyetjen si e ka ndjekur Ministria Gjermane e Sigurimit (MfS) përfaqësimin shqiptar në Panairin e Vjeshtës së Lajpcigut, kthejnë përgjigje 780 faqe dokumente që ndodhen në Arkivat e Stas-it. Pjesa më e madhe e tyre janë raporte të bashkëpunëtorëve jozyrtarë ose analiza të bëra nga punonjës profesionistë të Ministrisë gjermane të Sigurimit, sektorët kundër terrorizmit dhe mbrojtjes nga spiunazhi. Pjesa më e madhe e raporteve të bashkëpunëtorëve jozyrtarë bëjnë fjalë për përdorimin e tendës shqiptare të Panairit, për shpërndarjen e materialeve propagandistike nga Shqipëria.
Bashkëpunëtorët jozyrtarë të Stas-it kanë vendosur kontakte me punonjësit e Ambasadës Shqiptare në Berlin, ose kanë vizituar tendën shqiptare të panairit. Mbi këto vizita, ata kanë shkruar raporte me shkrim dore, ose me makinë. Nënshkrimet në raporte janë bërë nga “Ulli”, Roland Horn, Peter Luchs, Anna, Frwser, Kirchner, Stefan. Topf ka qenë drejtuesi i grupit, që ka bërë raportin përfundimtar. Në një dokument që mban datën 8 shtator të vitit 1987, grupi i punës së sektorit XXII (mbrojtja nga terrori) në Ministrinë e Sigurimit, bëhet fjalë për kontaktin e vendosur me përfaqësuesit shqiptarë të panairit në Sallën 16/ Tenda 46, 7 shtator 1987, në orën e saktë 10: “Ditën e sotme vendosa rreth orës 10:00 kontakt me përfaqësuesit shqiptarë të panairit.
Pasi iu afrova stendës, fola së pari me një shqiptare (rreth 25- 30 vjeç, bluzë të kuqe, fund të zi, flokë të zinj), e cila më pyeti çfarë dëshiroja. Pasi shpjegova interesin tim (për marrjen e materialeve informuese), ajo shkoi dhe thirri një shqiptar që qëndronte në pjesën e pasme, foli pak me të dhe u largua. Tre shqiptarë të tjerë që ndodheshin në sfond, u larguan nga paradhoma e gjatë dhe u futën në sallën e bisedimeve. Në një paralelpiped që ndodhej në të djathtën tonë, kishte bimë të gjelbërta, krah prospekteve të tregtisë në gjuhën angleze, që bënin reklamë për mallrat shqiptare. Përballë meje ndodhej një mur ndarës, si dhe dy fotografi (Enver Hoxha bardhë e zi dhe Ramiz Alia, me ngjyra, fotografia e Hoxhës është pak më e madhe). Gjatë kohës së bisedës, askush nuk iu afrua tendës nga dera që ndodhej dy metra larg nesh.” Një nga bashkëpunëtorët jozyrtarë me emrin “Brunhilde”, ka shkruar: “Duke shfrytëzuar LHM 79, unë mora kontakt të ri me diplomatët shqiptarë. I ngarkuari me punë i Ambasadës, më ftoi për një vizitë në Berlin.
Megjithëse që të gjithë partnerët kontaktues kanë marrë në stendën shqiptare të panairit materiale që nxisin urrejtjen, mua nuk më dhanë.” Hajnci (Heinz) ka raportuar se: “ I gjithë delegacioni ka shkuar në dhomën 204, ku ka kryer këshillime deri në orën 22:00. Rreth orës 22:00 i gjithë delegacioni u largua nga Forsthaus. Ai erdhi sërish në orën 23:00. Kryetari i delegacionit u largua po ashtu në orën 22:00, por nuk u kthye sërish në orën 23:00. Kur erdhën sërish në orën 23:00 të gjithë, përveç (emri i fshirë…) shkuan në dhomat e tyre. Ky piu në recepsion edhe dy vodka, gjatë pirjes së të cilave tregoi se kishin qenë për të ngrënë në Tyringer Hof. Për herë të parë Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin e Lajpcigut në vitin 1974. Me një ndërprerje kohore, ka marrë pjesë sërish në vitin 1979. Një vit më vonë shkruhet: “Mendohet se Shqipëria do të marrë pjesë në Panairin LHM 1980 sërish më një stendë informuese.
Në këto kushte, pasi jemi marrë vesh edhe me Sektorin kundër spiunazhit, kemi rënë dakord që të vazhdojnë masat e marra për zbulimin e aktiviteteve subversive dhe pengimin e tyre. Bashkëpunëtorët jozyrtarë kanë ngritur lidhje stabël me diplomatët. Në të ardhmen duhen koordinuar masat me njësitë përkatëse të shërbimit.” Në një nga analizat e bëra në sektorin e mbrojtjes nga spiunazhi, sektori II, për survejimin e përfaqësuesve të vendeve jo socialiste dhe aktiviteteve subversive të personelit të tyre si dhe synimeve dhe aktiviteteteve të tjera të rëndësishme, kundër interesave të RDGJ (DDR) thuhet : “Nëpërmjet një pike shërbimi në Lajpcig është bërë e njohur se një diplomat shqiptar emri i të cilit dihet, me qëndrim prokinez dhe antisovjetik, vazhdon të kërkojë kontakte me qytetarët tanë dhe të kontrollojë partnerët kontaktues ekzistues. Në përgatitje të kongresit të IX të Partisë së Bashkuar Socialiste (SED), një burim i një qendrës u pyet nëse mund të gjenden informacione dhe diskutime për këtë temë.
Interes i veçantë u shfaq për programin e ri të partisë dhe statutit të saj. Atij i interesojnë edhe vlerësimet tona për proceset e ndodhura në Partinë Komuniste franceze. Nëpërmjet punonjësve të Ambasadës Shqiptare në DDR është vendosur kontakt me rrugë postare me 18 persona nga RDGj (DDR). Ata kanë lidhje relativisht stabël me Panairin e Lajpcigut dhe me tregtinë e jashtme në RDGJ (DDR). Si dhe më parë, nga ana e ambasadës shqiptare vazhdon të dërgohet me postë tek njerëzit tanë, por edhe tek të huajt që jetojnë tek ne, si dhe qytetarëve të DDR materiale shtypi me përmbajtje maioste dhe të tilla që nxisin urrejtjen.” Këto analiza kanë dalë pas raportimeve të tilla: “Pasi përmenda disa herë arsyen pse ndodhesha atje, një shqiptar (emri i të cilit është fshirë) rreth 40-50 vjeç, 1.60 metra i gjatë, flokë të zinj, sy kafë, kostum të errët të lënë hapur, me kravatë kafe me ornamente të vogla, dhe këmishë me viza të bardha, rozë dhe bojëqielli, këpucë kafe lëkure, orë floriri ose të larë me flori) mori nga paradhoma një broshurë “Albanien”:
Me lutjen time për materiale informuese politike, shqiptari shkoi sërish brenda dhe solli një raport të Alisë të mbajtur në Kongresin e IX të PPSH (PdA Albaniens). Meqenëse unë nuk mbeta ende i kënaqur ai mori edhe dy revista: “Shqipëria e re” 6/ 1986 me informacione të hollësishme për kongresin si dhe “Shqipëria sot- revistë me informacione politike 3/1987. Të gjitha në gjuhën gjermane. Pyetjes për libra të Enverit ai iu shmang. Në vazhdim të bisedës, unë iu luta për informacione se si mund të merrja “Shqipëria sot”. Përgjigja e tij ishte se Berlini merr vetëm një numër të kufizuar, por unë mund të lija adresën time. Meqenëse nuk gjetëm menjëherë një copë letër, shqiptari nxori nga xhepi një recetë dhe ma dha mua për të shkruar adresën. Përveç kësaj, ne folëm për motin, periudhën e ushtrisë (shqiptari ka bërë vetëm tre muaj shërbim ushtarak), mundësitë për të dëgjuar radion shqiptare, historinë e Shqipërisë, studimet, përkatësisht profesionin e dëshiruar, si dhe lidhjet e Shqipërisë me panairin e Lajpcigut.
Gjatë bisedës, u kuptua se përfaqësuesit shqiptarë janë të pakënaqur me gjendjen e porosive. Përveç kësaj, ai më tregoi se nuk është ekonomist, por sipas fjalëve të tij merret aktualisht në Berlin me …….(kjo është fshirë). Lidhur me politikën e Shqipërisë, ai tha se vazhdon linja e vjetër, por me dëshirën për të forcuar marrëdhëniet në tregtinë e jashtme. Rreth orës 10.30 unë u ndava dhe u largova nga tenda.” Të gjitha dokumentet e Stas-it për Përfaqësimin Shqiptar në Panairin e Lajpcigut përmbajnë raporte të kësaj natyre. Vetëm në një fjali flitet për qëllimin zyrtar të Panairit dhe përfaqësimin e Shqipërisë në të: “32 biseda biznesi dhe kontrata me ndërmarrje të tregtisë së jashtme të RDGJ.”
KOMUNISTËT GJERMAN DHE SHQIPËRIA
Sipas dokumenteve që ndodhen në Arkivat e ish-Sigurimit gjerman të Shtetit, Stasit, Partia Komuniste gjermane (KPD) ka qenë e lidhur ngushtë me Shqipërinë që në vitin 1968. Që në krijimin e saj, Partia Komuniste gjermanie (KPD/ML) duhet të jetë përkrahur financiarisht nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Këto marrëdhënie të ngushta shprehen edhe më vizitat e shpeshta zyrtare të KPD/ML në Shqipëri. Për të propaganduar shembullin shqiptar, KPD/ML ka krijuar “Shoqatën e miqve të Shqipërisë” dhe organizon “udhëtime turistike” të simpatizantëve të KPD/ML në Shqipëri, si dhe pjesëmarrjen e grupeve të caktuara për të punuar në kampet për të rinj atje. Një grup i tillë është nisur për Shqipëri më 21 mars 1977 dhe 4 prill 1977.
Këtij grupi ju gjetën materiale me përmbajtje maoiste. Pas prishjes me Pekinin, marrëdhëniet e Partisë Komuniste gjermane me Shqipërinë u zgjeruan më tej dhe u intensifikuan. Kështu për shembull, Ernst Aust qëndroi në korrik të vitit 1978 në Shqipëri. Anëtari i Komitetit Qendror, Horst Dieter Koch, mori pjesë në tetor të vitit 1978 në të ashtuquajturin “Takim shkencor për probleme të zhvillimit botëror” të zhvilluar në Tiranë. Në këtë konferencë, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të partive marksiste-leniniste, u argumentua teorikisht refuzimi i politikës kineze. Si anëtare e “Lidhjes së Partive marksiste leniniste europiane”, KPD/ML ka dukshëm një rol të veçantë. Ajo përkrah përpjekjet e Enver Hoxhës, për të krijuar një “internacionale” të vetën, ku të mblidhen grupet marksiste-leniniste. Ka të dhëna sipas të cilave Partia Komuniste gjermane, është e vetmja organizatë që ka të drejtat e publikimit të materialeve shqiptare në gjuhën gjermane dhe organizimit të udhëtimeve të anëtarëve të partive marksiste-leniniste austriake dhe zvicerane, parti që në këtë mënyrë kanë rënë në varësi më të madhe të grupit të Aust-it. Materialet shqip, kryesisht Kushtetuta shqiptare, veprat e Enver Hoxhes, materialet e Kongresit të shtatë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, janë shtypur në gjuhën gjermane në Shtëpinë botuese “8 Nëntori” në Tiranë dhe i janë dërguar me postë. Një rol të veçantë luan propagandimi i emisioneve të “Radio Tiranës”. Për të rritur ndikimin e propagandës së ushtruar nga toka shqiptare, publikohet në Kiel në shtëpinë botuese “Fronti i Kuq”, gazeta mujore “Radio Tirana – Programe të përzgjedhura”. Për mbajtjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve të “KPD/ML” me Partinë dhe organet shtetërore të RPSSH, rol vendimtar luajnë ambasadat shqiptare në Austri dhe në RDGJ. Në Kongresin e III të KPD/ML, donte të merrte pjesë një delegacion i Partisë së Punës së Shqipërisë, por anëtarëve të delegacionit iu refuzua dhënia e vizës për të hyrë në RFGJ.
STAS GJURMONTE MIQTË E SHQIPËRISË
Shoqata e miqve të Shqipërisë (DAFG) ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Në krijimin e saj shoqata ka pasur influenca ideologjike që megjithëse të majta, shiheshin me dyshim nga RDGJ dhe survejoheshin nga Stas-i. Në dokumentet e Stas-it, Shoqata e miqësisë shqiptaro-gjermane (DAFG) shfaqet në sektorin kundër terrorizmit dhe atij kundër spiunazhit. Survejimi i DAFG, si objekt armiqësor ka filluar “për të zbuluar dhe eliminuar aktivitetet subvensive të DAFG kundër DDR dhe vendeve të tjera socialiste”. Kështu, në një dokument të 22 .1.82 bëhet fjalë për një vendim të Ministrisë së Brendshme në Berlin për zbulimin dhe eliminimin e aktiviteteve subvensive të DAFG. DAFG, shkruhet në të është një organizatë e krijuar nga pseudo-revolucionarë të Partisë Komuniste gjermane. Po survejimi i DAFG kishte filluar vite me parë. Kështu, më 5 tetor 1978, sektori kundër spiunazhit ka përpiluar një raport me të gjitha hollësitë për DAFG.
Shoqata është krijuar më 14 nëntor 1971 në Mynih, sekretariati ndodhet në Hamburg dhe drejtohet nga Rüdiger Pier, ajo numëron 500 anëtarë. Shoqata nuk ka ndonjë seksion në Shqipëri dhe vetëm pak persona e njohin atë atje. Kontaktet mbahen me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe drejtohen nga komiteti për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me jashtë. Shoqata organizon udhëtime në Shqipëri. Në Shqipëri udhëtojnë vetëm anëtarë dhe simpatizantë të KPD /ML (Partisë Komuniste Gjermane, marksiste leniniste) nga Gjermania Perëndimore dhe Berlini Perëndimor. Më korrik 1978, Shqipërinë e vizitoi së bashku me një grup të shoqatës edhe kryetari i KPD/ML, Ernst Aust. Hyrja në Shqipëri bëhet në grupe. Kur hyhet, bihet në marrëveshje me personat përgjegjës, që në pasaporta të mos vendosen vulat e hyrjes në Shqipëri. Kjo për të mënjanuar vështirësitë për udhëtime të mëvonshme në DDR ose në Jugosllavi.
Shoqata i ka rritur aktivitetet në vitin 1977, me shpërthimin e konflikteve në Shoqatën e Miqësisë Kinë-Gjermani, konflikte që u shoqëruan me largimin e anëtarëve të KPD /ML nga Kina dhe orientimin drejt Shqipërisë. Partia Komuniste gjermane marksiste-leniniste ka qenë që para vdekjes së Mao Ce Dunit më shumë e orientuar nga Shqipëria sesa nga Kina, dhe pas prishjes së marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë u orientua krejtësisht drejt linjës shqiptare. DAFG nuk jep deklarata lidhur me qëndrimin ndaj RDGJ (Gjermanisë lindore) dhe vendeve të tjera socialiste. Në publikime të “Albanische Hefte- Fletoret shqiptare”, ata flasin pro politikës shqiptare kundër superfuqisë, Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera social-imperialiste. Në lidhje me këtë, publikohen artikuj të marrë nga “Mëngjesi i kuq” dhe shtypi borgjez i BRDsë (Gjermanisë perëndimore). DAFG mban kontakte me Ambasadën e RPSSH në RDGJ. Kështu, anëtarë të DAFG vizituan Ambasadën Shqiptare në RDGJ (Gjermani lindore).
Jozyrtarisht është marrë vesh se ish sekretari i ambasadorit shqiptar në RDGJ dhe ambasadori aktual në Austri, ka koordinuar kontaktet midis DAFG dhe KPD (Partisë Komuniste Gjermane). Udhëheqja e Partisë Komuniste MarkisteLeniniste mendon se 50 për qind e letrave që dërgon në DDR përfundojnë në Ministrinë e Brendshme, Stas-i. Gjatë një takimi të një delegacioni të DAFG në Ambasadën Shqiptare në Vjenë u dha orientimi që të kufizohen kontaktet me ambasadën shqiptare në RDGJ dhe kontaktet me Partinë e Punës së Shqipërisë të mbahen nëpërmjet Ambasadës Shqiptare në Vjenë./ Panorama.al