Milani ka bërë një hap fals në “Stadio Arechi” pasi u ndal nga vendi i fundit Salernitana në një barazim 2-2. Golat e Mesias dhe Rebic nuk mjaftuan për ekipin e Piolit që tashmë rrezikon edhe vendin e parë në klasifikim.
Nuk kishte kohë për të studiuar lojën Milani që u hodh menjëherë në sulm që në minutat e para të takimit. Në rastin e parë, kuqezinjtë gjetën rrugën e rrjetës më anë të Mesias në mundësinë e parë që patën. Një pasim i Teo Hernandez midis linjave gjeti të lirë Junior Messias që i vetëm përball portierit kaloi Milanin në avantazh.
Megjithatë, avantazhi zgjati vetëm 24 minuta. Bonazzoli shënoi një supergol në minutën e 29-të. Edhe pse me portën e boshatisur ai realizoi me akrobaci duke vendosur edhe baraspeshën e këtij takimi.
Në pjesën e dytë, ishte Leao që provoi një akrobaci që në minutat e para, por topi i tij kaloi shumë pranë trekëndëshit të portës së mbrojtur nga Sepe. Ky i fundit u kthye në vendimtar pak minuta më vonë pasi ndaloi Giroud në një rast vetëm për vetëm me portierin.
Nga ana tjetër, një gabim i Maignan mund të kthehej në fatal për Milanin. Bonazzoli i rëmbeu topin portierit francez dhe goditi drejt portës së boshatisur, por Romagnoli ndërhyri për të shpëtuar Milanin nga disavantazhi.
Megjithatë, përmbysja e Salernitanës nuk do të vononte. Një harkim nga e djathta e Mazzoçhit gjeti të lirë Djuric që me kokë e çoi rezultatin në 2-1.
Avantazhi i Salernitanës zgjati vetëm pesë minuta. Ante Rebic shënoi një gol mjaft të bukur nga distanca duke e çuar topin në cepin e portës së Seppes. Minutat e mbetura të takimit nuk prodhuan shumë raste të rrezikshme dhe ndeshja përfundoi në barazim 2-2.
Një hap fals i Milanit kështu që nuk ia del dot të fitojë kundër ekipit të vendit të fundit dhe tashmë rrezikon të humbasë vendin e parë ndaj Interit, si dhe të barazohet në pikë nga Napoli.