Asnjë gol, pak raste për gol dhe asnjë fitues në Kukësi-Vllaznia. Dueli i luajtur në “Elbasan Arena” përfundoi në barazim 0-0. Dy ekipet vazhdojnë të renditen në vend të tretë me nga 39 pikë, gjashtë më pak se Laçi dhe pesë mbi Partizanin e vendit të pestë.
Ante Aralica dhe Liridon Latifi kërcënuan Kukësin, por pa saktësinë e duhur. Diego Longo humbi Bruno Lulajn për shkak dëmtimi, ndërsa Edi Basa u ndal nga traversa në fundin e pjesës së parë, aksion që u cilësua i parregullt.
Bulatovic tentoi me kokë pas një këndoreje, por mbi traun e portës së Kukësit. Diego Longo humbi edhe shërbimet e moldavit Puntus (u dëmtua), ndërsa gjuajtja e parë në portë, si rrallëherë në Superiore dhe në duelet mes këtyre dy ekipeve, u regjistrua në minutën e 73-të!
Tafas grushtoi në mënyrë të shkëlqyer gjuajtjen e bukur të Ante Aralicës, ndërsa Zogovic frenoi Feijaon, i cili u harrua në zonë nga mbrojtja shkodrane dhe iu afrua golit me kokë.
Vendasit tentuan portën kundërshtare me Gjelbrim Taipin, Ndrecën dhe Milunovic, ndërsa Mustedanagic në krahun tjetër iu afrua golit në dy raste në minutat e fundit, por sfida përfundoi pa gola.