Gjatë interpelancës për Maturën Shtetërore në parlament, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi bëri një analizë të Maturës Shtetërore 2021, si dhe nënvizoi masat e marra për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore 2022.
Reagimet e vitit të kaluar për provimin e matematikës dhe pakënaqësia e maturanteve çuan në reflektimin e ministrisë tha ajo.
Kushi shpjegoi se është bërë një analizë e shpejtë nga ekspertët e arsimit dhe pas vlerësimit të shqetësimeve për të gjitha testet, si dhe duke marrë parasysh edhe vështirësitë e pandemisë, me vendim unanim të Komitetit të Maturës Shtetërore u vendos për uljen e kufirit minimal të kalueshmërisë dhe atë të pikëve për çdo notë.
Kushi theksoi se pavarësisht problematikave dhe sfidave më të cilat u përballën, kalueshmëria në të gjitha lëndët ishte shumë e lartë, mbi 98%.
Ajo shtoi se aplikimi i metodës së korrigjimit të pyetjeve me alternativa nëpërmjet sistemit elektronik eliminoi gabimet njerëzore, si dhe shkurtoi kohën dhe rritjen e cilësisë së korrigjimit.
Që prej muajit shtator, Komiteti i Maturës Shtetërore (KOMSH), ka punuar në mënyrë intensive për Rregulloren e vitit 2022, e cila u prezantua në muajin shkurt gjatë një takimi me maturantë nga i gjithë vendi.
Ministrja tha se risi për këtë vit është se procesi i vlerësimit të testeve do të mbikëqyret, edhe nga grupe pune të ngritura nga MAS, duke garantuar cilësi më të lartë vlerësimi.
Së bashku me QSHA, edhe në javët në vazhdim do të organizohen takime informuese, ndërgjegjësuese, këshilluese, me maturantë por edhe mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore, për të garantuar që rregullorja të njihet dhe zbatohet siç duhet.
Gjatë analizës Ministrja Kushi tha se nga viti i kaluar u konstatua që hartimi i testit ishte aspekti më problematik i të gjithë procesit.
“Këtë vit është vendosur që hartimi i fondit të pyetjeve të kryhet në kushte shumë të larta sigurie për çdo test përfundimtar të lëndëve, printimin, shumëfishimin dhe paketimin e tyre”,shtoi Ministrja.
Sipas Kushit grupi i hartuesve të testeve do të jetë i përbërë nga mësues me përvojë, me integritet të lartë të përzgjedhur sipas një procesi të hapur dhe transparent do të punojnë për formulimin e pyetjeve.
Kushi tha se diplomat e Maturës Shtetërore këtë vit do të lëshohen deri në 5 korrik për maturantët që do të studiojnë jashtë vendit, si dhe deri në 15 korrik për të gjithë maturantët”, tha ajo.