Rreth 14 mijë rusë kanë shkuar në Turqi në vetëm tri javë pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Arsye thonë ata të jetë përkeqësimi i kushteve, derisa 49 mijë ukrainas gjithashtu kanë ikur për në Turqi.
Në mesin e rusëve që kanë lënë vendin, ka shumë persona publikë që janë kundër luftës, gazetarë, biznesmenë, akademikë dhe aktivistë.
Rusët dhe ukrainasit nuk kanë nevojë për viza që të futen në Turqi dhe mund të qëndrojnë aty deri në tre muaj.
“Isha e frikësuar dhe e merakosur se një perde e hekurt do bie mbi Rusi, kufijtë do të mbyllen, dhe do të bëhet e pamundur për ta lënë vendin. Kisha sulme paniku çdo ditë nga presioni i tmerrshëm”, thotë 23 vjeçarja Anna, që ka arritur në Turqi me 7 mars, në një bisedë për të përditshmen turke Hurriyet.
Ajo ka udhëtuar nga Rusia për në Turqi me familjen e saj dhe disa shokë.
Lufta e ka afektuar gjithë shoqërinë ruse, thotë Anna.
“I urrej diktaturat. Tani, mund të më dënojnë deri në 15 ditë burg për vetëm një fjalë goje që atyre nuk u pëlqen. Nuk doja të jetoja në kushte të tilla, prandaj kam ardhur këtu”.
Ajo ka pohuar se ka edhe shumë njerëz në Rusi që kanë ikur në Gjeorgji për të kaluar më pas në Turqi.
Edhe Vladim Fillir, një inxhinier kompjuterik, ka udhëtuar nga Shën Petersburgu për në Stamboll këtë javë.
Fashizimi po rritet dita ditës në Rusi dhe ai po e mendonte largimin edhe para se të fillonte lufta.
“Por, s’ishte vendim i lehtë për t’u marrë. Kam shokë, punë dhe shtëpi atje”, deklaron ai.
Ai i ishte bashkuar edhe protestës kundër luftës në ditën e parë të saj.
“Rrezikon të shkosh në burg nëse kritikon qeverinë. Pasi filloi lufta, kuptova se s’kam të ardhme në një Rusi të tillë. Unë dhe e dashura ime vendosëm të vinim në Turqi. E dashura ka lidhje këtu, prandaj edhe zgjodhëm Turqinë”.
Ai ka vënë në pah faktin se po bëhet tejet e vështirë të largohesh nga Rusia, madje edhe biletat e aeroplanit të tyre ishin anuluar disa herë.
Familjen thotë se e ka akoma në Rusi, por ata e përkrahin regjimin aktual të Vladimir Putin-it, prandaj ky i ka ndaluar kontaktet me ta.
“S’kam ide se çarë do bëj. Nëse gjërat s’shkojnë mirë këtu, mbase lëvizi për në një vend tjetër, por kurrë s’do kthehem në Rusi, përveç nëse ky regjim ndryshon”.