Lajmet se ka pasur një kryengritje kundër Doktorit në grupin parlamentar, lidhur me bojkotin e Reformës Territoriale, e mërzitën shumë Mulin. Thirri Lelon të organizonin një kundërsulm për këtë çështje.
– Dikush na i ka nxjerrë lajmet jashtë, – tha Muli.
– Dyshoj te Gazi dhe Luciano, – tha Lelo.
– Duhet patjetër t’i përgënjeshtrojmë këto lajme, – tha Muli. – Nuk mund të marrin vesh demokratët që Doktorin e kundërshtojnë në grup. Po doli edhe ky nam, morëm fund.
– Patjetër, – tha Lelo. – Ajo që do themi është se Doktori ka nxitur vetë debat në grup. Vëmë dikë të shkruajë me burime nga brenda grupit që Doktori ka thënë: “Tani dua mendimin tuaj të lirë, ç’mendoni për bojkotin e kësaj reforme territoriale, e cila është një nga reformat kriminale të Edi Ramës.”
Dhe aty do fusim këta që thonë dolën kundër.
Për shembull, Ina Zhupa duhet cituar të ketë thënë: “Kjo është një reformë kriminale e Mirela Kumbaros, e cila dëshiron të bashkojë Sarandën me Gjirokastrën për interesa të oligarkëve, ndaj duhet të jemi aty ta ndalojmë.”
Tritan Shehu duhet cituar të thotë: “Ne nuk jemi kurrë pro bojkotit dhe dënojmë të gjitha format e bojkotit, përveç bojkotit që mbron PD-në nga shkatërrimi përfundimtar, ndaj këtë e ka në dorë Doktori.”
Oerd Bylykbashi duhet cituar të ketë thënë: “Ju e dini që unë kam qenë absolutisht kundër bojkotit, dhe në këtë rast jam kundër bojkotit, pasi nëse ne bojkotojmë, dietat tona i merr anëtari i tetë i komisionit që e shton PS-ja dhe nuk kemi pse t’ua lëmë ato lekë.”
– Shumë të mira janë këto, – tha Muli. – Duhet t’i fusim urgjent, se po përhapet fjala që Doktorin s’e pyesin më as në grupin parlamentar. Nuk u mban të thonë që s’pyesim Mulin dhe thonë s’pyesim Doktorin.
Lini një Përgjigje