2026-a është 1913-a e re

24 Janar 2026, 20:00Blog Bjorn Runa

2026-a është 1913-a e re

Shumë është folur kohët e fundit se 2026-a pritet të jetë një 1918, 1945, apo 1989 e re – të gjitha vite përcaktuese historike ku bota ka përjetuar një shkëputje të qartë nga një rend i caktuar, për të kaluar në rende të reja. Paralelizmi me 2026 është i qartë, pasi sërish duket se gjendemi në prag të kolapsit të një rendi botëror, me shpresën dhe ankthin nëse ajo që do të lindë nga rrënojat e tij do të jetë diçka më e mirë ose jo.

Megjithatë, krahasimi – edhe pse i saktë – është jo i plotë. Ndërsa gjendemi realisht në prag të një shkëputjeje radikale, ajo çfarë harrojmë të përmendim është se shkëputje të tilla përjetohen ndryshe nga ata të cilët formësojnë rendet e reja dhe të tjerët, të cilëve iu duhet të jetojnë nën to. Për qendrën thyerja nënkupton mundësi të reja, ndërsa për vende të vogla e periferike, ajo ka funksionuar përgjithësisht si proces administrativ. Të tre vitet e përmendura më sipër (1918, 1945, 1990) mbahen mend si momente çlirimi pasi zgjeruan pushtetin e vendeve të rëndësishme. Fitimtarët e 1918 rivizatuan kufijtë në favor të ekuilibrave, por jo të popujve; 1945 i shndërroi shtetet e vogla ose në zona tampon, ose në satelitë të fuqive të kohës; 1989 ofroi tranzicionin në vendet e Lindjes, por gjithnjë nën mbikëqyrjen e më të mëdhenjve dhe jo në pavarësi të plotë. Thënë ndryshe, për vende si Shqipëria, shkëputje të tilla radikale nga një rend në tjetrin nuk ishin veçse riorganizim hierarkish.

E parë nga këtu, jehona e historisë tingëllon ndryshe dhe duhet të jetë shumë më shqetësuese. Për ne, 2026 ngjan shumë më tepër me një 1913 të re – jo një vit thyerjesh radikale historike dhe as një vit krizash globale, por një vit menaxhimesh. Është koha kur Shqipëria mbijetoi sepse dy fuqi të mëdha të kohës – Austro-Hungaria dhe diçka më pak Italia – vendosën se një shtet i pavarur shqiptar përputhej më tepër me interesat e tyre. Mbështetja ishte reale, por njëkohësisht instrumentale dhe e përkohshme, pasi pothuajse menjëherë filloi të vepronte kundër nesh. Siç dihet, Italia do të niste pushtimin e jugut të vendit vetëm një vit më pas, për të penguar kontrollin e plotë nga Austro-Hungaria, ndërsa me fundin e Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjen e Perandorisë Austro-Hungareze, rreshtimi i mëhershëm i shqiptarëve krah tyre do të interpretohej si provë e qëndrimit në anën e gabuar të historisë. Aleancat që deri dikur ishin mbrojtur si zgjedhje pragmatike dhe bashkëkohore, u kthyen në barrë përgjegjësie në momentin e ndryshimit të ekuilibrave të pushtetit.

Është e lehtë të përfytyrosh sot zërin e shumë intelektualëve të kohës – dhe ngjashmërinë me atë të shumicës së intelektualëve publikë sot – teksa mbronin rreshtimin me Vjenën dhe Romën në emër të realizmit politik (një tjetër term që duket se po rilind së bashku me nocionin e fuqive të mëdha). Ata, ashtu si këta sot, kanë folur për rëndësinë e mbrojtjes dhe qëndrimit nën "sqetullën" e njërës apo tjetrës fuqi; kanë folur me siguri për zhvillimin dhe progresin që ato do t’i sillnin vendit dhe se nuk kishim zgjidhje tjetër veç tyre. Shtetet e vogla – kanë thënë ata si këta sot – nuk e kanë luksin e ngurtësisë morale dhe kësisoj duhet t’i bashkëngjiteshin të fortit të kohës. Që të gjitha kanë qenë argumente racionale brenda një sistemi që e shpërblente afërsinë me qendrën/perandorinë.

Megjithatë, 1913 na jep një mësim brutal: perandoritë nuk janë të përhershme dhe interesat e tyre nuk janë të transferueshme. Garantuesit e djeshëm mund të kthehen në barrën e përgjegjësisë nesër. Mund të flasim sa të duam për rolin e rëndësishëm të superfuqisë që na siguron stabilitet sot, por nesër stabilizuesi mund të kthehet në arsyen për t’u trajtuar si të pavlerë në momentin e ndryshimit të ekuilibrave.

Por, çfarë do të thotë më konkretisht që 2026-a është 1913-a e re?

Do të thotë se bota po largohet sërish nga gjuha universaliste për të shkuar drejt logjikës së pozicionimit. Sipas gjuhës universaliste, të gjitha shtetet janë formalisht të barabarta dhe konfliktet shihen si probleme ligjore. Ndërkohë, sipas logjikës së pozicionimit, çdo shtet ka një peshë të caktuar dhe konfliktet duhen trajtuar si probleme menaxhimi. Sipas kësaj logjike, të drejtat e shteteve të vogla janë të kushtëzuara nga aleancat, dobishmëria e tyre ndaj më të fuqishmëve dhe sa telashe shkaktojnë për këta të fundit.

Për këtë arsye, 1913-a për Shqipërinë është një paralelizëm më i saktë se sa 1918, 1945, apo 1989, pasi frika e vërtetë nuk është ajo e një katastrofe apo ndryshimi të madh. Përkundrazi, frika dhe ankthi ynë sot qëndron te rregulli dhe riorganizimi i botës në mënyrë kaq efikase, sa që fati ynë vendoset pa na ofruar as luksin e konfrontimit apo rezistencës.

Por, krahasimi me 1913 ka edhe një shtresë tjetër të rëndësishme: dobësitë tona të brendshme shndërrohen praktikisht në leje për ndërhyrje edhe më të hapura dhe më brutale nga jashtë. Në 1913-ën Shqipëria përshkruhej si një vend tepër i brishtë dhe i padisiplinuar, e për rrjedhojë nuk mund t’i besohej një jetë politike krejtësisht e pavarur. I njëjti mekanizëm vepron sot në forma më bashkëkohore. Në momentin që institucionet janë të dobëta, kur korrupsioni kthehet në çështje rutinë dhe jeta qytetare shndërrohet në spektakël, e gjithë kjo e bën më të lehtë për të tjerët të na trajtojnë thjesht si zonë influence dhe jo si subjekt politik.

Ndaj, rreziku sot nuk është ai i të ardhmes së panjohur nën rendin e ri dhe as i fshirjes nga harta. Rreziku real është mbijetesa duke u tkurrur gjithnjë e më tepër, jo në territor, por duke u bërë gjithnjë e më të parëndësishëm: teksa ruajmë sovranitetin, humbasim thelbin e tij.

Kjo është ajo çfarë 1913-a na mëson, nëse jemi të gatshëm ta dëgjojmë thirrjen e zgjimit. Ndërsa perandoria e sotme mund të na duket – siç duket se shumëkujt i pëlqen ta quajë – “sqetulla e ngrohtë” që na garanton siguri, nesër mund të jetë arsyeja për t’u gjendur në anën e gabuar të historisë.

11 Komente

  1. G
    Gega

    Mbase na bje nonje kocke edhe nevej

    Përgjigjjuni
    1. V
      VFLP

      e kishte parashikuar komandanti qysh ne 1980'. Edhe fundin e BE, e ka parashikuar

      Përgjigjjuni
      1. T
        Tirana

        Humbje kohe

        Përgjigjjuni
        1. a
          arberia

          poshte idiotet qe drejtojn qe drejtoj kete bote

          Përgjigjjuni
          1. E
            Emigranti

            E po kjo ndoll vetem ne shqiperi sepse ne bote nuk e prek dot policin denohesh

            Përgjigjjuni
            1. k
              kirurg

              Mor po ka të drejtë ky Bjorni, 1913-a ishte si një gomë e madhe që zhvleftësoi 1912-ën e pavarësisë shqiptare. Dhe sot bota i ka hyrë rishikimit të ekuilibrave të mezivendosura pas dy luftërave botërore që kushtuan gjakun e miliona njerëzve. Po harrohen tmerret e atyre kohëve, me cinizëm e arrogancë po shpallen hapur synimet dominuese të superfuqive, me mendjelehtësi po votohen despotët e rinj, njëlloj si Hitlerin dikur... Duhet kujtuar thirrja e Brehtit dhe e Fuçik-ut. Ata që fitojnë nga luftërat nuk janë prekur aspak, kurrë, shumë duruan... Mjerë popujt e vegjël! Ngado që ta kthesh, me çdocilën fuqi të lidhesh sot, nesër nuk i dihet se cili do të jetë fitues nga superfuqitë. E ka thënë i varfri popull: më mirë m... se i vogël.

              Përgjigjjuni
              1. N
                Nuk hahet sapuni per djath !

                Me kete shkrim ky po i bie rrotull e rrotull, me demek do u hambasim po u fitem ne sqetullen e amerikanit don te thot prandaj hidhuni nga rusi....! analize idiote!

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Dakord

                  I nderuar autor, një vend i vogël nuk duhet të mendojë për perandoritë e të ardhmes, po se si të mbijetojë sot. Fakti që jemi kaq të vegjël dhe jemi "gjallë" dmth vend sovran, tregon se kemi qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë që na ka leverdisur neve si komb për të mbijetuar. Po të mos ishte për USA, europa do na kishte copëtuar në 1913, do na kishte bërë llokma për sllavët.

                  Përgjigjjuni
                  1. B
                    Bureto

                    "Po të mos ishte Amerika, në 1913 Europa do na kishte coptuar e do na kish bërë llokma për sllavët"-shkruan @Dakord. E ke gabim! E ngatërron pak, sepse SHBA në 1913, nuk kanë patur asnjë rol për Shqipërinë e sapo pavarësuar dhe posaçërisht në korrik të atij viti, në Konferencën e Londrës apo e quajtur ndryshe "Konferenca e Ambasadorëve" e gjashtë Fuqive të Mëdha europiane: Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Rusi, Itali dhe Austro-Hungari. Ishte kjo Konferencë që njohu Shqipërinë e Pavarur në 28 nëntor 1912, përcaktoi afërsisht kufijtë e sotëm, dhe që, për këtë shpesh e quajmë "Shqipëria Londineze". Ishte koha kur ra Perandoria Osmane, por Lufta e Parë bot, ende nuk kishte filluar. SHBA u fut në 'lojën' europiane, të asaj lufte (1914-1918) vetëm nga fundi, dhe kur pas përfundimit të saj ishin shumë aktivë, sidomos në Konferencën e Paqes të 1919 në Paris. Ishte aty roli i posaçëm i SHBA-ve, sidomos i presidentit të saj Uillson, në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Ishte kjo periudhë, por sidomos ajo e L.II bot. dhe pas saj, ku Amerika pati rol deçiziv për fitoren ndaj Boshtit në atë luftë. Më pas, ishte "Konferenca e Sanfranciskos" që vendosi hegjemoninë e SHBA-ve në Europë dhe në Botë, e cila vazhdon ende dhe sot.

                    Përgjigjjuni
                  2. P
                    PROLETARI

                    Ujë,ujë dhe pak bukë,shkrepse llapshin,dhe së fundi:-Mjaftë punuat (menduat)për të tjerë o fatkeq,por kujtonii vëndin ku ke lerë dhe ....Përshtatur kjo e fundit e cila është aktualedhe për më shumë e mëndieve të'ndritura,që çdo ditë pjellë kjo tokë evogël por me mëndie ,gojë e gjuhë të gjatë.Ajo kohë ishte kohë e zgjimit dhe fitores së popujve që solli dhe ndryshimeve ekon-sociale.

                    Përgjigjjuni
                    1. T
                      Turi

                      1913 per Shqiptaret ishte riperseritje e nje historie 400 vjecare. Kur kombet e tjera fituan pavarsisne nga Otomanet, ne akoma ne mase therrisnim Dum Babem. Pse? Sepse e shikonim Baben si mbrojtesa jone e jo te punoimin vete per tu mborjtur e zhvilluar ( sic bene kombet e tjera). Ne ate kohe ishim komb i madh ( me i madh se shtetet e tjera qe fituan pavarsine 100 vjet para nesh) por mentaliteti i parazitarit "te na mbrojme te tjeret" na beri te rime ne shtratin e vdekjes te babes qe po vdiste. Sot eshte njesoj. Akoma si parazite kerkojme te na mbrojne e zhvillojne te tjeret, dhe vete pa papune rime e presim sic tha njeri me lart "per ndonje kocke". 2012 ishte nje rastesi ne hisitorine 600 vjecare te Shqitpareve, ku disa idealiste pasi pane qe shumica e Shqiptarev e kuptoj qe Baba ishte i semuri i Bosforit, qe po vdiste, vendosen te shkepunten. Por nuk shkoj gjate. Zakoni per tu lidhur me te huajt ( Italjanet, Austro Hungarezed, etc) bene qe 6 muaj me vone te mbeteshim nje komb i vogel ( me i vogli ne Ballkan) i pa organizuar dhe me nje princ te huaj. Keshtu ka qene per 600 vjet e keshtu do te jete per 600 vjet te tjera. Pyetja eshte sa do te vuajme? Mos harojme 1913-1919 vuajtem mizorisht. A do te ndodhe perseri?

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje