A është Edi Rama peshkatari që po gjuan në kënetën e opozitës?!

2 Shtator 2025, 13:24Blog TEMA
A është Edi Rama peshkatari që po gjuan në kënetën

Nga Denis Dyrnjaja

Ne vigjilje të prezantimit të qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama në mandatin e katërt të PS në pushtet, në hapësirën publike është hedhur ideja e një bashkëqeverisjeje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Përtej zhurmës mediatike dhe interpretimit të disa lëvizjeve individuale, është e nevojshme të sqarohet qartë se nuk ekziston asnjë bazë reale politike apo institucionale për një skenar të tillë.

Bashkëqeverisja është një akt i qartë politik, që kërkon marrëveshje mes palëve, ndarje përgjegjësish dhe vizion të përbashkët. Asnjë nga këto elemente nuk është i pranishëm. Thjesht përfshirja e ndonjë individi me të shkuar në PD ose opozitë, në ndonjë funksion publik, nuk përbën as politikë të re, as marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, pjesëmarrja në qeverinë e Ramës me do të ishte në kundërshtim të plotë me qëndimet e saj si forcë opozitare . Do të nënkuptonte dorëzim të rolit të saj kushtetues dhe politik, duke cënuar përfaqësimin e votuesve që kanë besuar tek opozita për të kontrolluar dhe balancuar pushtetin.

Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë diskutim zyrtar dhe asnjë dokument politik që të sugjerojë apo të nënkuptojë ndërtimin e një qeverisjeje të përbashkët. Ajo që po ndodh është keqinterpretim i lëvizjeve të vogla administrative ose individuale, të cilat nuk mund të përkthehen në tendenca institucionale për bashkëqeverisje.

Po aq e rëndësishme është të theksohet se bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës në çështje madhore, si reforma zgjedhore, integrimi europian apo kodi penal, është një detyrim institucional dhe jo koalicion politik. Këto janë fusha ku opozita ka rolin e vet kushtetues për të kontribuar nëpërmjet dialogut dhe qëndrimeve të saj, por pa humbur rolin e saj primar.

Politika nuk mund të bëhet mbi bazën e thashethemeve, perceptimeve apo interpretimeve që nuk burojnë nga realiteti politik. Përndryshe, rrezikojmë të deformojmë perceptimin e qytetarëve për funksionimin e demokracisë.

Bashkëqeverisja është një akt serioz, i matur, i negociuar dhe me pasoja të qarta për të dyja palët. Derisa të ketë një dakordësi politike të nënshkruar, çdo zë që qarkullon në formë hipoteze mbetet thjesht spekulim.

Në këtë kuadër, është e rëndësishme që publiku të informohet saktë: sot nuk ekziston asnjë kusht, asnjë sinjal dhe asnjë vullnet i deklaruar për një bashkëqeverisje PS–PD. Çdo analizë që ndërtohet mbi këtë premisë, nuk qëndron mbi fakte, por mbi perceptime.

Nuk mund të ketë bashkëqeverisje edhe për një element thelbësor, kur vetë Kryeministri ka ndërtuar gjithë retorikën e tij politike mbi denigrimin e opozitës, duke e quajtur kënetë politike dhe liderin e saj “bufin e kënetës”. Në këtë kënetë ai tani përpiqet të peshkojë individë, si të ishte një liqen me vlera politike të mëdha. Kjo nuk do krijonte as një qeverisje më të mirë, as një opozitë më produktive. Kjo thjeshtë e bën Edi Ramën peshkatar të kënetës!

3 Komente

  1. K
    Kot sa e lexova.

    Po pse ke harxhuar energji o Denis, për diçka qënuk ka gjasa të ndodhë. Të rrahësh ujë në havanë, i thonë kësaj. Apo një brimë në ujë. Më mirë të kisha lexuar Gim Neshon, me ndonjë opinion për Ramafortin ( Ramaduro = Ramaforti----- duro në shqip përkthehet i fortë).

    Përgjigjjuni
    1. U
      Une DV.

      Denis Dyrnaja eshte aq konfjuz sa eshte edhe mbiemri i tij "Dyrnaja" qe duket si shqip por i pa kuptimt. "Dyrnaja" po ta analizosh perbehet nga dy fjale: Nga numri "dy" dhe "rnaja" qe duket sikur ne te vertet eshte fjala "renaja" qe eshte fjale shqipe "genjeshter"...Nejse, tere kete spjegim e bera qe te them se ti "dyrnaja" mbeshtetesh tek genjeshtra per te dhene opinionin tend. Thjeshte ti na spjegon se "nuk mund të ketë bashkëqeverisje edhe për një element thelbësor, kur vetë Kryeministri ka ndërtuar gjithë retorikën e tij politike mbi denigrimin e opozitës, duke e quajtur kënetë politike dhe liderin e saj “bufin e kënetës”. Pra ti nuk je dakort me Kryeminstrin qe ato qe thote ai jane te vertea. Ti nuk pranon mocalin e opozites dhe Saliun si bufi i saj. Meqe ti je ne kete pike, nuk ke te drejte te propozosh "bashkeqeverisje", vetem e vetem se ti mendon Rama genjen per Saliujn qe nuk eshte "buf kenete" por "shqiponje malesh". Pra je jo vetem renacak por dhe i fantaksur...

      Përgjigjjuni
      1. A
        Agim

        O Denis, lemerise dynjane o devedish.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje