
Nga Arbër Ahmeti
Me konfirmimin e fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet e fundit në ShBA, Jack Smith, i njohur për rolin e tij si kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale pranë Dhomave të Specializuara në Kosovë, u tërhoq nga hetimi dhe kryesimi i task-forcës hetimore ndaj Donald Trumpit pas paralajmërimeve për shkarkimin e tij. Richard Grenelli, i cili ka shërbyer si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Jack Smithit dhe Dhomave të Specializuara duke lënë përshtypjen dhe paralajmëruar se ShBA do të marrë masa ndaj tyre.
Mirëpo, me gjithë klimën e pafavorshme politike për Dhomat e Specializuara, kthimi i Donald Trumpit si Presidenti i 47-të i ShBA nuk do të ketë efekt substancial në punën e Dhomave të Specializuara. ShBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm në themelimin dhe funksionimin e tyre, por më e shumta që mund të bëjnë pa shpenzuar kapital politik e diplomatik, është tërheqja e mbështetjes financiare.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj ndërkombëtare. Këto detyrime rrjedhin nga shkëmbimi i letrave mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentes së Republikës së Kosovës, të cilat kërkuan krijimin e një mekanizmi gjyqësor për adresimin e pretendimeve të raportit të Dick Martit dhe të gjeturave që rrodhën nga hetimi i task-forcës së krijuar nga BE. Pretendimet e ngritura implikojnë liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ndaj minoriteteve dhe kundërshtarëve politikë gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Sidoqoftë, arsyeve kryesore të themelimit të Dhomave të Specializuara që rrjedhin nga objektivat e gjera të drejtësisë ndërkombëtare, drejtësisë tranzicionale dhe parimit të sundimit të ligjit, i shtohen edhe objektiva të tjera të karakterit politik që në vetvete nuk gëzojnë të njëjtën fisnikëri si objektivat e lartcekura. Ndër të tjera, studiuesit përmendin dy që janë relevante për analizën tonë.
Dhomat e Specializuara janë krijuar nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, dhe ndër të tjera kjo është shfrytëzuar edhe për të joshur Serbinë drejt perëndimit [shih fq. 14]. Ky lexim i përshtatet një procesi më të gjerë ku Serbia tolerohet dhe nuk ndëshkohet nga Perëndimi pavarësisht agresivitetit të saj ndaj fqinjëve dhe ringjalljes së apetiteve shoviniste. Sipas Sonia Biserkos, Serbia e përdorë krijimin e Dhomave të Specializuara në avancimin e narratives së saj të viktimizimit, dhe kriminalizimit të luftës çlirimtare e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Së dyti, prania ndërkombëtare në Kosovë është vënë nën presion për dështimin e parandalimit të dhunës ndëretnike në Kosovën e pas-luftës. Zhvendosja dhe koncentrimi i serbëve të Kosovës në enklava dhe veri të Kosovës dhe pamundësia e pranisë ndërkombëtare në Kosovë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve, mund të interpretohet edhe si strategji për të mundësuar menaxhimin e konfliktit ndëretnik dhe vendosjen e paqes dhe sigurisë që do të ishte e pamundur në një mjedis shumetnik. [shih Hehir, fq. 192t]
Ky interpretim vjen me implikime për përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare në ngjarjet e dhunshme të pasluftës, për të cilat ZPS pretendon se kanë qenë sistematike, të organizuara dhe me një objektiv të caktuar politik. Krijimi i Dhomave të Specializuara si institucion vendor i ndërkombëtarizuar, ka mundësuar adresimin e këtyre pretendimeve duke pamundësuar e ekspozimin e pranisë ndërkombëtare ndaj juridiksionit te Dhomave të Specializuara.
Kësisoj komuniteti ndërkombëtarë ka arritur tre objektiva. Së pari, jepet shembull i sundimit të ligjit dhe arritjes së drejtësisë për viktimat që arrihet përmes angazhimit në adresimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit që pretendohet të kenë ndodhur në Kosovë. Së dyti, është pamundësuar shtrirja e juridiksionit mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë. Dhe së treti, Dhomat e Specializuara instrumentalizohen për të akomoduar Serbinë dhe për ta joshur atë drejt perëndimit.
Çështja e dytë me rëndësi është kapitali enorm politik që ShBA do të duhej të shpenzonte për të penguar punën e Dhomave të Specializuara. ShBA janë aktor i rëndësishëm në formësimin e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare dhe zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare penale si e njohim sot. ShBA ka mbështetur Tribunalet Ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore, Tribunalet e Jugosllavisë dhe Ruandës, gjykatat hibride në Kamboxhia, Sierra Leone, Liban, Irak dhe Kosovë.
Megjithatë, drejtësia penale ndërkombëtare nuk është imune ndaj presionit apo instrumentalizimit për të përmbushur objektiva politike. Shembull është angazhimi dhe raporti i ShBA me Gjykatën Penale Ndërkombëtare lidhur me dy çështje aktive. ShBA e mbështetë lëshimin e flet-arrestit për Presidentin Rus Vladimir Putin dhe Maria Lvova-Belova, por e kundërshton fuqishëm lëshimin e flet-arrestit ndaj Kryeministrit Izraelit Benjamin Netanjahu dhe Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
Në vitin 2021, Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare u tërhoq nga hetimi i pretendimeve të shkeljeve të së drejtës humanitare në Afganistan i cili do të kishte implikime dhe do të ekspozonte ndaj drejtësisë ndërkombëtare koalicionin e udhëhequr nga ShBA. Sidoqoftë, dallimi substancial mes Speciales dhe rasteve të mësipërme është që ajo tashmë ka filluar punën dhe i ka rastet aktive, ndërsa rastet e sipërpërmendura janë subjekt i konfirmimit të akuzave në fazën paraprake.
Në të tre rastet e mësipërme vihet në pikëpyetje (pa)mundësia reale për ti sjellë të apostrofuarit para gjykatës. Pas ratifikimit të Statutit të Romës, ShBA si jo-anëtare hyri në marrëveshje me një numër të konsideruar të shteteve palë për t’i garantuar imunitet qytetarëve të saj në rast se Gjykata do të ngrinte aktakuzë apo kërkonte ekstradimin e shtetasve amerikanë prezent në këto shtete.
E njëjta sfidë qëndron edhe me rastet aktuale të flet-arrestit. Disa shtete hapur kanë deklaruar se nuk do të zbatojnë flet-arrestin në njërin apo tjetrin rast edhe pse një gjë e tillë do të çonte në shkeljen e detyrimeve ndërkombëtare që i kanë si palë në Statutin e Romës. Drejtësia ndërkombëtare nuk është shumë efektive kur janë në pyetje interesat e shteteve të fuqishme, dhe as e mundshme nëse ndjekja e drejtësisë nuk është në interes të shteteve të fuqishme.
Duke qenë se ShBA kanë investuar kapital politik dhe diplomatik në themelimin e Dhomave të Specializuara, dhe ajo veç është një mekanizëm ekzistues me raste aktive që po i afrohen fundit, gjasat që Administrata e Trumpit për qëllime hakmarrëse të angazhohet kundër Dhomave të Specializuara janë të vogla dhe kundërproduktive.
Përndryshe, është në kompetencë të Këshillit të BE-së të njoftoj përfundimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe jo në kompetencë të ndonjë organi tjetër. Angazhimi potencial i ShBA në këtë drejtim do t’i hapte edhe më shumë rrugë kritikave me të cilat ajo po përballet lidhur me standardet e dyfishta dhe pengim të realizimit të objektivave të mekanizmave të drejtësisë ndërkombëtare.
Pengimi i punës së Dhomave të Specializuara do të përforconte bindjen se rastet e trajtuara nga Specialja kanë dështuar si pasojë e ndërhyrjeve në administrimin e drejtësisë. Një narrativë e tillë lehtësisht mund të ndërtohet pasi shumica e vendimeve të Dhomave të Specializuara i referohen “klimës së përhapur të intimidimit të dëshmitarëve” si rrethanë kontekstuale edhe kur është jashtë kontrollit të të akuzuarve. Kjo i shërben narratives strategjike që mëton ta lë hapur çështjen e arritjes së drejtësisë, edhe nëse çështja kryesore e prokurorisë dështon dhe të akuzuarit shpallen të pafajshëm. [shih Sonja Biserkon, fq. 180; dhe Robert Muharremi, fq. 302]
E njëjta ka ndodhur me çështjen kundër Haradinaj pranë Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë. Megjithëse çështja e Haradinajt ishte rikthyer në rigjykim nga apeli dhe verdikti final dëshmon se prokuroria e ka bazuar çështjen në prova rrethanore, literatura e vë theksin te intimidimi dhe frika e dëshmitarëve që në fakt ka qenë problem në çështjen e Hardinaj dhe të tjerëve, dhe jo te fakti që çështjes i kanë munguar provat dhe ka qenë e motivuar politikisht. [Për insistimin e Carla Del Pontes për ngritjen e aktakuzës ndaj Haradinaj pavarësisht mungesës së provave, dëgjo podcastin mes Andrew Cayley dhe Kevin Jon Heller]
Për fund, ndërhyrja direkte do të linte të hapur çështjen e arritjes së drejtësisë. Është e nevojshme që procesi gjyqësor të jetë i drejtë, i shpejtë, dhe të ketë në qendër balancimin e të drejtave të akuzuarve në raport me masat e marra në procedurë penale, në mënyrë që vendimet e gjykatës ti arrijnë objektivat e gjera të drejtësisë ndërkombëtare duke përmbushur standardet e të drejtave të njeriut.
Për më tepër, Dhomat e Specializuara duhet të angazhohen më shumë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe shoqërinë Kosovare, për të përmirësuar perceptimin publik ndaj tyre dhe mundësuar impaktin real në shoqërinë tonë. Vetëm në këtë mënyrë, Dhomat e Specializuara do të mund të kompensonin të metat që rrjedhin nga juridiksioni selektiv, kompozicioni dhe procedurat e ndërkombëtarizuara.
Arbër Ahmeti është doktorant në Universitetin e Vjenës dhe bashkëpunëtor i Shkollës së Avancuar të Hulumtimit në Drejtësi dhe Jurisprudencë. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale të autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e asnjë institucioni me të cilin ai është i lidhur.
Bravo!
Nje tip shkrimi pa njyre, ide apo mesazh tipik per shkollen Sorsiane qe reket te qelbe shoqerine shqiptare, por qe ky pseudo doktoranti Arber Ahmeti i Vjenes nuk thote asgje sepse nuk ka asnje element llogjik por nje copy/paste te mbledhura nga burime te ndryshme.