Ambasadorët përballë integrimit europian të vendit

2 Shkurt 2026, 19:22Blog Leonidha Mertiri

Po i kthehem përsëri rolit të ambasadorëve tanë në këto momente shumë të rëndësishme për vendin. Sikurse është e njohur, shërbimi diplomatik përbën një pasuri të çmuar kombëtare. Në këtë kuadër, roli i kreut të përfaqësive diplomatike, pra i ambasadorëve, është tepër i rëndësishëm. Ata përfaqësojnë në vendet ku janë të akredituar shtetin e vet, janë në rastin konkret përfaqësuesit më të lartë të qeverisë, zëri i Shqipërisë, me synimin për t’i forcuar dhe çuar më tej marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale, në mbrojtje të interesave të bashkëqytetarëve të tyre.

Ju qasëm kësaj teme me të vetmin qëllim, fokusimin më të mirë në problemet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në rrugëtim e sipër shfaqen qëndrime që, në vend ta nxisin këtë rol, kërkojnë, dashur pa dashur, të ulin tempin e punës, duke e dyzuar atë përmes pasigurisë që përsëri Shqipëria të mbetet jashtë BE-së, pa e realizuar objektivin e saj të njohur. Madje, analistë të ndryshëm shkojnë më tej, teksa e shohin të pasigurt edhe vetë ekzistencën e BE-së, me ngritjen e Bordit të Paqes dhe ardhjen në botë të një të ashtuquajturi “Rendi i ri”.

Çështja është që titullari i përfaqësisë diplomatike, në radhë të parë, të jetë i ndërgjegjshëm për misionin e tij, larg luhatjeve që e largojnë nga roli aktiv, në fund të fundit nga detyra që i është ngarkuar trupit tonë diplomatik në vende të ndryshme. Me fjalë të tjera, ndryshe të jesh i bindur për çka kërkohet dhe ndryshe të veprosh sa për të kaluar radhën. Ndërkohë, fjala është për një punë me shpirt, duke e transmetuar atë edhe te diplomatët e tjerë të përfaqësisë.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të thotë një angazhim i plotë, i pandërprerë në zgjerimin dhe soliditetin e urave të bashkëpunimit, kur vendi ynë i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për integrimin në BE. Mbyllja e këtyre negociatave brenda vitit të ardhshëm, për kurorëzimin e anëtarësimit në vitin 2030, kërkon që ky vit të shpejtojë progresin e reformave dhe mbylljen e grupkapitujve.

Shumica e shqiptarëve besojnë në këtë anëtarësim, kur mbështetja e shtetasve të vendeve të rajonit tonë për integrimin e tyre në BE ka pësuar zbehje. 86 për qind e shtetasve tanë favorizojnë këtë integrim dhe 77 për qind e tyre e shohin atë si rrugën e vetme të ndryshimeve pozitive në ekonomi, të mbështetura dhe përkrahura nga Brukseli. Edhe gjatë këtyre ditëve, ambasadori i BE-së në Tiranë, duke sjellë zërin e Komisionit Europian, ka përsëritur “gatishmërinë e këtij Komisioni për të mbështetur Shqipërinë në çdo hap të rrugës për realizimin e synimit ambicioz për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”.

Me sa duket, shtetet anëtare të Bashkimit Europian po ndërgjegjësohen për progresin e vendit tonë në rrugën e integrimit europian, “me të gjitha shanset për anëtarësim”, siç po shprehet herë pas here Brukseli. Gunther Krichbaum, ministri gjerman i Shtetit për Europën, gjatë vizitës së këtyre ditëve në Tiranë, u ndal në qëndrimin e njohur të shtetit të tij: Gjermania kërkon ta shohë Shqipërinë në BE dhe se vendi duhet të vazhdojë me reformat, veçanërisht në fushën e së drejtës dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mund të ndaleshim edhe më tej në këto vlerësime. Ato nuk bëhen thjesht për kortezi apo si slogane inkurajuese, por parë nga ecuria e procesit, nga hapat e deritashme kurajoze të vendit tonë për harmonizimin dhe përmbushjen me standardet e BE-së, madje edhe me sugjerime konkrete për t’u bazuar gjithçka në meritë, për të qenë përkrah 27 bashkëanëtarëve të sotëm të BE-së.

Investimi për sa më sipër rrit rolin e ambasadorëve me strukturat më të larta vendase ku janë të akredituar dhe me homologët e tyre të trupit diplomatik. Grupkapitujt e mbyllur kërkojnë rritje të efektivitetit të diplomacisë dhe kurrsesi një diplomaci euforike. Bisedat e ambasadorit me partnerët nuk mund t’i durojnë superlativat dhe të bërit “kompetent” vetëm për t’u dukur, sikurse edhe atrofizimin e ideve, veprimet e zbehta dhe të lodhura. Bashkëbiseduesit nuk kanë nevojë t’u tregtohet moral apo t’u bëhen “të paqënat” – “të qëna”.

Këta partnerë e ndjekin vetë situatën në Shqipëri dhe informohen nga qendrat e tyre. Ata, megjithatë, kanë nevojë të dinë edhe më shumë për çështje konkrete të këtij rrugëtimi që u dikton detyra ndaj vetes dhe shtetit nga vijnë. Një prani në media prestigjioze, pjesëmarrje aktive në tryeza të rëndësishme ndërkombëtare dhe jo ndërkombëtare, në këtë periudhë të rëndësishme, i bëjnë ambasadorët më të besueshëm dhe më të kërkuar nga partnerët.

Marrëdhëniet konfidenciale të ambasadorit i japin impuls të ri bashkëpunimit me këta të fundit. Kjo e lehtëson veprimtarinë diplomatike duke rritur besueshmërinë, por edhe për të shmangur ato dobësi që nxjerrin krye në përparimin e procesit për integrimin europian të vendit. Përvoja e mirë nuk i ka munguar diplomacisë tonë edhe për çka folëm në këtë shkrim. E rëndësishme është të mos e nënvlerësojmë, por as ta ekzagjerojmë atë. Me më shumë vullnet dhe dije mund ta bëjmë realitet objektivin e përbashkët të Brukselit dhe Shqipërisë që vendi të integrohet në BE brenda kësaj dekade.

3 Komente

  1. Q
    Qako

    Në foton e autorit, ky duket sikur është edhe VËLLA me Gorbaçovin EDHE vëlla me Ramiz Alinë….jalla….

    Përgjigjjuni
    1. D
      Doni

      SHume e drejte, vetem se ndryshe nga artikulimi i sofistikuar i Gorbacovit (qe i kish bere pershtypje edhe Reganit) apo i Ramizit, ky Mertiri ka shkruar nje artikull relativisht te gjate dhe per me teper, te panevojshem

      Përgjigjjuni
      1. B
        Beni

        Doni ai ka folur per diplomacine per te cilen ti nuk e ke haberin fare. Shiko ndonje rubrike tjeter ne gazete ku flitet per problemet qe kane bujqet. Aty do gjesh veten.

        Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje