Bashkë me dokumentet e identifikimit, kodi duhet të ndryshojë dhe financimin e fushatës

28 Janar 2025, 14:40Blog Nga Ervis Iljazaj

Bashkë me dokumentet e identifikimit, kodi duhet të ndryshojë dhe

Diskutimet për ndryshimet në kod për dokumentet e identifikimit të diasporës në mënyrë që ti mundësohet vota, janë një rast i mirë që palët të mendojnë edhe mënyrën e financimit të fushatës dhe partive politike në përgjithësi.

Politika shqiptare ka shumë probleme me korrupsionin, me drejtësinë, me ekonominë, me konkurrencën e drejtë dhe meritokracinë, por problemi bazë që sjell të gjitha këto pasoja është padyshim mënyra e financimit të partive politike.

Nëse për të zhvilluar aktivitetin e tyre normal gjatë fushatës zgjedhore, apo për funksione të ndryshme, aktivitete të cilat sot kanë një kosto të lartë, dhe buxheti i shtetit iu mbulon atyre vetëm 20 për qind të kostove, atëherë pjesa tjetër që financon ato, do të vijnë medoemos nga para jashtë sistemit, që shpeshherë kanë burime klienteliste ose kriminale.

Në këtë kuptim, të gjitha këto para që financojnë partitë politike në mënyrë jo të ligjshme dhe kriminale deformojnë tenderat publikë, krijojnë ekonomi kriminale, dhe të gjitha pasojat e tjera që  kanë ato në sistemin politik dhe shoqëror shqiptar.

Sistemi i financimit të partive politike në Shqipëri, është një sistem më së shumti okult dhe që ka dështuar plotësisht. Ka dështuar mënyra e financimit, ka dështuar dhe mënyra e kontrollit. Kështu që, nëse duam vërtet ta zgjidhim në gjenezë këtë problem, duhet me patjetër të reformojmë të gjithë skemën e financimit.

Në radhë të parë, duhet të pranojmë në mënyrë të sinqertë, që partitë politike shqiptare sot, por edhe politika në përgjithësi, buxhetit të shtetit i kushton pak në krahasim me kostot reale të aktiviteteve të tyre. Partitë politikë funksionojnë me anë të lobimeve, me anë të fushatave zgjedhore, fushata të cilat sot, nuk janë njëherë në katër vite, por janë konstante, në çdo kohë. Në këtë kuptim, për të garuar me kundërshtarët kanë nevojë për financime, dhe nëse ato nuk janë mjaftueshëm nga sistemi ligjor, me patjetër do të vijnë nga ai joligjor, me të gjitha pasojat që ai ka. Kështu funksionon demokracia dhe gara për të fituar pushtetin.

Në radhë të dytë, mënyra e kontrollit të financimeve është plotësisht e dështuar, pasi ata që kontrollojnë këto financime janë njerëz të cilët zgjidhen po nga këto parti, prandaj ka nevojë urgjente për një ent administrativ të pavarur nga politika që të kontrollojë në mënyrë efikase këto financime. Modelet janë të ndryshme, mjafton të marrë si shembull atë francez, gjerman apo britanik dhe ta aplikojmë në politikën shqiptare.

E rëndësishme është që të pranojmë që sot partitë politike janë të financuara në mënyrë të pamjaftueshme nga paratë ligjore, dhe si pasojë kërkojnë mjete të tjera, që shpesh kanë burime kriminale.

Partitë politike janë institucionet më të rëndësishme në rendin kushtetues shqiptar. Janë ato që sigurojnë përfaqësimin politik, janë ato që përcaktojnë politikat kombëtare, janë ato që shpesh zgjedhin pushtetet e tjera. Në këtë kuptim, për hir të demokracisë dhe garës normale të saj, buxheti i shtetit duhet t’i financojë në mënyrën më të mjaftueshme të mundshme, për të garantuar demokracinë dhe kostot që ajo mbart. Në të kundërt, le të legalizojmë lobimet, dhe t’iu japim fund njëherë e mirë hipokrizive. Të paktën, në këtë mënyrë, çdo lidhje klienteliste do jetë transparente dhe qytetarët shqiptarë do të ishin në gjendje të gjykonin për të gjitha financimet e partive, ashtu sikurse ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më demokratik në botë.

Politika kushton, demokracia dhe gara brenda saj edhe më shumë. Në këtë kuptim, duhet ti japim fund hipokrizive shoqërore që politika duhet të funksionojë me ideale, pa kosto, e të  tjera diskutime si këto. E rëndësishme është që këto financime të jenë transparente, të kontrolluara dhe të mundësojnë aksesin në politikë të të gjitha grupeve politike. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një garë të barabartë demokratike. Sepse, me këtë mënyrë siç po ecim tani rrezikojmë vërtetë që të largojmë njerëz me integritet nga politik-bërja. E vetmja mënyrë për të shpëtuar politikën dhe demokracinë shqiptare është bërja e saj një profesioni ‘’joshës’’ për të gjithë njerëzit e përgatitur dhe brezat e ardhshëm. Në të kundërt, do të vazhdojmë të përfaqësohemi nga njerëz mediokër, të paaftë dhe të inkriminuar.

3 Komente

  1. ?
    ?

    Ça shpjegimi kanë studentët e UET që janë në studion e BBVIP për sharjet me rob shtëpive të banorëve për ca cigare të fshehura atje? Ca ka ndonjë gjë shkencore kjo histori psh? Apo çe deshe?

    Përgjigjjuni
    1. S
      Salihi

      Ke shkruajte shume hartim te dobet, ma mire te thoje jepni lek partive dhe kaq,financimi ne gjithe boten bahet ne baze te fitimit votave qe ka partia ne zgjedhjet e perparshme dhe donacionet nga biznese ose individ te caktuar, por keta duhet deklaruar per ndryshe te shkoje ne burg ai qe nuk I dekleron, kjo ashte dhe ne kodin zgjedhor

      Përgjigjjuni
      1. D
        D.Didani

        Me shume se 80% e SHQIPTARO-AMEREIKANEVE nuk i kane rinovuar ID CARDAT shqiptare,por kjo nuk do te thote se e kane hequr shtetesine shqiptare. Ne se nje shqiptaro-amerikani.... p.sh. nuk i gjendet emeri ne listat shqiptare,te skualifikohet,por jo ti hiqet shtetesia shqiptare sepse nuk ka rinovuar ID CARTEN SHQIPTARE. Kaq te veshtire e keni ta zgjidhni kete gerce? Ai ka indentitetin e tij ne nje CARD tjeter ku ai jeton,por eshte dhe shqiptar!!! Per Amerikanet eshte akoma dhe me kollaj. Kane edhe numurin personal!! (SOCIAL SECURITY NUMBER) Qe ne sistem dalin vetem 4 shifrat e fundit. Ne se Shqiptaret nuk dine ca gjera ...le ti mesojne ne ato takimet qe bejne neper bote!!! Cfare dreqin bejne kur bredhin poshte e larte???? FLM.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje