Duket se BE-ja më parë do t’ia heqë sanksionet Rusisë sesa Kosovës

14 Prill 2025, 20:58Blog TEMA
Duket se BE-ja më parë do t’ia heqë sanksionet Rusisë

Nga Agustin Palokaj

Janë mbushur afër dy vjet prej kur Bashkimi Evropian, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Shqipërisë, kishin vendosur masa ndaj Kosovës si përgjigje ndaj asaj që e kishin konsideruar në atë kohë si veprim të njëanshëm të Kosovës me dërgimin e kryetarëve të komunave në veri në ndërtesat komunale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë fund një stërvitjeje ushtarake ku merrte pjesë edhe Kosova, ndërsa Shqipëria kishte anuluar një takim të përbashkët ndërqeveritar me Kosovën. Në atë kohë u kuptua se veprimet e qeverisë së Shqipërisë ishin koordinuar me BE-në dhe kishin për qëllim që të rrisin izolimin edhe ndërkombëtar edhe rajonal të udhëheqësisë politike të Kosovës. BE-ja besonte se kur SHBA-ja dhe Shqipëria rreshtohen me masat ndaj Kosovës, atëherë Prishtina do ta kuptonte më shpejt realitetin e situatës.

Por përderisa masat nga ana e Shqipërisë nuk dukeshin të ishin formale, prandaj nuk dihet as fati dhe statusi i tyre sot, e ato të SHBA-së u harruan, masat ndëshkuese  të BE-së janë akoma në fuqi, ka shkuan përtej asaj që vendet anëtare kishin pritur dhe kanë pasoja serioze për Kosovën.

BE-ja këto sanksione i kishte vendosur me një shpejtësi të paparë deri atëherë, me procedura jashtëzakonisht të shpejta, pa bazë të qartë ligjore dhe vazhdojnë të mbeten unike ndaj një vendi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në anën tjetër, në BE nuk ka pasur gatishmëri për të ndërmarrë masa ndaj askujt tjetër në rajon, madje as ndaj entitetit Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, e sidomos jo ndaj Serbisë, ani pse ajo injoron për dy vjet ftesat edhe për të nxjerrë para drejtësisë ata që sulmuan dhe lënduan ushtarët e KFOR-it, e edhe ata që ndërmorën sulmin terroristë në Banjskë në vjeshtën e vitit 2023. 

Vetë BE-ja atë sulm e ka quajtur terrorist, ndërsa personi që e ka udhëhequr, Milan Radoiçiq, e ka pranuar përgjegjësinë dhe vazhdon të jetë i lirë në Beograd. Nga BE-ja, NATO dhe disa vende anëtare në njërën anë bëjnë ftesë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë e në anën tjetër, sigurojnë që Serbia të mos ketë pasoja nëse nuk e bën një gjë të tillë.

Është e qartë se masat ndaj Kosovës ishin një dënim në shenjë hakmarrjeje për shkak të zemërimit që Kosova nuk i dëgjoi. Por ndërkohë ato masa vërtet e kanë humbur kuptimin. Dhe, nëse ndiqet rruga formale, ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, ka propozuar heqjen e tyre, duke konstatuar se Kosova i ka përmbushur kushtet.

Por nuk po hiqen masat, edhe pse për to po flitet në shumë takime të grupeve punuese të Bashkimit Evropian.     

Shumica e madhe e vendeve të BE-së i shohin si të pakuptimta masat ndaj Kosovës dhe duan të hiqen në tërësi. Por ato nuk hiqen, sepse Franca dhe Italia në njërën anë dhe Komisioni Evropian në anën tjetër, nuk duan. Duket se në pyetje është inati e jo ndonjë logjikë e shëndoshë.

Nuk ka pasur asnjëherë një vendim të njëzëshëm të vendeve të BE-së për këto masa. Prandaj ato edhe nuk janë sanksione formale por vetëm masa ndëshkuese, që thuhej se janë “të kufizuara dhe të përkohshme”.  Deklaratat e vendeve të BE-së me të cilat paralajmëroheshin masat ka mundur të përdoret edhe për masa ndaj Serbisë aq sa edhe ndaj Kosovës. Por Serbia ka mbështetje më të madhe në BE sesa Kosova dhe prandaj nuk ka masa ndaj saj. Komisioni Evropian po e luan lojën se kinse tash për heqjen e masave duhet konsensus i vendeve anëtare, edhe pse për vendosjen e tyre një konsensus i tillë formal dhe direkt nuk ishte i nevojshëm. 

Kjo nga gjithnjë e më shumë diplomatë po shihet si keqpërdorim i kompetencave nga Komisioni Evropian, sidomos nga arkitekti kryesor i këtyre masave, Jan Koppman, drejtor i Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim. Masat janë zgjeruar shumë dhe kanë kapur shumë fusha. Disa vende anëtare janë habitur kur kanë kuptuar se Kosovës i janë ndalur edhe fondet për projekte si ato për ujë të pijshëm, për integrimin e pakicave por edhe për programet në fushën e sundimit të ligjit. Dhe nuk ka ndonjë dokument formal ku mund të shihen se cilat janë masat, kur dhe kush i ka aprovuar, dhe si mund të hiqen. Pra ato janë krejtësisht politike dhe do të hiqen vetëm kur të ketë gatishmëri politike nga ata që në këtë moment janë kundër heqjes së masave.

Tash Kosova ka mbetur pa mjete të BE-së nga instrumentet e paraanëtarësimit, nuk mund të llogarisë më as në asistencën e madhe amerikane pas mbylljes së USAID-it, e disa vende anëtare të BE-së, përfshirë edhe Gjermaninë, kanë ndalur edhe disa ndihma bilaterale për shkak se akoma janë në fuqi masat e BE-së. Edhe këto masa, bashkë me mosmbështetjen e BE-së për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, janë dëshmi se qasja e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk është aspak e balancuar. 

Dhe përkundër kësaj qytetarët e Kosovës nuk e humbin besimin në BE dhe janë mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian. Nëse vazhdon kështu nuk do të duhej habitur nëse BE-ja më parë ia heq sanksionet Rusisë dhe Sirisë sesa Kosovës. Ndonëse janë në shumicë ata që duan heqjen e masave, si vendet anëtare, ashtu edhe Parlamenti Evropian, ato janë të pafuqishme. Apo nuk angazhohen sa duhet, por mjaftohen me postime në rrjete sociale se si do të ishte mirë që masat të hiqen.

6 Komente

  1. P
    Poseidon

    JU DUKET E CUDITSHME POR ALBINDENOVICI NUK KA BERE AS DHE NJE PERPJEKJE PER ASOSACION IN E KOMUNAVE ME SHUMICE SERBE,AS DHE NJE PERPJEKJE , SEPSE DESHIRON QE TE KETE NJE SHANS PER LUFTE NGA ANA E SERBISE........PRA AI ESHTE TALLUR ME PERENDIMIN DHE JU PRISNI QE PASI E CLIRUAN KOSOVEN AJO MUND TE TALLET,ME TA?????? LE TA MBAJNE ME SHENDET,ALBINDENOVICIN,POR MOS PRESIN QE TE PERKRAHEN NGA PERENDIMI....

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vala

      Ky palacua qe bèn te fortin e lagjes, duket se do e varros Kosoven me sanksione te tjera, se per ti hequr keto, as qe behet fjale.

      Përgjigjjuni
      1. P
        Puna e Kosoves asht kry me Kurtin n'Kry

        Nje dite BE do normalizoje marredheniet me Rusine e Serbine, ndersa as i bje n'menje per dardanet e VV. Kosoves do ti hiqen sanksionet sapo te behet perseri pjese e Serbise. Kjo eshte e vetmja kerkese e VV ndaj BE, pra ta lejon te bahet pjese e Serbise.

        Përgjigjjuni
      2. V
        Visi

        Normalisht që nuk ia heq kur edhe Edi Rama ,nëpërmjet Melonit lobon kundër heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës,sepse Shqipëria ishte e para që ja vuri sanksionet Kosovës,Edi Rama ,lobon kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës,Edi Rama organizon konferencë rajonale në Tiranë në të cilën Kosova paraqitet me emërtimin që kërkon Serbia,me fusnotë dhe me shënimin ,"sipas rezolutës 1244",arsye për të cilën përfaqsuesi Kosovës e braktisi konferencën,sepse megjithëse kishte kërkuar që Kosova të paraqitej sipas emërtimit kushtetues "Republika e Kosovës" Kjo kërkesë nuk ishte respektuar nga organizatori.

        Përgjigjjuni
        1. P
          Pika VV mu ne mendere....

          Nuk ka shansa qe Kosova te futet ne KE. Nje shtet fals nen sanksione as nuk mund te behet shtet. Eshte Serbia ne KE, dhe dardanet e VV e kane bab Serbine, pra jane de fakto por me tjeter emer ne KE.

          Përgjigjjuni
        2. D
          Dardani i Ri

          O njerëz të mirë, duhet të shporret populisti vagabond, Albin Kurti, nga politika që, të vlerësohet dhe njihet Kosova, nga shqiptarët dhe bota. Aq kohë sa ky vagabond të të qendrojë në krye të politikës, Kosova vazhdon rrugën e ferrit.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje