Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve: Partia “Asnjëri”

11 Nëntor 2025, 21:42Blog TEMA
Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve: Partia “Asnjëri”

Nga Ardi Stefa

U bënë zgjedhjet. U numëruan kutitë, u dhanë rezultatet, u shpallën “fituesit”. U fol për fitoren e njërës palë dhe humbjen e tjetrës. Por në të vërtetë, asnjëra palë nuk nuk fitoi. 

Fituesi i vetëm, i padiskutueshëm i zgjedhjeve, ishte një parti që nuk kishte kandidatë në fletën e votimit, nuk hyri fare në garë, që nuk kishte logo, sllogan, madje as komisionerë. Por ajo parti kishte kishte shumicën absolute të qytetarëve. Emri? Partia “Asnjëri”.

Vetëm 20% e qytetarëve u munduan të shkonin deri te kutia dhe votuan për partitë që garuan. Pjesa tjetër, 80%, qëndruan në shtëpi. Heshtën. Dhe me heshtjen e tyre, thanë gjithçka. Thanë “nuk besojmë më”, “nuk përfaqësohemi”, “nuk duam të zgjedhim mes së keqes dhe më të keqes”. Jo vetëm ndërmjet partive, por ndaj një sistemi që prej vitesh sillet si një teatër i lodhur me aktorë të vjetër e role të përsëritura dhe çdo premtim është thjesht një mashtrim me ngjyra të reja.

80% e qytetarëve nuk votuan, sepse tashmë e kanë kuptuar se çdo votë e tyre kthehet në shkelm në prapanicë pas zgjedhjeve. 

Në çdo demokraci normale, një pjesëmarrje kaq e ulët do të ishte turp dhe alarm kombëtar. Do të kishte dorëheqje, reflektim, debat publik. Tek ne, përkundrazi, është “fitore e madhe”, fitimtarët e përjetshëm dalin e festojnë, sikur të kishin marrë besimin e popullit, ndërsa në fakt kanë marrë vetëm një copëz të vogël prej tij. Kryetarët dalin nëpër televizione, me buzëqeshje të shtirur, duke falënderuar “popullin”, por jo popullin që nuk mori pjesë fare në votime. Gjithsesi festojnë. Mbi boshllëkun moral të një sistemi që ka humbur besimin e njerëzve. Festojnë fitoren mbi indiferencën, jo mbi besimin.

Partia “Asnjëri” është pasqyra më e dhimbshme e demokracisë së rrënuar shqiptare.

Dëshmon se shqiptarët nuk e besojnë më lojën. Dëshmon se 80% që nuk votojnë nuk janë as dembelë, as të painteresuar. Janë të zhgënjyer, të përbuzur, të përjashtuar. Janë qytetarët që nuk shohin më përfaqësim, por pazar. Nuk shohin më drejtësi, por klientelizëm. Dhe ndërsa politikanët shesin “fitore” e fshihen pas pjesëmarrjes e mospjesëmarrjes në zgjedhje me teknikalitete “të pavarurish”, shoqëria rrëgjohet gjithnjë e më tepër në humbje morale.

Ironia është se ata që sot qeverisin, e bëjnë këtë falë atyre që nuk votuan. Jo sepse i përfaqësojnë, por sepse këta të fundit i kanë braktisur zgjedhjet, e bashkë me to, ndoshta edhe shpresën. Kështu, pushteti mbetet peng i pakicës, ndërsa shumica hesht, shikon dhe rri mënjanë.

Nëse kjo nuk është krizë, atëherë çfarë është?

Një demokraci ku sundon mazhoranca e minorancës mbi indiferencën e shumicës, s’është më demokraci, por një maskaradë “e ligjshme”.

Por kujdes: HESHTJA nuk është gjithmonë pajtim. Ndonjëherë është akuza më e fortë që mund të bëhet.

Në fund të fundit, asnjë parti politike nuk e mundi “Asnjërin” në një sërë zgjedhjesh. 

“Asnjëri” fitoi pa fushatë, pa para, pa premtime boshe.

Fitoi sepse njerëzit u lodhën të zgjedhin të njëjtët dhe të marrin të njëjtin zhgënjim.

Nëse politika shqiptare nuk e kupton këtë mesazh, nuk ka nevojë për opozitë, e ka përballë popullin.

Partia “Asnjëri”, për ironi, është partia më e ndershme që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sepse të paktën nuk gënjen.

Dhe kur të kuptojnë mesazhin që partia “Asnjëri” nuk gënjen, atëherë bojkoti i “Asnjërit” mund të mos jetë më një qëndrim pasiv, por një forcë që kërkon të marrë në dorë fatin e vet.

Gjithsesi do e meritojmë vërtet demokracinë, vetëm kur partia “Asnjëri” të mos ketë më arsye të ekzistojë!

4 Komente

  1. P
    Pal

    Analizë pa shifra është analizë tymuese pangjyrë që nuk paraqet realtetin të paktën duhet krahasimi me 11majin dhe zgjedhjet e fundit vendore.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Postulat demokratik amerikan: "Ata që nuk votojnë do qeverisen nga ata që votojnë!". Justifikimi nuk votojmë se nuk jemi të përfaqësuar nuk bën sens. Nëse nuk beson te asnjë nga partitë e vjetra, në rastin tonë PS dhe PD, pse nuk voton një nga të tjerat që rëndom i quajnë të 'vogla', që këto nuk frymëzojnë, nuk kanë lidership bindës, janë pa eksperiencë etj, etj. Qëndrojnë këto, po nëse të rejat, t'i quajmë ndryshe dhe alternativa nuk provohen, si mund të rriten, si mund të prodhojnë politikë dhe të formësojnë lidership nëse nuk u japim pushtet, i cili pastaj krijon dhe mundësi për to që të tregojnë se a ia vlejti apo jo vota jonë? Mund të ndodhë edhe ndaj tyre zhgënjimi, mund të thuhet e harxhuam kot si votën ashtu dhe kohën që u qeverisëm nga dështakët e rradhës. E drejtë, por mos vallë jemi më mirë të qeverisur, jo një mandat të plotë ose jo si e këtyre të 'voglave', do jetë më i dëmshëm se mandatet 35 vjeçare të vetëm atyre dy partive që kanë qeverisur këtë vend, ende me një demokraci hibride, më i varfëri i Europës, me drejtësi për të vajtuar, që ende nuk kemi zgjidhur problemin e pronës etj, probleme që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare?! A mos vallë shoqëria shqiptare me indiferencën e vet pranon stanjacionin, që po t'i referohemi fizikës atij që quhet "ligji i inercisë", por që ka dhe pjesën tjetër kur trupi (shoqëria) nën efektin e një force të jashtme lëviz njëtrajtësisht? Dmth nuk rri në një vend dhe pra kënaq thënien e urtë se "uji që lëviz, (i rrjedhshëm) pihet", përndryshe krijohet kënetë. Tani ose jemi mirë dhe populli është i kënaqur, ose e kundërta pra që duhet kërkuar zgjidhja dhe kjo më e pakta mund të vijë vetëm duke guxuar ndryshimin qoftë dhe me sakrificë të përkohshme, por ky kurrë nuk mund të vijë prej një klase politike të stërprovuar dhe me një lidership mëkatar deri në fyt.

      Përgjigjjuni
      1. s
        skllever, bij skllevrish

        Fituesi i zgjedhjeve dhe i demokracise, do te jete kur ti dhe tufa e madhe si ty, do ti shkepusin mullaqet nga karriget e zyrave dhe kafeneve dhe do pushtojne sheshet dhe do tu tregojne sunduesve djallezore orientale, qe vazhdojne te bejne cfare te duan me kete popull dhe kete vend duke i marre zvarre andej nga kane ardhur.Nje shprese e madhe, per te realizuar kete, eshte personaliteti historik Veliaj, qe filloi gjere te implatonte demokracine e vertete perendimore ketu, fizikisht dhe shpirterisht.Mirpo erresirat e thella te historive te kaluara rami-sali-spaku, e kane vendosur dhe e mbajne te izoluar mbas hekurave, bashke me te dhe demokracine perendimore te ketij vendi. Dhe ky ´´demokrati´´ i madh me lart,stefa, ben vec demagogji,pa bereqet, pa thene asnje fjale per problemin krucial te zhvillimit te demokracise ne kete vend, burgosja e kryebashkiakut,sikur nuk eshte dhe problem i tij dhe i ketij populli qe vazhdon te jete nen efektin e hashashit taliban.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Tina

          Stefa ka shume te drejte. 18% Vlora eshte qendrim ndaj qeverisjes qendrore dhe vendore. Mos t ju kthehemi prape gabime te arkitekteve per Vloren qe kane bere katrahura:Te Bashkia,te Sheshi i Flamurit,asnje parkim nentokesor ne te gjithe Vloren,L.maren etj, etj

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje