
Thënia e filozofit amerikano-spanjoll George Santayana se “ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsëritin atë,” është kthyer në një lloj të vërtete popullore të rëndomtë. Por, nëse historia na tregon diçka, është se ne nuk mësojmë kurrë prej saj. Ajo nuk është një grumbull rrëfimesh paralajmëruese, por një varrezë amnezie kolektive – një lloj teatri makabër ku instinktet më të ulëta njerëzore përsëriten pafundësisht me një rregullsi cinike.
Në epokën e sotme, teksa spektri i autoritarizmit të djathtë sa vjen e bëhet më kërcënues, duket sikur nuk kemi mësuar asgjë nga e shkuara. Fasada bashkëkohore e demokracisë, nën udhëheqjen e drejtuesve si Donald Trump, fsheh një relaitet të zymtë: transformimin e krizave humanitare në spektakle të pushtetit, ku emigrantët transportohen forcërisht drejt atyre që nuk ke çfarë tjetër t’i quash, veçse kampe përqëndrimi moderne. Ndërkaq, bota bashkëpunon me heshtjen dhe pasivitetin e saj në këtë teatër.
Jemi shumë të mirë në gritjen e muzeumeve dhe memorialeve të sakrificës njerëzore. Jemi mjaft të mirë edhe për të shpikur mantra si, “Kurrë më!”, apo “Mbijeto për të dëshmuar,” por harrojmë se përtej thirrjeve patetike, bota nuk ka asnjë interes në vuajtjen njerëzore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nevoja për të mbijetuar dhe për të dëshmuar atë çfarë kish ndodhur, nuk ishte vetëm një strategji mbijetese, por një apel për llogaridhënie morale. Ngjashëm, gratë boshnjake dhe kosovare gjetën forcën për t’i mbijetuar mizorive të luftës tek nevoja për t’i treguar shoqërisë atë çfarë iu kish ndodhur, me shpresën se do të shërbente si një akuzë ndaj një bote të gatshme për të toleruar krimin dhe mizoritë si një të keqe të nevojshme. Megjithatë, në fund, mësimet e historisë, të nxjerra nga vuajtje të paimagjinueshme, nuk u përkthyen kurrë në praktika proaktive për mbrojtjen e dinjtetit njerëzor. Përkundrazi, ato janë asimiluar në cinizmin kolektiv të shoqërive që e shohin vuajtjen si një tipar të pashmangshëm, e madje banal, të ekzistencës.
Në një botë ku spektakli ka më tepër vlerë se përmbajtja, neglizhimi i vazhdueshëm i të shkuarës nuk është thjesht padije, por një zgjedhje e qëllimshme. Një refuzim për të pranuar vlerën e vërtetë të jetës njerëzore kur ajo bie ndesh me interesat e pushtetit. Kampet moderne të përqëndrimit, si ai në Guantanamo ku Trump kërkon të dërgojë një pjesë të emigrantëve, nuk janë një devijim tragjik, por pasojë e parashikueshme e një qytetërimi që e ka shitur moralin për fitime afatshkurtra. E shkuara, e tejmbushur me tragjedi mbijetese, shërben sot si një pasqyrë bezdisëse përballë një bote ku të pushtetshmit manipulojnë kujtesën dhe historinë për përfitimet e tyre.
Por ndoshta cinizmi më i madh nuk qëndron tek përsëritja e brutalitetit, po tek dorëzimi ynë i përbashkët përballë idesë se vuajtja e miliona njerëzve s’është tjetër veçse çmimi i progresit. Të mbijetuarit, kujdestarët e ndrojtur të kujtesës, qëndrojnë përpara nesh si dëshmitarë frikësues të paaftësisë sonë për të evoluar moralisht. Historitë e tyre, të cilat do të duhej të shërbenin si thirrje për veprim, injorohen rëndom si relike të një kohe të kaluar. Çdo mizori dhe çdo tradhëti ndaj dinjitetit njerëzor përshëndetet me të njëjtën apati dhe ngritje supesh, sikur bota të ketë pranuar se cikli i mizorive është po aq i natyrshëm sa ndërrimi i stinëve.
Dhe kështu, ndërsa qëndrojmë në prag të një epoke të re errësire, e vërteta e hidhur dhe e pamohueshme është se nuk jemi të dënuar të përsërisim historinë sepse e kemi harruar të shkuarën, por sepse nuk jemi të interesuar të mësojmë prej saj.
Si nuk ju vjen turp ju te Temes, mbroni paligjshmerine. Dinjiteti i atyre njerezve i eshte ulur nga shtetet e tyre, qe duhet ta kerkojne te vetja poshterimin e njerzve te tyre e jo te Trump qe mendon per popullin e tij fillimisht. Shkoni qani edhe ju si histerike me Selena Gomez e jetoni bashke ne Meksiken e krimit e korrupsionit.
No comment.
Well done, Bjorn. Kjo eshte shoqeria ku jetojme sot, ky eshte sistemi qe po e deformojme vete, ku ne cdo gje perparesi i jepet shfaqjes, spektaklit e jo permbajtjes. Kur presidenti i shtetit me te fuqishem te botes diten me te turpshme te Amerikes, sulmin mbi Kapitol, e quan "dite dashurie" dhe ua fal denimin te gjithe protestuesve te dhunshem, kur thone se miku i tij me i afert, Elon Musk, do te derdhe miliarda per ta bere Europen parajse populiste duke sjelle ne pushtet partite e ekstremit te djathte, sic derdhi 250 milione dollare per fushaten e Trampit, ketu nuk behet me fjale per te mesuar nga historia, por per te arkivuar cdo gje qe ka ndodhur deri dje; madje, per t'u shtirur sikur nuk ka ndodhur asgje, sikur historia fillon sot me ne, te fuqishmit dhe zengjinet e rinj te botes. Sot flitet gjithnje e me pak ose nuk flitet fare per demokracine qe kemi njohur e pranuar deri tani, per shtetin e se drejte, per ligjet themelore te njerezimit, per lirite dhe te drejat e njeriut, per solidaritet me ata qe jane me pak te privilegjuar e per shume gjera te tjera, qe deri dje i quanim vlera te pacmuara te qyteterimit modern. Sot flitet vetem per sundim te me te fortit, per aneksime territoresh, per lufte tregtare, per debime te emigranteve, per lufte te ashper se kush do ta zoteroje teknologjins even moderne e kush do te perfitoje me shume prej saj etj., etj. E pra, ne kete rrjedhe qe kane marre ngjarjet, ne qofte se nuk ngrihen e nuk veprojne sa nuk eshte vone institucionet demokratike dhe njerezit e iluminuar kudo ne bote, nje zot ose, me sakte, nje dreq e di se si do te shkoje fati i kesaj bote. Dhe atehere do te kujtohemi per mesimet e historise, te pakten per nje fare kohe, deri sa te shfaqet serish amnezia e pergjithshme.
Historia na meson se cikli i te çmendurve perseritet vazhdimisht ne kete bote te populluar me njerez qe anojne nga instiktet e nga ambicja harbute, e jo nga logjika.
Po mirë o Bjorn djali, merri ti në shtëpinë tënde. Le t'i heqim fare kufijtë plak. Çdokush, kudo, çdo herë.
Dmth ta pushtojne Ameriken emigrantet nga e gjithe bota po na thote ky qe ka shkruar artikullin??...