Kur drejtësia hesht, dhunohet demokracia: Sulmi i koordinuar ndaj votës së lirë në Shqipëri

26 Shkurt 2025, 10:42Blog TEMA
Kur drejtësia hesht, dhunohet demokracia: Sulmi i koordinuar ndaj

Nga Alida Bezati

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në sallën e gjyqit – aty ku drejtësia duhet të flasë me fakte dhe ligj, ndodhi e paimagjinueshmja: një prokuror publik ofendoi dhe poshtëroi një individ që gëzon statusin e pafajësisë deri në provimin e fajësisë. Një individ që është jo vetëm nën hetim, por edhe kryetari i zgjedhur i Bashkisë më të madhe të Shqipërisë, i votuar nga 160,000 qytetarë të Tiranës.

Por më tronditëse se fyerja e prokurorit është heshtja e gjykatës dhe mosmarrja e asnjë mase disiplinore apo ligjore, ashtu siç e parashikon Kodi i Procedurës Penale. Ky fakt ngre një pikëpyetje të madhe mbi paanshmërinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në vend.

Heshtja e Gjykatës: Korporatizëm i noterizuar apo sulm i koordinuar ndaj votës së lirë?

Gjykata ka për detyrë jo vetëm të garantojë një proces të drejtë ligjor, por edhe të mbrojë dinjitetin e çdo individi që i nënshtrohet procesit gjyqësor. Kur një prokuror përdor mikrofonin e sallës së gjyqit për të fyer dhe ofenduar një person të zgjedhur nga populli, gjykata jo vetëm që duhet të ndërhyjë për ta ndaluar, por edhe të marrë masa disiplinore ndaj këtij akti të paprecedentë.

Por kur ajo hesht, nuk bëhet më fjalë për një incident të izoluar, por për një krizë të thellë të drejtësisë. Kjo heshtje është shumë më e rëndë se vetë fyerja e prokurorit, sepse legjitimon dhunimin e dinjitetit njerëzor dhe i hap rrugën një precedentit të rrezikshëm: që organet e drejtësisë mund të abuzojnë me pushtetin e tyre për të shkatërruar legjitimitetin e zgjedhjeve dhe denigruar figurat e zgjedhura nga populli.

Nëse kjo nuk është një formë korporatizmi e “noterizuar” në gjykatë, ku drejtësia mbron dhe hesht për njëri-tjetrin, atëherë është një sulm i koordinuar dhe i organizuar i njerëzve të drejtësisë ndaj pushtetit të zgjedhur me votë të lirë. Një sulm që sfidon në themel demokracinë dhe shndërron drejtësinë në një instrument politik për linçim publik dhe shkatërrim të kundërshtarëve politikë.

Kthim në kohën e Pleniumeve të PPSH-së: Kur gjykatat bëheshin vegla të politikes
Kur gjykata hesht përballë fyerjeve të tilla, nuk jemi më në vitin 2025, por në një kthim të qartë në kohën e gjykatave të pleniumeve të PPSH-së dhe byrove politike të qoftëlargut. Atëherë kur vendimet merreshin jo mbi bazën e provave, por sipas urdhrave politikë dhe linçimeve publike në mbledhjet e Frontit Demokratik.

Dhe kjo nuk është thjesht një analogji historike, por një paralajmërim i fortë se drejtësia në Shqipëri po shndërrohet në një instrument politik të një korporate të re, që ka synim të drejtëpërdrejtë pushtetin politik dhe përmbysjen e vullnetit të qytetarëve.

Fyerje ndaj 160,000 Qytetarëve të Tiranës: Kur prokurori shndërrohet në gjyqtar popullor

Fyerja e një individi të zgjedhur nga 160,000 qytetarë të Tiranës nuk është thjesht një fyerje personale. Është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj çdo votuesi që i besoi çelësat e qytetit të tij kryetarit të zgjedhur. Asnjë prokuror nuk është zgjedhur me votë. Asnjë prej tyre nuk ka legjitimitetin demokratik që ka një kryetar bashkie i zgjedhur nga populli.

Në vend që të respektonin atë çfarë ai përfaqësonte dhe të bazoheshin në prova dhe fakte, fjalët e prokurorit ishin ofendime dhe akuza personale, duke e quajtur personin e zgjedhur nga populli një “gënjeshtar patologjik”. Çfarë është kjo nëse jo shpërdorim flagrant i pushtetit, fyerje e rëndë e qytetarëve të Tiranës dhe tentativë e hapur për të manipuluar opinionin publik përmes linçimit gjyqësor?

Heshtja e organeve mbikëqyrëse: Grusht institucional shteti

Çdo heshtje e mëtejshme e organeve që merren me monitorimin e disiplinës dhe etikës në drejtësi është prova më e qartë se sistemi i drejtësisë është kthyer në një korporatë që nuk kërkon më drejtësi, por pushtet.

Një korporatë që ka shndërruar prokurorin në një ekzekutor politik dhe gjykatën në një noter të padrejtësisë. Kjo nuk është thjesht abuzim me pushtetin, por një grusht institucional shteti – një përmbysje e vullnetit të qytetarëve përmes dhunimit të besimit publik që buron nga ata që janë zgjedhur me votë të lirë.

Drejtësia që kërkon pushtet: Kush mbron tani demokracinë?

Kur drejtësia nuk flet me prova, por me fyerje. Kur gjykata nuk mbron të drejtat, por legjitimon poshtërimin. Kur organet mbikëqyrëse heshtin përballë abuzimit me pushtetin. Kur prokurori shndërrohet në gjyqtar popullor dhe gjykata në një skenë linçimi publik, atëherë demokracia është në rrezik të madh.

A do të reagojnë institucionet, po shoqëria? A do të mbrojmë votën e lirë dhe demokracinë, apo do të heshtim përballë një grushti shteti institucional?

Nëse sot heshtim, nesër mund të jetë shumë vonë për të mbrojtur demokracinë dhe drejtësinë.

1 Komente

  1. M
    Mos duhet dhe LIGJ I BARABARTË për të gjithë ???

    Në gjithë këtë histori nuk meret vesh se ç’bëhet . Flasim që të gjithë janë të BARABARTË para ligjit, po si shpjegohet që një deputeti me DYQINTe CA vota duhet t’i hiqet imuniteti që të ndiqet penalisht , sepse na qënka PËRFAQËSUES i POPULLIT , qoftë dhe deputeti më i votuar që s’mund të ketë më shumë se 15000 vota, po Veliaj që ka mbi 150 000 vota , apo dhe kryetarët e tjerë të bashkive a quhen PËRFAQËSUES të POPULLIT ?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje