Kur portalet bëhen plehrashkencë...

27 Korrik 2025, 12:20Blog Nga Ardi Stefa

“Po qe se kanibalët do të përdornin pirunj, a do të mund të thoshim se ata kanë shënuar një lloj përparimi, janë evoluuar?”

Përgjigjia në lidhje me këtë pyetje të një poeti të shquar polak, në mënyrë spontane mund të ishte: “Varet se nga çfarë këndvështrimi, apo nga ana e kujt e sheh!”

Nga ana e kanibalit, natyrisht që përbën përparim. Pasi përmirëson mënyrën e të shijuarit të ushqimit dhe shmang kontaktin dramatik të duarve e gojës me mishin e njeriut teksa e shqyen.

Por nga ana e viktimës, kam shumë dyshim se do të ekzistonte një vlerësim pozitiv në lidhje me këtë fakt.

Dhembja e padurueshme e therrjes, së bashku me mundësinë e fundit të tmerrshëm do të peshonte shumë më tepër në vlerësimin e situatës, sesa mënyra moderne e trajtimit të këtij akti kriminal e po aq barbar.

E njëjta gjë edhe me mediat dhe rolin e tyre gjatë kësaj periudhe. Në kulmin e sezonit turistik mbizotërojnë lajmet e disa faqeve apo portaleve, që çdo ditë shfaqin me zell të tepruar çmime skandaloze, postime anonime për fatura të kripura, sjellje të padenja, por edhe të njëjtat pamje: një qese plastike në trotuar, një gropë në rrugë, pak ose shumë pluhur në ajër apo trafik të rënduar në mes të korrikut.

Dhe me një frymë e shesin si “gjendje alarmi” dhe “emergjencë civile”!

Nuk shohin më tej se hunda e tyre, ose më saktë, më tej se klikimet që ndotin po aq ose edhe më shumë se plehrat që denoncojnë.

A ka probleme qyteti? Patjetër që po, madje probleme të mprehta, të cilat duan zgjidhje dhe punë të vazhdueshme.

Po a janë ndalur ndonjëherë të shohin sa tonë mbetje pastrohen çdo ditë nga punonjës që nisin ditën para agimit?

Sa rrugë mbahen funksionale përkundër fluksit të jashtëzakonshëm të turistëve?

A i ka interesuar ndonjëherë që ky qytet, në pak javë, ka katërfishuar popullsinë dhe sërish funksionon pa u përkulur?

A e kanë ngritur ndonjëherë zërin të ndërgjegjësojnë qytetarët që ambientin ta mbajnë pastër e plehrat t'i hedhin në vendet e duhura, oraret e caktuara dhe brenda koshave?

Apo vetëm denoncimi dhe negativiteti ka vlerë?

Në një shoqëri ku komunikimi është bërë më i shpejtë se mendimi dhe opinioni shpesh zë vendin e fakteve, manipulimi, shpifja dhe urrejtja po fitojnë gjithnjë e më shumë terren duke u kthyer në një "argëtim" publik, që kalon pa pasoja.

Shpejtësia e informacionit nuk ndihmon përpunimin e tij, por reagimin. Mendimi shndërrohet në përgjigje, një lëvizje kompulsive nga një stimul në tjetrin, pa asnjë hapësirë të ndërmjetme për sintezë. Sensacioni vlerësohet më shumë se sinqeriteti. Një lajm i rremë, një akuzë e pabazë, apo një koment ofendues, marrin më shumë vëmendje sesa një e vërtetë e thjeshtë dhe e ndershme. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm ku urrejtja përhapet, ngaqë shoqëria e shpërblen atë me klikime, komente dhe vëmendje.

Nga ana tjetër anonimiteti i portaleve dhe rrjeteve sociale krijon një ndjesi false lirie. Kur dikush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët apo veprimet e veta, ndjesia e kontrollit moral fillon të zbehet. Njerëzit ndihen më të fuqishëm kur nuk shihen, nuk gjykohen, dhe nuk përballen me pasojat e asaj që thonë. Ata ndihen "të sigurt" për të nxjerrë jashtë inatet, komplekset dhe xhelozitë e tyre me një mesazh, një koment, një insinuatë, një postim “të revoltuar”!

Në vend që të ngrenë zërin për të mbështetur përmirësimin, preferojnë të gërmojnë vetëm aty ku duken shenjat e lodhjes, si të ishin të uritur për dështime!

Kjo nuk është gazetari. Është keqdashje e maskuar si vëmendje qytetare.

A janë ndalur ndonjëherë këto portale apo faqe online të ndërgjegjësojnë qytetarët që të mos ndotin; të jenë të përgjegjshëm; të respektojnë ligjin, komunitetin? Të duan qytetin?

Shumë rrallë ose aspak! Sepse qyteti nuk u dhemb. U interesojnë vetëm gjobat, fama, klikimet, manipulimi i opinionit publik!

Dhe sulmi ndaj institucioneve dhe drejtuesve të tyre.

Të duash qytetin do të thotë edhe të shohësh përpjekjen, të pranosh sfidat e një realiteti dinamik, të kritikosh kur duhet dhe të nderosh kur punohet.

Sepse qyteti nuk ka nevojë për gjyqtarë virtualë që zbresin vetëm për të bërë zhurmë. Ka nevojë për qytetarë që shohin, kuptojnë dhe kontribuojnë.

Qyteti nuk ndërtohet me rënkime virtuale, por me duar që punojnë!

Bëhu pjesë e zërit që ndërton dhe shëron, ose t’i nënshtrohemi përfundimisht heshtjes që lejon urrejtjen të zërë vendin e së vërtetës.

Nëse do ta duash, thuaje të vërtetën! Të plotë!

4 Komente

  1. T
    Tom Hardy

    Render to Caesar the things that are Caesar's, and to God the things that are God's Shume shkrim i goditur.

    Përgjigjjuni
    1. L
      Lavderim

      Shkrim I sponsorizuar nga kryetari i bashkise. Do ishte ne nderin e Meros dhe Temes qe ti vinin nje fusnote si nje shkrim i sponsorizuar. Fshati qe duket nuk do kallauze dhe nuk mbulohet muti me shurre. Bashkia e Vlores nuk eshte ne gjendje te mbledhi plehrat (boshatisi kazanet) dhe jo me te pretendohet te pastroje qytetin, pusetat e hapura kudo jane ne problem I Vjeter dhe plot halle te tjera. Me parate qe Bashkia paguan Spin doktoret do ishte me mire ti shpenzonte per te vene ca puseta

      Përgjigjjuni
      1. z
        zoto kanina

        lavderim lavderim lugen me peshtym po ke gje me kryetarin futi nje dru te mire mos u merr me shkrimtarin

        Përgjigjjuni
      2. T
        Tina Hitaj.

        Shume i bukur shkrimi! C do qytetar duhet te mendoje po ai c mund te bej per komunitetin,jo vetem te bej verejtje.Po te jemi te gjithe te kijdesshem, dhe te ndergjegjshem c do gje do eci me mire.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje