Kur Republika shpallet e shenjtë dhe lapsi kthehet në krim

6 Gusht 2025, 08:59Blog TEMA
Kur Republika shpallet e shenjtë dhe lapsi kthehet në krim

Nga Florian Bonjaku 

Teksti i Nenit 235 – Përdhosja e Republikës dhe simboleve të saj

1. Përdhosja e Himnit Kombëtar, flamurit apo stemës së Republikës të ekspozuara në institucionet shtetërore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë, ose me burgim deri në 6 muaj.

2. Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në 3 vjet.

3. Përdhosja publikisht e Kombit Shqiptar dënohet me burgim nga 1 deri në 4 vjet.

4. Nëse përdhosja kryhet gjatë një feste publike ose ceremonie zyrtare, dënimi rritet.

5. Përdhosja përkufizohet si “dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta…”.

Ky nen është një studim klinik mbi frikën që pushteti ka nga pasqyrat që nuk e shfaqin ashtu siç dëshiron të duket. Është Kodi Penal si filtër “Instagram”-i për liderin: çdo fjalë, meme, pankartë, vizatim apo satirë që nuk riprodhon “autoportretin e përkryer të Republikës” – pra të pushtetit aktual – dënohet si “përdhosje”.

Formulimet si “përdhosje e kombit” apo “veti të shenjta” janë aq të paqarta, sa as një laborator balistik nuk mund t’i zbulojë parametrat e tyre penalë. Kush i përcakton këto veti “të larta”? Ministria e Kulturës? Enti i Flamurit Kombëtar? Vetë Kryeministri?

Nëse një qytetar poston në “Facebook”: “Ky Kuvend është i turpshëm” – a është përdhosje? Nëse një pankartë lexon: “Shqipëria është një shtet i kapur” – a kemi një akt penal? Nëse një karikaturist vizaton një ministër si gomar në qeveri – është blasfemi apo art?

Në bazë të këtij neni, çdo kritikë e fortë, çdo karikaturë, çdo ironi publike mund të kriminalizohet. Në vend që Kodi Penal të luftojë korrupsionin, i bie të luftojë sarkazmën.

KUR KRITIKA BËHET HEREZI DHE SHTETI SHPALLET I SHENJTË

Kjo nuk është më çështje gjuhësore. Është çështje kushtetuese. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se edhe shprehjet tronditëse dhe ofenduese ndaj autoriteteve publike janë pjesë e lirisë së shprehjes (neni 10 i KEDNJ). Kufizimi i lirisë së shprehjes për të “mbrojtur moralin shtetëror” është i papajtueshëm me një rend demokratik. Nuk mund të ketë demokraci pa mundësinë për të tallur pushtetin. Por në Shqipërinë e Nenit 235, kritika kthehet në herezi shtetërore dhe karikatura në akt penal.

Shteti nuk kërkon më të bindë – kërkon të adhurohet.

Charlie Hebdo në Francë vs. Bujar Kapexhiu në Shqipëri: dy botë, një nen absurd

Për ta kuptuar më qartë absurditetin e Nenit 235 mjafton të bëjmë një krahasim simbolik e brutalisht realist midis dy artistëve satirikë:

Charlie Hebdo në Francë — një redaksi e tërë që i bën karikaturë Zotit, Muhamedit, Papës, Presidentit dhe ushtrisë, dhe Bujar Kapexhiu në Shqipëri — një karikaturist veteran që kritikon pushtetin me ngjyrime herë të holla, herë thumbuese, por gjithnjë brenda realitetit shqiptar.

Tani, vendosni të dy përballë Nenit 235:

Në Francë, përballë karikaturave që paraqesin Zotin si terrorist ose Macronin si të çmendur, shteti nuk ndërhyn me dënime penale. Madje, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka mbrojtur këto karikatura si shprehje legjitime e mendimit, edhe kur ato janë “shokuese, ofenduese ose shqetësuese për shtetin apo një pjesë të popullit”. Ndërsa në Shqipëri, nëse Bujar Kapexhiu në një karikaturë vizaton parlamentin si një “stallë” ose një ministër si kukull në duart e një oligarku, atëherë sipas Nenit 235, ai ka “përdhosur Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Republikën, Kombin, ndoshta edhe Flamurin”. Nëse e ka botuar këtë më 28 Nëntor, i bie të ketë kryer vepër penale në rrethana rënduese.

Charlie Hebdo, që karikaturon perënditë, është i mbrojtur në një demokraci.

Kapexhiu, që karikaturon ministrat, rrezikon burgun në një nen që trajton shtetin si fe dhe pushtetin si dogmë.

NË PËRMBYLLJE: REPUBLIKA SI FE, KRITIKA SI HEREZI

Neni 235 është më shumë një manifest politik se sa dispozitë penale. Ai nuk mbron institucionet, mbron krenarinë e lënduar të pushtetit që nuk duron pasqyrën. Në vend që të forcojë shtetin, e idealizon atë, duke e shndërruar në objekt kulti që nuk guxon të preket. Në këtë nen nuk kemi mbrojtje të rendit, por shqetësimin neurotik të pushtetit nga moskontrolli i fjalës së lirë. Në një vend ku “kapja e shtetit” është fakt, kriminalizimi i kritikës ndaj shtetit është logjika e natyrshme e pushtetit të kapur. Nëse Charlie Hebdo do ekzistonte në Shqipëri, do quhej: Charlie në burg. Dhe Bujar Kapexhiu do vizatonte karikaturat e fundit me stilolaps në paraburgim. Një shoqëri ku lapsi të çon në burg është një shoqëri që po i jep lamtumirën lirisë. Dhe nëse ky nen miratohet, mos u çudisni kur në ndonjë karikaturë të ardhshme, të lexoni poshtë: “Ky vizatim është objekt hetimi penal”.

Autori, avokat dhe ish-prokuror

3 Komente

  1. c
    c

    Une besoj thellesisht se perpjekja per te burgosur fjalen e lire, eshte nje shenje domethenese se regjimi po shkon drejt fundit. Pasi ka vjedhur parate publike, pasi ka rrembyer pronat, pasi ka shembur banesat e bizneset, pasi ka burgosut me mijera qytetare per fatura energjie dhe riparim shtepish, pasi ka burgosur kundershatret politike, pasi ka debuar mbi 1/3 e popullsise nga Shqiperia, pasi ka bere zgjedhje farse duke pamundesuar rrotacionin politik, Rilindja po kerkon te zhgule edhe gurin e themelit te lirise Fjalen e Lire. Kjo nuk eshte shenje force, eshte shenje dobesie.

    Përgjigjjuni
    1. p
      pjeter

      Gjithe keto debate pa ofruar asgje,te gjithe keta specialiste qe i kane shpallur lufte ptojekt kodit ne diskutim,sepsepse ky edhte fakt,qe eshte ne diskutim,jane qe te gjithe, te alarmuar per lirine,demokracine,te drejten e prones,simbolet kombetare,qe ky kod i ri thene sipas tyre i cenon ose disa i mbron me shume se duhet,por asnje nga keta specialistet nuk ofrojne kontributin e tyre ne kete debat publik,a thua te gjitha ato qe permendin te gjithe keta qe do te rrezikohen,sot jane ne rregull??!! Mua nuk mu duket se pushteti aktual edhte marre me force,ashtu sikur neser kete qe kane aktualisht ne pushtet,mund te jene flakur tutje,dhe vjne te tjere ne pushtet dhe zgjidhen po nga shqiptaret,edhe ne qofte se kritikat nuk jane objektive teresisht por mbajne ere strumentalizim politik vlejene pak. Per mendimin tim modest shoqeria jone ka nevoje te kete te qarte se c'fare paguan po gabove,kjo vlen per te gjitha hallkat e shoqerise sone, prandaj,kritika qe sherbejne pozitivisht po ,por edhe te bashkangjitura me zgjedhje,qe na pershtaten neve,me nje qellim qe te mos na dali ne fund si ajo shprehja"pese uje e nje fasule".Nuk mund te lihet ne keshtu si eshte,ku mbizoteron,me i forti,me i pasuri,me i njohuri mbi ç'fare do rregulli e ligji,pikerisht sepse nuk ka deterrence te forte per ç'do shkelje te kodit penal,ne shume raste nuk egziton,dhe atehere kur eshte, sikur te mos ishte. Personalisht si lexues verej qe ka nje tendence, si mund te thuash, tipike shqiptare,qe na karakterizon, e kemi qef te dukemi me katolike se papa!!

      Përgjigjjuni
      1. p
        pjeter

        Le ta shofi ky avokati se si veprohet ne France kur dikush fyen apo denigron simbolet kombetare,e te pyesi se si kane vepru autoritetet franceze,sipas deshires apo sipas ligjeve??!!........https://www.leparisien.fr/faits-divers/lhomme-qui-a-allume-sa-cigarette-sur-la-tombe-du-soldat-inconnu-va-voir-son-titre-de-sejour-lui-etre-retire-06-08-2025-7MU2YSKZHBGTJKBFRFABNP3WGM.php

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje