Më 24 dhe 25 qershor të këtij viti, krerët e Shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, do të takohen në Hagë në samitin e radhës të Aleancës Atlantike. Ky do të jetë samiti i parë në mandatin e dytë të Presidentit Trump dhe gjithashtu i pari takim i këtij lloji nën udhëheqjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Rutte.
Në krahasim me atë të vitit të kaluar në Uashington, ku Aleanca Atlantike festoi dhe 75-vjetorin e krijimit të saj, Samiti i Hagës zhvillohet në një situatë gjeostrategjike më komplekse, edhe si rrjedhojë e prioriteteve të ndryshuara në politikën e jashtme dhe atë sigurisë së administratës së re amerikane. Kështu, ndërkohë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e saj të katërt dhe mjaft nga aleatët, kryesisht ata lindorë, vijojnë të ndihen të kërcënuar nga Rusia, administrata e Presidentit Trump e ka bërë të qartë që SHBA-të shohin si domosdoshmëri strategjike zhvendosjen e vëmendjes dhe aseteve thelbësore nga Evropa drejt Indo-Paqësorit, duke u shprehur se Kina paraqet për sigurinë amerikane një sfidë afatshkurtër të pashembullt. Kjo ka bërë që evropianët pas shumë dekadash ta ndjejnë veten të zbuluar nga ombrella mbrojtëse amerikane dhe të fillojnë përpjekjet për tu riarmatosur. Ndërkohë, SHBA-të duken në prag të një ndërhyrje ushtarake në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, çka, përveç implikimeve të tjera, e largon akoma më tepër vëmendjen e Uashingtoni nga dinamikat e sigurisë dhe mbrojtjes së Evropës.
Pavarësisht se gjatë muajve të fundit Presidenti Trump i ka zëvendësuar qëndrimet kritike publike ndaj NATO-s me konsiderata më pozitive për rëndësinë e saj, dhe në këtë kontekst duhet theksuar roli pozitiv i Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Aleancës, lideri i SHBA-ve i ka qëndruar me konsekuencë kërkesës së tij të njohur që vendet aleate të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto. Natyrshëm, në përputhje me këtë qëndrim, edhe zyrtarët më të lartë amerikanë, si Sekretari i Shtetit Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Hegseth dhe Komandanti i Komandës amerikane në Evropë, njëherësh Komandant i përgjithshëm i trupave aleate, Gjenerali Cavoli, kanë nënvizuar rëndësinë e rritjes së ndjeshme të shpenzimeve të mbrojtjes së Aleatëve, si një element thelbësor për vijimësinë e një angazhimi të qëndrueshëm amerikan në kuadër të NATO-s. Vlen të theksohet në këtë kontekst se, ndërkohë që zyrtarët e lartë amerikanë kanë ritheksuar angazhimin e SHBA-ve për mbrojtjen kolektive të territorit aleat, siç përcaktohet në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, ata kanë përmendur paralelisht edhe nenin 3 të këtij Traktati i cili, mes të tjerash, nënvizon domosdoshmërinë e vendeve aleate për të ruajtur dhe zhvilluar aftësitë e tyre individuale dhe kolektive për t'i rezistuar një sulmi të armatosur.
Pra, për sa i përket Uashingtonit, rezultati kryesor i këtij samiti duhet të jetë zyrtarizimi i një angazhim të ri nga ana e vendeve të NATO-s për të investuar në mbrojtje shifrën e lartpërmendur nëpërmjet planeve konkrete për rritje vjetore, ku 3.5 për qind të buxheteve do të shkojë për nevojat themelore të mbrojtjes dhe 1.5 qind për projekte të lidhura me mbrojtjen, përfshirë infrastrukturën kritike dhe forcimin e industrisë ushtarake. Praktikisht, kjo do të thotë thuajse dyfishimi i shpenzimeve ushtarake të NATO-s duke kapur kështu shifrën e tre trilionë dollarëve amerikanë.
Në këtë kohë tepër kritike për sigurinë e kontinentit të vjetër, vendet evropiane të NATO-s duket se janë përgjithësisht të bindur ta pranojnë një objektiv të tillë ambicioz, si një çmim të panegociueshëm për të ruajtur për aq sa të jetë e mundur rolin dhe mbështetjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve në NATO. Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka punuar intensivisht pranë kryeqytete të ndryshme të vendeve aleate për të siguruar mbështetjen e duhur, duke përsëritur publikisht shprehjen e tij të njohur se do të duhet që ose të rriten shpenzimet në mbrojtje ose të mësohet rusisht, shumica e liderëve të vendeve kryesore evropiane në NATO kanë zhvilluar takime dypalëshe me Presidentin Trump duke u përpjekur me diplomaci të harmonizojnë për aq sa ka qenë e mundur qëndrimet e tyre respektive mbi çështjet e mprehta aktuale të politikës ndërkombëtare.
Pra, shumica e aleatëve evropianë pritet ta pranojnë ndërmarrjen e një objektivi të tillë duke qenë të interesuar që samiti i Hagës të shtjellohet në mënyrë sa më lineare e pa ndonjë përplasje me palën amerikane. Përjashtim me sa duket bën Spanja, e cila nëpërmjet një letre dërguar së fundmi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, shprehet publikisht se nuk mund të marri një zotim të tillë në samitin e Hagës. Në këtë pikë nuk është e qartë nëse kundërshtia spanjolle do të bllokojë vendimmarrjen aleate për ta zyrtarizuar zotimin e 5 përqindëshit. Në një rast të tillë Presidenti Trump edhe mund të mos shkojë fare në Hagë ndërkohë që një eventualit i tillë do të rikthejë qëndrimet kritike të Uashingtonit ndaj NATO-s duke gjeneruar në të njëjtën kohë edhe tituj dramatikë në media.
Përveç kundërshtisë spanjolle duket se mbetet ende për tu përcaktuar afati kohor për plotësimin e këtij angazhimi të ri aleat. Përgjithësisht, mendohet se si kompromis mund të caktohet viti 2032 pasi përveç vendeve baltike, të cilat po shtyjnë fort për vitin 2030, shumica e vendeve të tjera aleatëve kanë lobuar për një datë të mëvonshme ndërkohë që SHBA-të do të preferonin një datë më të afërt. Një tjetër çështje interesante është gjithashtu përllogaritja eventuale e ndihmës dypalëshe të vendeve aleate për Ukrainën në shifrën e 5 përqindëshit pasi përfshirja e kësaj ndihme është ndoshta e vetmja rrugë realiste për shumë vende aleate për përmbushjen e këtij objektivi.
Samiti i Hagës pritet që si zakonisht të miratojë një deklaratë. Në samitet e kaluara deklaratat kanë pasur natyrë gjithëpërfshirëse duke qenë të detajuara si për vlerësimet politike ashtu dhe për angazhimet e Aleancës në të gjithë spektrin e veprimtarisë së saj. Por kësaj radhe, sipas informacioneve publike, deklarata pritet të jetë shumë koncize dhe e kufizuar në mbulimin e tematikave. Kështu, është e pritshme që të riafirmohet angazhimi ndaj mbrojtjes kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit, dhe të shprehet uniteti përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë. Por mbetet për tu parë mënyra se si deklarata do ta përcaktojë kërcënimin që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike nën dritën e qëndrimeve aktuale të administratës amerikane ndaj Moskës. Në deklaratën e Uashingtonit të një viti më parë, Rusia u cilësua si kërcënim ekzistencial për NATO-n, por, siç dihet, që prej janarit të këtij viti gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm në kryeqytetin amerikan.
Në deklaratë mund të përfshihet gjithashtu gjuha tashmë e njohur për Kinën dhe për hapësirën kozmike. Aty mund të gjejë vend dhe angazhimi për të zgjeruar bashkëpunimin transatlantik në industrinë e mbrojtjes, një temë kjo e nënvizuar energjikisht vjet në Uashington, por që vijon të përbëjë interes të theksuar për palën amerikane, si dhe zotimi për të shfrytëzuar bashkërisht teknologjinë në zhvillim dhe inovacionin.
Në samitin e Hagës nuk duhet pritur ndonjë element i qenësishëm lidhur për Ukrainën pavarësisht se aty pritet të marri pjesë dhe Presidenti Zelenski. Kjo është krejt e qartë po të kihet parasysh se prioriteti i Presidentit Trump mbetet ndalimi i luftës aktuale duke i bërë Moskën dhe Kievin të negociojnë. Lidhur me mundësinë e anëtarësimit e Ukrainës në NATO, si Presidenti i SHBA-ve ashtu dhe zyrtarët e tij të lartë, e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë, të paktën për momentin, pasi ajo bie ndesh me prioritetin e lartpërmendur të ndalimit të luftës.
Në fakt, edhe brenda aleatëve evropianë ekziston një spektër i gjerë pikëpamjesh mbi këtë çështje delikate. Përkundrejt vendeve baltike që ende lobojnë fuqishëm për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, edhe pse e kanë të qartë që pa mbështetjen amerikane ky anëtarësim nuk është i mundur, Hungaria dhe Sllovakia jo vetëm që kundërshtojnë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por gjithashtu kundërshtojnë dhe një rol më të madh të Aleancës në koordinimin e ndihmës ushtarake për Kievin. Pjesa tjetër e vendeve aleate duket se ka qëndrime të ndërmjetme. Disa mbështesin rritjen e rolit koordinues të NATO-s në ndihmën për Ukrainën, ndërkohë që të tjerë tregohen më të kujdesshëm për rrezikun e provokimit të një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë pasi tashmë Evropa ka marrë një pjesë më të madhe të barrës së mbështetjes së Ukrainës ndërkohë që nga Uashingtoni vijnë mesazhe të qarta se SHBA-të nuk planifikojnë të bëjnë më shumë në ndihmë të Kievit.
Kështu, punimet e Samitit të Hagës, në dallim të spikatur nga takimet e këtij lloji të viteve të kaluara, mund të rezultojnë disi të shkëputura nga realiteti pasi ndërkohë Aleanca vijon të përballet me sfida dhe shqetësime strategjik gjithnjë e më serioze. Një prej tyre lidhet me kohën dhe shkallën e tërheqjes së SHBA-ve nga Evropa. Pavarësisht se aktualisht Administrata amerikane po thotë gjërat e duhura në lidhje me angazhimin e saj të vazhdueshëm ndaj Evropës, pritet që të ketë shkurtime në praninë e forcave amerikane në Evropë, duke filluar ndoshta edhe gjatë këtij viti, çka bën që të gjithë vendet aleate të ndjekin nga afër çdo sinjal mbi asetet që Pentagoni planifikon të largojë nga teatri evropian.
Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë caktimi i Gjeneralit amerikan Grynkewich si pasues i Komandantit të përgjithshëm të trupave aleate, Gjeneralit Cavoli, pas raporteve të cituara në media disa muaj më parë se SHBA-të mund të hiqnin dorë nga ky pozicion komandues në NATO, raporte këto të cilat shkaktuan mjaft shqetësim mes aleatëve evropianë.
Ky caktim është pa dyshim një lajm pozitiv për NATO-n po të mbahet parasysh se që nga themelimi i Aleancës Atlantike ky pozicion është mbajtur në vijimësi nga një oficer i lartë amerikan në përputhje me doktrinën ushtarake amerikane e cila që prej Luftës së Parë Botërore ka diktuar që trupat amerikane të luftojnë nën një zinxhir komande operative në krye të së cilit duhet të jetë një oficer i lartë amerikan i cili i ka varësi direkte nga Presidenti i SHBA-ve.
Për më tepër, Komandanti i përgjithshëm i forcave të NATO-s ka nën komandë armët bërthamore të SHBA-ve në dispozicion të NATO-s, në kuadër të elementit të shkurajimit bërthamor. Këto armë duhet të jenë vetëm nën komandën e një oficeri të lartë amerikan për shkak të autoritetit përfundimtar i cili mbetet gjithmonë te Presidenti i SHBA-ve. Gjithashtu, Komanda e amerikane në Evropë drejton dhe koordinon asetet tepër të rëndësishme të komandës, kontrollit, inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit të SHBA-ve (C2ISR) të cilat formojnë shtyllën kurrizore të logjistikës moderne të NATO-s, në nivel strategjik dhe taktik. Pra, pozicioni tepër i rëndësishëm i Komandantit të përgjithshëm të forcave aleate është thelbësor si për efektivitetin strategjik të NATO-s ashtu dhe për ndikimin institucional amerikan në Evropë.
Për këto arsye emërimi i një oficeri të lartë amerikan si pasues i Gjeneralit Cavoli është mirëpritur nga aleatët evropiane si një element domethënës se administrata e Presidentit Trump nuk do ta lërë pas dore Aleancën Atlantike. Por Gjeneralit Grynkewich i duhet ende të kalojw nëpërmjet procedurave të ndërlikuara kombëtare amerikane të konfirmimit për këtë detyrë të rëndësishme. Kështu, nëse në samitin e Hagës, si rezultat i kundërshtisë spanjolle, nuk do të arrihet zyrtarizimi i zotimin për rritjen në 5 përqind të shpenzimeve në Mbrojtje, nuk mund të përjashtohet mundësia që Presidenti Trump të reagojë duke e rishikuar si këtë emërim ashtu dhe mjaft aspekte të të tjera të angazhimit thelbësor amerikan në NATO.
Rritja e buxhetit te mbrojtjes ne 5% te PPB eshte teper e veshtire ne nje afat te shkurter dhe te mesem. Ndoshta ne nje afat te gjate edhe mund te arrihet, por sigurisht nese ekonomite e vendeve te NATO-s do te performojne shume mire. Ne forcimin e kapaciteteve te NATO-s ndikon rritja e shpenzimeve nga shtetet e fuqishme, si SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, pasi shtetet e vogla kane buxhet te vogel qe ndikon pak ne rritjen e fuqise ushtarake te NATO-s. Por, aleatet duhet te gjejne nje shifer te mesme, te arsyeshme dhe te arritshme, sigurisht qe ta mbaje NATO-n shume me larte sesa Rusia dhe Kina ne fuqine ushtarake. Projektet e perbashketa do te ishin nje zgjidhje e mire per te ulur shpenzimet dhe rritur fuqine ushtarake. Sigurisht nen lidershipin e SHBA pa te cilen si NATO ashtu edhe Europa nuk mund te bejne. Deri tani Europa ka qendruar nen ombrellen e SHBA dhe eshte mbrojtur prej saj, por ka ardhur koha qe ky realitet te ndryshoje dhe Europa te shpenzoje me shume sesa me pare. Sigurisht qe SHBA do te shpenzojne me shume, pasi e ushtrojne fuqine e tyre ushtarake ne te gjithe boten, dhe jo vetem brenda zones se interesit te NATO-s.