Motrat e Nënë Terezës nuk e përdorin lavatriçen

3 Maj 2022, 19:16Blog TEMA

Motrat e Nënë Terezës nuk e përdorin lavatriçen

Nga Sandër Lleshaj

Ato i lajnë me dorë rrobat e atyre fatkeqëve të braktisur, të cilëve iu shërbejnë me një dashuri tronditëse. E mësova këtë gjë sot, teksa bëra një vizitë tek shtëpia e tyre në Rrugën "Kajo Karafili", 42, në Tiranë. Shtëpia është në qendër të Tiranës, por krejt larg asaj; një shtëpi ku bëhen bashkë si askund tjetër dhimbja dhe dashuria njerzore, varfëria materiale dhe pasuria shpirtërore, braktisja e totale dhe dedikimi i pakufi.

Janë rreth 18 burra të moshuar, kryesisht me probleme të shëndetit mendor, të rrënuar fizikisht e të braktisur nga familjet, që kanë gjetur strehë aty tek Motrat e Nënë Terezës. Këtu janë shtatë motra që u shërbejnë 18 të sëmurëve.

E pyes eproren e tyre, motër Lazaret, se kush i kryen shërbimet.

Ne, më thotë ajo krejt thjesht.

Ngulmoj për të kuptuar më shumë dhe e pyes se kush i lan rrobat e të sëmurëve.

Ne, vijon ajo, madje vetëm me dorë.

Vetëm me dorë? Po si? Përse me dorë?

Po ja, më thotë, është porosi e Nënë Terezës. Është më mirë kështu. Ne lajmë dhe lutemi njëkohësisht.

Po shtëpinë si e financoni? e pyes më tej.

Me donacione, vijon motër Lazaret.

Nga Shqipëria?

Të them të drejtën jo, është përgjigja e saj. Kryesisht nga shtëpitë tona nëpër botë.

Më duket se ajo ndihet edhe më keq se unë kur e thotë këtë fakt. E kuptoj. Nga Shqipëria janë vetëm të sëmurët e braktisur. Ata janë në katin e epërm të shtëpisë. Të mbledhur në sallën e madhe të përbashkët, ku po kalojnë pasditen. Disa rrijnë, dikush dëgjon muzikë ndërsa disa të tjerë ushtrohen për të mësuar të ecin përsëri. Po! Përpiqen të mësojnë të ecin me ndihmën e motrave dhe të disa karrocave të vogla. Duket se këtu kanë gjetur paqe. Prej dashurisë njerzore të paskaj që përjetojnë në këtë shtëpi të thjeshtë të Nënë Terezës.

Po si kanë mbërritur tek ju? e pyes motër Lazaret.

Në rrugë të ndryshme, por në përgjithësi nga spitalet. Kur askush nuk interesohet për to, na thërrasin ne. Dhe ne përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi, thotë motra.

Teksa jemi ulur poshtë në kthinën e katit përdhes të shtëpisë, e pyes motër Lazaret për rutinën e ditës së tyre në shtëpi.

Ajo është në Tiranë që nga viti 1991, kur ka mbërritur nga India së bashku me Nënë Terezën. Dhe që nga ajo kohë, jeta e saj dhe e motrave të tjera ndjek një ritëm të pandryshuar. Zgjimi është rreth orës 04:30 të mëngjesit. Dita e tyre e gjatë është vetëm lutje. Ato luten edhe në intervalet mes lutjeve, kur duhet të punojnë. Ato luten edhe kur lajnë me dorë rrobat e këtyre fatkeqëve të braktisur, të cilëve u falin shërbim, dashuri dhe dinjitet njerzor, që për fat të keq as familja dhe as shoqëria jonë nuk ka mundur t’ua japë.

Kur bëhëm gati të ngrihem, motër Lazaret më jep një kartë të vockël, në një anë të së cilës është një portret i Nënë Terezës, ndërsa në anën tjetër është një citat i saj.

"Sa më pak që të kemi, më shumë mund të japim.

Sa më shumë të kemi, më pak mund të japim.“

Po e mbyll këtu. Fjalët e tjera, pas këtyre të Nënë Terezës, më duken të pa nevojshme.

P.S. Shtëpia e Motrave të Nënë Terezës është në Rrugën "Kajo Karafili“, 42, mbrapa Nunciaturës Apostolike në Tiranë. Nëse doni t’i ndihmoni, shkoni aty. Mos prisni t’i shihni në media.

7 Komente

  1. I
    Illyria-Shqiperia

    Faleminderit z. Lleshi, qe na kthen here pas here ne realitet!

    Përgjigjjuni
    1. T
      Titi

      Herojna dhe ekstremisht modeste jane keto motrat e Nene Terezes. Eshte turp qe nuk ka donacione nga shqiptaret!

      Përgjigjjuni
      1. S
        Shmil Gurra

        Të panjohura, pa zhurmë mediatike, engjëllore, gojëmbla, shpirtndritura. Ky është misioni i frymës burimore të katolicismit. Unë jam, sipas sfondit të jetës, myslym, djalin e kam bërë synet dhe njoh mirësinë e zotit. Gjurmoj të di nëse mjekërrzinjtë ortodoksë dhe callmat pseudomyslyme ushtrojnë misione të këtilla institucionale. Sa për ne shqiptarët mesatarë (me mirënjohje të madhërisjhmit NACI..."shqiptarët për shqiptarët, jashta institucional dhe bëmirësve brenda kësaj shtëpie shpirti) japim "ndihma" me mijëra euro bythëlakuriqeve në dasma...

        Përgjigjjuni
      2. D
        DB

        Dëshmia që sjell z. Lleshi të bën të dridhesh dhe të turpërohesh njëkohësisht.

        Përgjigjjuni
        1. a
          artan

          Z. Lleshaj, shpresoj te keni kontribuar financiarisht dicka per to jo vetem nepermjet shkrimit..

          Përgjigjjuni
          1. c
            cccp

            Pse, do te kontribuosh edhe ti Artan (ben pyetje si vemje e mjere)

            Përgjigjjuni
          2. p
            ppa

            Pas ketij shkrimi, kujtoj emisionin e mbremshem te Fevziut.... kishte problem ceshtjen e miliarderve ??!! Bravo z. Lleshaj!

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje