"Nesti Angoni: Fantazma që rri mbi drejtësinë”

19 Gusht 2025, 17:39Blog TEMA
"Nesti Angoni: Fantazma që rri mbi drejtësinë”

Nga Embro Zholi

Në Shqipëri, drejtësia ka parë shumë: dosje që hapen vetë, dëshmitarë që zhduken si tym, dhe letra anonime që marrin peshë më shumë se një vendim gjykate. Por rasti i fundit, ai i ashtuquajturit Nesti Angoni, është një perlë e rrallë për çdo muze të absurdit shqiptar. Një qytetar pa identitet, pa kartë, pa adresë, pa firmë – por me guximin për të shkruar një letër që përmbysi sallat e SPAK-ut.

Letra e tij, e shkurtër e jo fort elegante, denonconte pasuritë “përrallore” të kryebashkiakut Erion Veliaj. Numri i vilave në Golem, i ekzagjeruar deri në kufijtë e groteskut, mjaftoi që të hapej një “dosje”. Ironia? Nesti Angoni nuk ekziston. Është një UFO juridik, një hije e sajuar, e cila arriti të vërë në lëvizje prokurorë, media dhe opinione publike, sikur të kishim të bënim me një Çernobil të korrupsionit.

SPAK-u dhe rasti i “rastësisë”

Në një vend normal, një letër anonime do përfundonte në koshin e plehrave. Tek ne, ajo u kthye në bazament për një dosje kundër njeriut të dytë më të fuqishëm të Partisë Socialiste. Dhe fati i letrës? U dorëzua pikërisht në duart e prokurorit Ols Dado. Aty ku fillon drama e radhës: një përplasje e vjetër për një leje ndërtimi të refuzuar. Skenar më të bukur nuk do ta shkruante as një dramaturg i lodhur i tranzicionit.

Në vend që të kërkohej verifikim i burimit – pra kush ishte ky Nesti misterioz – dosja u trajtua sikur të ishte vetë Bibla. Prokurori, sipas gojëdhënave, jo vetëm e lexoi me syze serioziteti, por u bë edhe redaktor i saj: shtoi pika, nënvizoi akuza, madje edhe i qepi disa akuza të reja mbi Veliajn, duke u siguruar që hakmarrja të kishte shije ligjore.

Drejtësia që rrihet me letra anonime

Nëse dikush kishte shpresuar se reforma në drejtësi do sillte më pak teatër, gaboi. Sot kemi një skenë ku “Nesti Angoni” luan protagonistin, ndërsa politikanë të gjallë – me emër, mbiemër, dhe CV politike – bëhen figurantë. Drejtësia jonë, që duhej të ndëshkonte korrupsionin me prova, dëshmitarë dhe fakte, tashmë po ushqehet me letra të pacertifikuara, thashetheme dhe hakmarrje personale.

Në filmat e viteve ’70 kishim xha Sulon e xha Beqon. Në vitin 2025 kemi Nestin – një figurë që nuk ekziston, por që vë në rrezik karrierat më të mëdha politike. Mos ndoshta është ky versioni shqiptar i “deep fake”-ut? Një identitet i fabrikuar për të bërë ligjin në sallat e SPAK-ut?

Nga drejtësia te padrejtësia

Ky rast tregon një gjë të hidhur: se drejtësia te ne është kthyer në lojë për “kë të kapim sot” dhe “kë të lemë nesër”. Hesht kur duhet të flasë, flet kur duhet të heshtë. Dhe kur s’ka prova, shpik Nestin. Është një recetë që e kthen ligjin në farsë dhe reformën në drejtësi në një kabaré politike.

Nëse sot është Veliaj, nesër mund të jetë kushdo tjetër: një ish-ministër, një ish-drejtor, madje edhe një qytetar i zakonshëm që guxon të mos japë “leje ndërtimi” atje ku duan “të fortët”. Precedenti është vendosur: një fantazmë mjafton për të fundosur një karrierë.

Liria në letër. Thonë se njeriu në Shqipëri është i lirë. Në teori, po. Në praktikë, kjo liri ekziston vetëm në letër – e njëjtë si letra e Nesti Angonit. Një liri që të jep iluzionin se mund të flasësh, por që në të vërtetë të bën peng të intrigave, gjyqeve farsë dhe prokurorëve që bëjnë redaktorin e dosjeve.

Kjo është arsyeja pse askush nuk duhet të ndjehet i qetë. Jo sepse është fajtor, por sepse drejtësia e sotme është një lojë ku fiton ai që shpik më shpejt “Nesti Angonët” e radhës. Dhe kushdo mund të jetë viktima e radhës.

Nesti Angoni nuk është një emër. Është një metaforë. Një paralajmërim se drejtësia jonë nuk bazohet te ligji, por te letra anonime, intrigat e zyrave, dhe hakmarrjet personale. Sot është një kryebashkiak; nesër mund të jetë kushdo tjetër.

Nëse duam një sistem të vërtetë ligjor, duhet të dalim mbi palët, të flasim parimisht, të mos fshihemi pas “Nesti”-ve. Sepse kur padrejtësia fillon të luajë rolin e drejtësisë, atëherë vendi jo vetëm që nuk ecën përpara, por bie në një humnerë ku edhe fantazmat qeshin me pseudo skenare drejtesie...

6 Komente

  1. S
    SPAK uuuuuu kot fare

    Nese une dergoje nje mesage anonime par e-mail qe Argida Berrisha ka vrare kater femije , duke trilluar nje histori a do arrestohet ? .....jooooooo asnjehere . Dosje e E.Veliaj eshte e sistur nga nje spakist

    Përgjigjjuni
    1. @
      @.

      Nesti ësht vet noteri kurvar i konvertuar ne prokuror me bekimin e Ina Rames. Fytyra e tij tregon qartë mllefin e tij ndaj Veliajt per mosmarjen e lejes se ndertimit. Ky esht TURPI që do i mbetet SPAKUT dhe veçanerisht DUMDUMIT.

      Përgjigjjuni
      1. C
        Cfare do zbulohet ne Strasburg per Dadon?

        Thon qe Nesti Angonin e sajoi Olsi Dado, e tash prisni te shihni fundin e pa lavdi te nje noteri kthyr ne prokuror jashte ligjit. Dosja Dado eshte plot fakte kompromentuese ne kasaforten e Sali nongrates.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Teo

          Po kujt I qahet lali?! Lali me Edi e shokun e ngushte Xhafaj bene Reformen ne drejtesi. Cduhet te themi ne qe krmi dosjet nga viti 2017 e nuk marim drejtesi. As seance te pare nuk kemi se nuk ka gjyqtare. Nga kjo reforme. O tempora o mores. Kea te cmendin.

          Përgjigjjuni
          1. L
            LEKA

            Nuk e kisha dëgjuar më parë emrin e artikullshkruesit, por mendoj se i ka vënë pikat mbi "i". Sipas mendimit tim, që sa vjen e konsolidohet, rekrutimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të bëhet mbi nivelin e IQ dhe nga IA, pasi me çfarë shohim, shumica e tyre kanë dukshëm një nivel inferioriteti, që praktikisht kthehet në hakmarrje, si edhe një intelekt të kufizuar.

            Përgjigjjuni
            1. L
              Liqeni

              Respekt autorit te ketij shkrimi. Me rastin Veliaj-Kryetar Bashkie Kryeqyteti kemi te bejme me nje problem tejet madhor: nje popull i pasigurt dhe nen kercenimin e mungeses se drejtesise. Nese ceshtja penale ndaj Kryetatit E.Veliaj eshte celur vetem mbi bazen e nje letre-informate te burimit me pseudonim "Nesti Angoni" kjo eshte nje tragjedi ne veprim. Edhe permbajtja e letres - informate/e dhene apo sinjal nuk jep informacion, por vetem e ndyn, e pergojon Kryetarin e Bashkise si Institucion. Eshte nje llaf kafenesh apo jane llogje, sic abuzojme ne shqiptaret me te quajturen te drejte e liri fjale, etj. Nje leter e tille, natyrisht duhet te merret ne konsiderate per aq sa vlen - nje e dhene apo sinjal operativ, qe ne rastin konkret, prokuroria nuk duhet te investohej fare, por t'ia kalonte per kompetence - verifikim Drejtorise perkatese te Policise se Shtetit ose Njesive Operative perkatese te Sherbimit Informativ te Shtetit, mbas informimit te KM e Presidentit te RSH...(me vleresim e rekomandime te tyre zyrtare...)...Dhe keshtu vijonte procesi si rast krejt i zakonshem, pasi keshtu eshte ne realitet. Por, per fat te keq SPAK @ CO jane te paafte e vegla qorre qe nuk dihet se kujt i sherbejne!!! Dhe, keshtu...me kllaposjen e E.Veliajt rrahin gjoksin se kane kapur "peshkun e madh marlen" si Plaku dhe deti i Ernest Heminguejt, etj. E perseris: Nese vertet ndaj z. E Veliaj eshte celur ceshtja penale vetem mbi bazen e letres - informate te burimit me pseudonimin "Nesti Angoni", kjo eshte nje tragjedi ne veprim. Per me teper, prokuroria nuk e ka ne tagrin e vet ligjor veprimtarine operative-informative. O Zot na mbro!!!

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje