Një analizë politike e fitores së Edi Ramës dhe Partisë Socialiste

21 Maj 2025, 17:50Blog TEMA
Një analizë politike e fitores së Edi Ramës dhe Partisë

Nga Blendi Kajsiu

Zgjedhjet janë në thelb një garë popullariteti midis pushtetit dhe opozitës, sidomos në sisteme bipolare si ky i yni. Ndaj për të shpjeguar fitoren e Ramës në zgjedhjet e fundit nuk mjafton vetëm theksimi i strategjive dhe taktikave zgjedhore në terren, që natyrisht janë shumë të rëndësishme. Duhet identifikuar dhe mënyra se si Rama dhe PS-ja arriti jo vetëm ta ruante por edhe ta thellonte popullaritetin në raport me berishizmin dhe partitë e reja.

Në një demokraci, sado e çalë qoftë ajo, zgjedhjet i fiton ajo forcë politike që në debatin publik imponon dimensionin politik, social apo ekonomik, në të cilin ajo është më popullore se kundërshtari. Ky është rregulli bazë mbi të cilën ndërtohet një fushatë elektorale. Synimi i çdo fushate elektorale është të identifikojë dhe imponojë dimensionin ku kandidati i saj është më popullor se kundërshtari.

Kështu nëse një forcë politike, apo kandidati i saj, perceptohen nga elektorati si më të pakorruptuar se sa kundërshtari, atëherë fushata elektorale e kësaj force politike do artikulojë korrupsionin si problemin themelor të vendit dhe do ti ftoj votuesit të zgjedhin kandidatin që mund ta luftojë korrupsionin më mirë. Nëse ajo arrin ta imponojë dimensionin anti-korrupsion në debatin publik atëherë kandidati i saj do fitojë.

Ky ishte rasti i fushatës elektorale të vitit 2005 mes PD dhe PS-së. Antikorrupsioni ishte dimensioni që theksoi PD-ja, sepse Berisha në atë moment perceptohej si autoritar por jo i korruptuar. Ndërkohë dimensioni që theksoi PS-ja, me Fatos Nanon në krye, ishte demokracia dhe liria, sepse në këtë aspekt Fatos Nano kishte avantazh ndaj Berishës.

Zgjedhjet i fitoi PD-ja sepse imponoi dimensionin anti-korrupsion. E thënë ndryshe, zgjedhjet e vitit 2005 u kthyen në një referendum mbi korrupsionin më shumë se në një referendum mbi demokracinë. Dhe në momentin që debati kryesor i fushatës ishte “Kush e lufton më mirë korrupsionin?” PD-ja me Berishën dhe KOP-in e kishin fituar betejën e popullaritetit me PS-në e Fatos Nanos.

Natyrisht fitorja e PD-së në vitin 2005 nuk do kish qenë e mundur pa çarjen mes PS-së dhe LSI-së. E megjithatë pa fituar betejen e popullaritetit në fushatën elektorale PD-ja nuk do kish arritur ta thyente PS-në e Fatos Nanos në terren. Thyerja që pësoi PS-ja në terren ishte mbi të gjitha produkt i “frymës” që prodhoi PD-ja, që nuk ishte gjë tjetër vecse imponimi i dimensionit anti-korrupsion që maksimizoi popullaritetin e PD-së së Berishës përballë PS-së së Fatos Nanos.

E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit. Arritja kryesore e Edi Ramës ishte maksimizimi i popullaritetit të tij përballë Berishës nëpërmjet një fushate elektorale që theksoi dhe imponoi në debatin publik dimensionin politik në të cilin Rama kishte avantazhin më të thellë në raport jo vetëm me Berishën por edhe me partitë e reja: integrimin euro-atlantik.

Me parrullën “Shqipëria në BE në vitin 2030” dhe me ëndrrën e pashaportës evropiane Edi Rama dhe Partia Socialiste i shtroi elektoratit pyetjen e thjeshtë: Kush e fut Shqipërinë më shpejt në BE, Berisha me Partinë Demokratike, partitë e reja, apo Edi Rama me Partinë Socialiste? Ishte një pyetje pothuajse rehtorike pasi përgjigja dihej si majtas edhe djathtas.

Aftësia e Ramës për të joshur faktorin ndërkombëtar, për të kuptuar dhe kënaqur dëshirat, nevojat dhe imagjinatën e Evropës është e pashoqe në hapësirën ballkanike dhe pranohet gjerësisht nga publiku shqiptar, majtas, djathats apo në mes. Në këtë aspekt Edi Rama është politikani shqiptar me mbështetjen më të madhe euro-atlantike në historinë e demokracisë shqiptare.

Aq më tepër përballë Sali Berishës, një politikan me dy non-grata, në opozitë me SPAK, reformën e preferuar të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri. Askush në Shqipëri, majtas, djathtas apo në mes, nuk mendonte se Berisha dhe PD-ja kishin një mbështetje më të madhe ndërkombëtare se Rama dhe PS-ja. Ndaj as Flamur Noka nuk pretendonte se Shqipëria do futej në BE më shpejt me Berishën se me Ramën.

Natyrisht kampi opozitar argumentoi, madje bindshëm, se futja e Shqipërisë në BE në vitin 2030 ishte një propagandë e Ramës. Me të drejtë ata shpjeguan se është pothuajse e pamundur që të mbyllen kapitujt negociues vetëm në dy vite, duke marrë si shembull Malin e Zi dhe Serbinë që kanë shumë më tepër vite se Shqipëria në këtë proces.
Ama në politikë rëndësi ka ta përcaktosh dhe jo ta fitosh debatin. Në momentin që Rama dhe PS-ja imponuan në debatin publik integrimin evropian si sfida kryesore me të cilën përballej Shqipëria, ata e fituan betejën elektorale, si me berishizmin edhe me partitë e reja.

Më e rëndësishme se data specifike e antarësimit të Shqipërisë në BE ishte fakti i pakontestueshëm se Rama dhe PS-ja e fusnin Shqipërinë në BE më parë se Berisha dhe PD-ja. Nëse futja e Shqipërisë në BE në vitin 2030 nga Rama ishte e debatueshme, pamundësia e futjes së Shqipërisë në BE nga PD-ja e Berishës ishte e padiskutueshme, edhe nga vetë berishizmi.

Në këtë aspekt viti 2030 ishte një karrem politik me të cilin Edi Rama peshkoi të gjithë fushatën elektorale të berishizmit, duke e zhvendosur atë nga denoncimi i regjimit Rama tek çështja e integrimit euro-atlantik. Në vend që të impononte dimensonin “Demokracia në rrezik” berishizmi u fut në debatin e integrimit euro-atlantik, herë duke mohuar mundësinë e antarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030, here duke mohuar mungesën e mbështetjes euro-atlantike për Berishën.

Në fakt, koalicioni elektoral i Berishës, Shqipëria Madhështore, nuk theksonte rrezikun që i kanosej demokracisë shqiptare nga një mandat i katërt i Ramës. Përndryshe aleanca e PD-së do quhej Shqipëria Demokratike ose Aleanca Mbro Demokracinë. “Shqipëria Madhështore” theksonte aleancën e supozuar të Berishës me Amerikën e Trumpit duke e kanalizuar betejën e berishizmit në dimensiónin euro-atlantik, pikërisht aty ku popullariteti i Ramës ishte i pathyeshëm.

Fakti që berishizmi ishte në disavantazh në dimensionin euroatlantik nuk do të thotë që kishte ndonjë avantazh të theksuar në dimensionet e tjera që historikisht kanë përcaktuar debatin elektoral në Shqipëri, siç janë anti-korrupsioni, demokracia, qeverisja/ekonomia, ndryshimi apo nacionalizmi. Megjithatë disavantazhi i berishizmit përballë Ramës dhe PS-së nuk ishte aq i thellë në këto dimensione sa në dimensionin euro-atlantik.

Në dimensionin anti-korrupsion PD-ja ishte në disavantazh përballë Ramës dhe PS-së sepse propozimi i tyre elektoral ishte shkrirja e SPAK, institucioni anti-korrupsion më i respektuar dhe i mbështetur nga shqiptarët në historinë e tranzicionit. Ndërkohë Rama dhe PS-ja kishin deklaruar mbështetjen e tyre për SPAK edhe pas goditjes së rëndë që morën me arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Heshtja socialiste përballë SPAK u shpërblye me vota edhe në Tiranë.

Po ti shtojmë kësaj edhe faktin që ndër kandidatët për deputet të berishizmit figuronin personazhe si Gjin Gjoni, simbole të korrupsionit në sistemin gjygjësor, apo aleatë politik si Ilir Meta, simbole të korrupsionit politik, atëherë kuptohet se përse dimensioni anti-korrupsion nuk përbënte ndonjë avantazh real për koalicionin e PD-së, pavarësisht skandaleve të shumta korruptive të pushtetit socialist.
E njëjta situatë shfaqej edhe në dimensionin e demokracisë. Artikulimi i Shqipërisë si një regjim nën kontrollin autoritar të Edi Ramës që e ka kthyer Partinë Socialiste në podium të ambicies së tij personale ishte i besueshëm për aq kohë sa nuk artikulohej nga një Parti Demokratike e kthyer në aneks të familjes Berisha.

Akoma më e vështirë ishte situata për PD-në në dimensionin e ndryshimit politik. Nevoja për ndryshim politik ishte ulëritëse përballë një pushteti socialist 12 vjeçar dhe plot skandale korrupsioni. Problemi ishte se as Berisha dhe as Meta nuk mund të paraqiteshin si dallëndyshe të ndryshimit politik në Shqipëri përballë Edi Ramës, karriera shumë e gjatë politike e të cilit ishte gjithësesi më e shkurtër se ajo e Metës dhe Berishës.

E njëjta analizë mund të bëhet për shumë dimensione të tjera, si ai i ekonomisë apo i aftësisë qeverisëse, ku opozita e vjetër berishiste vështirë se mund të pretendonte ndonjë avantazh themelor përballë Ramës dhe PS-së, sidomos pas qeverisjes tejet mediokre që Basha i bëri Tiranës si kryetar bashkie, kur ishte berishist.

I vetmi aspekt ku berishizmi kishte një avantazh potencial ndaj qeverisjes Rama ishte dimensioni nacionalist. Kozomopolitanizmi i Ramës, propozimi i tij për Ballkanin e Hapur dhe deklaratat e tij arrogante se ishte mik me Aleksandër Vuçiç ndërkohë që po armiqësohej me Albin Kurtin dhe Kosovën ishin municion i fortë për artikulimin nacionalist të PD-së.

Ajo mund të kish konsoliduar një narrativë nacionaliste dhe sovraniste sipas të cilës Rama sakrifikonte interesat e kombit shqiptar, sulmonte Kosovën, bënte aleancë me Vuçiç dhe dhuronte Sazanin apo Zvërnecin, në shkëmbim të mbështetjes ndërkombëtare.
Do kish qenë një narrativë që ngjizte lehtë në imagjinatën e nacionalizmit shqiptar të tranzicionit dhe në koherencë me ligjërimin anti-komunist të së djathtës shqiptare që komunizmin e artikulon si një ideologji sllavo-ortodokse që përçau faktorin shqiptar dhe ndau Shqipërinë nga Kosova.

Ky potencial u hodh në erë dy herë. Së pari në momentin që berishizmi u rrjeshtua përkrah Fredi Belerit dhe nacionalizmit grek në jug të Shqipërisë. Së dyti, në momentin që PD-ja sovraniste u rrjeshtua në krah të Trumpizmit anti-kosovar, pro-serb dhe pro-rus. Në këto dy momente potenciali nacionalist dhe sovranist i berishizmit dhe i PD-së berishiste u sfumua tërësisht.

Për pasojë, zgjedhjet paralamentare të 11 majit, 2025 ishin nga ato rastet e rralla kur një forcë politike ishte në avantazh përballë kundërshtarit, pothuajse në të gjitha dimensionet kryesore politike, sociale dhe ekonomike që përcaktojnë debatin elektoral, siç janë demokracia, anti-korrupsioni, ndryshimi, qeverisja, integrimi euro-atlantik dhe nacionalizmi.

Në këtë aspekt zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025 ishin të ngjashme me ato të 22 marsit të 1992 kur Partia Demokratike me në krye Sali Berishën ishin në avantazh me kundërshtarin e tyre politik, PS-në, pothuajse në të gjitha dimensionet elektorale. Në atë moment Partia Demokratike përfaqësonte njëkohësisht anti-komunizmin, anti-korrupsionin, demokracinë, nacionalizmin, alternativën qeverisëse dhe integrimin euro-atlantik. Ndaj ajo korri fitoren më të thellë elektorale të tranzicionit shqiptar me 62% të votës.

Fitorja me 52% e PS-së sot është më e vogël sepse avantazhi që PD-ja kishte përballë PS-së në vitin 1992, në të gjitha dimensionet, ishte më i thellë se avantazhi që PS-ja me Edi Ramën kishin përballë berishizmit në vitin 2025.

Mjeshtëria e fushatës elektorale të Ramës ishte përzgjedhja dhe imponimi i atij dimensioni, integrimi euro-atlantik, ku kishte avantazhin më të thellë jo vetëm me berishizmin por edhe me partitë e vogla.
Nëse këto të fundit u përpoqën, me sukses të pjesëshëm, të theksonin dimensionin e ndryshimit dhe të anti-korrupsionit, Rama me peshën e tij të rëndë mediatike imponoi dimensionin e integrimit në BE ku avantazhi i tij edhe ndaj forcave të reja politike ishte mjaft i thellë. Askush nga liderët e rinj nuk mund të matej me staturën shtetërore, ndërkombëtare dhe evropiane të Ramës në dimensionin e integrimit euro-atlantik.

Dështimi elektoral i berishizmit, nga ana tjetër, ishte paaftësia për të ndërtuar dhe imponuar, që para fushatës elektorale, një dimension politik ku ata mund të ishin në avantazh me qeverisjen e Ramës. Shembulli më spektakolar i këtij dështimi ishte slogani zyrtar i fushatës elektorale të berishizmit “Merrni miqtë, familjen dhe eja drejt fitores”.
Në historinë e parrullave elektorale është vështirë të gjesh një parrullë më idiote se kjo. Ajo nuk theksonte as dimensonin “demokracia në rrezik”, as dimensonin anti-korrupsion, as dimensionin nacionalist apo sovranist, që berishizmi kish artikuluar prej katër vitesh përballë qeverisjes Rama.

“Merrni miqtë, familjen dhe eja drejt fitores” tingëllonte më shumë si një ftesë për kafe, ose për xhiro, se sa si një thirrje për të rrëzuar regjimin e Ramës apo për të shpëtuar demokracinë dhe Shqipërinë nga narko-shteti ramist. Ajo ishte në kontradiktë të plotë me urgjencën politike për rrëzimin e regjimit Rama që artikulonte PD-ja në fushatë.
Si është e mundur që fushata elektorale e PD-së të ishte kaq e keq-artikuluar? Si është e mundur që Partia Demokratike që ka prodhuar parrulla elektorale legjendare si “Me ne fitojnë të gjithë”, “Koha për ndryshim” apo “Me duar të pastra” që e përçonin mesazhin politik deri në subkoshiencën e elektoratit, të përfundojë në mesazhe elektorale të tipit “hajt pimë një kafe”? Dy janë arësyet e këtij dështimi.

Së pari, me një lider si Berisha apo Meta opozita e ka shumë të vështirë të ndërtojë dimensione politike fituese pasi për shumicën elektorale ata janë simbole të një klase politike të vjetër, të korruptuar dhe anti-demokratike. Me një kanditat non-grata, që përceptohet si i korruptuar, i vjetër apo autoritar është e vështirë ta ftosh elektoratin të votojë ndryshimin, integrimin, anti-korrupsionin apo demokracinë, ndaj detyrohesh thjesht ta ftosh për kafe.

Arësyeja e dytë është se fushata e berishizmit u ndërtua mbi një llogjikë familjare dhe jo elektorale. Aleanca me Trumpin, aleanca “Shqipëria madhështore” dhe kontrata e kushtueshme e LaCivitës nuk bazoheshin tek llogjika elektorale e rritjes së popullaritetit të ofertës berishiste por tek nevoja e familjes Berisha për të hequr non-gratën dhe për të kontrolluar PD-në.
Pikërisht për këtë arësye në vend që të ndërtonte një alternativë sovraniste dhe nacionaliste koherente që dënonte dhurimin e Sazanit dhe të Zvërnecit familjes Trump apo që dënonte qëndrimet e Trump kundër Ukrainës dhe pro Rusisë, berishizmi u bë trumpist. Ai heshti për Sazanin dhe Zvërnecin, heshti për qëndrimet anti-Ukrainë, pro Serbi dhe pro-Rusi të trampizmit, dhe pasi deklaroi se ishte sovranist harxhoi 6 milion euro për një çertifikatë pafajësie në Washington.

E gjitha kjo sepse halli ishte te non-grata dhe jo tek fushata. Kjo është tragjedia e një partie politike që fushatën elektorale nuk e ndërton për të mbajtur votuesit por për të mbajtur kryetarin. (Lapsi.al)

23 Komente

  1. D
    Dakord

    E ke qarë nga pikëpamja teorike po zor se pd ka menduar sa ty dhe si ty. Miqësisht po të bëj një korrigjim. Këtë korrupsionin dhe skandalet e PS ne populli mbi 50 vjeç i dimë më mirë se ty që kanë ekzistuar që nga qeveria 1 e saliut, e Nanos dhe arritën kulmin në 2005-2013 ku doli mjeshtri ortak i pd-së like floriri. Biles këtyre ju plasën skandalet në kuptimin e parë të fjalës si gërdeci shpërthim "madhështor" por zoti gazetar NUK KISHTE KUSH TI DËNONTE. Gjin gjoni??? Tani kur Rama thotë i dhamë shpatën Spak, ne populli e dimë që ka të drejtë. E shkëputi drejtësinë nga ekzekutivi. Fundja a nuk ishte Altin Dumani prokuror në kohën e saliut??? Cilin zyrtar futi në burg? Më gjej një. Gazetar mos ki frikë. Thuaje të vërtetën siç është. Ne populli jemi të mençur se jemi shumë.

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vala

      Teori qe nuķ besoj se I hyjne kujt ne pune. Populli gjykoi me thjeshte: midis kriminelit dhe hajdutit qe akoma s'eshte bere kriminel, ai zgjodhi kete te dytin. Por nga momenti qe Saliu denohet e shmanget nga politika, Rama e humbet pushtetin me turp, ndaj eshte mire te hap krahun sa s'ka plasur ne PS

      Përgjigjjuni
      1. B
        Blendi

        Jo mo Blendi se Rama nuk i fitoi zgjedhjet prej platformës Shqiperia 2030 në BE së dhe po nuk na futi prapë do i fitojë, edhe kur te ike Saliu prapë do i fitojë. Arsyeja është e thjeshtë, populli jonë shqiptar është i majtë në shumicë të tij, komunisto-socialist dhe i shikon zgjedhjet si një përplasje mes "partisë" se tij dhe partive të tjera. Çfarëdo të bëjë partia socialiste, korrupsion, vjedhje, skandale pa fund, prapë populli do t'a votojë. A ka të drejtë populli ? Sigurisht, ky popull jemi dhe do pranojme zgjedhjet e tij. A është i mençur populli jonë ? Fakti që kemi qene të fundit dhe vazhdojmë të jemi të fundit në Europë tregon që jo

        Përgjigjjuni
        1. R
          Realisti

          E ke shume gabim, Shqiptaret nuk votojne Ramen sepse jane komuniste te majte por sepse nuk e shohin Ramen si lufte-nxites, e shohin si te keqen me te vogel perkrahesh Berishes, se me gjithe korrupsionin qe mund te jete shume prezent prape vendi ka nje lloj zhvillimi. Shqiptaret duan paqe, duan zhvillim dhe nese nje parti me e mire qe e verteton veten qe eshte antikorrupsion, ajo do fitoje sapo ta provoje me vepra qe e kane seriozisht luften e tyre ndaj korrupsionit. Blendi Kajsiu ka bere nje analize shume te mire, ka harruar vetem te shtoje akoma me shume fakte qe mbeshtesin antikombetarizmin e tij, autoriatarizmin dhe bindjet anti-demokratike te tij, korrupsionin e tij te pamase sidomos pas fitore me propaganden e luftes kunder korrupsionit. Do e shohesh sa do rriten partite e reja te vogla nese i adresojne keto gjera gjate kesaj kohe ne parlament dhe pertej. Demokratet me Saliun ne krye kane sjelle shkaterrimin e ketij vendi dhe nderkohe jane ata qe e nxijne me shume vendin tek te huajte, qofte me cfare iu thone atyre, qofte me cfare bejne. Imagjinoni nje anetar te familjes qe shkon dhe shan familjen e tij tek komshiu me i edukuar duke u sjell si idiot e sharlatan sa respekt ngjall per veten tek komshiu? Ja keta jane demokratet. Socialistet nuk duhet te fitojne me dhe duhen pare me lupe ne cfare po bejne dhe te lufyohen ne korrupsionin e tyre te perceptiar dhe te vertete por PD duhet minimizuar komplet ne influencen politike, sepse vetem demokratike dhe pozitive nuk eshte ne ndikimin e saj. Qe Berisha nuk do te zbrese nga kali nuk ka nevoje per shtjellim se e shohim vete te gjithe, 80 e me shume vjec dhe akoma ne krye te PD=se

          Përgjigjjuni
          1. E
            Erdogan

            Po cfare i majte eshte Rama dhe qeveria e tij o Blendi? Ti jeton ne shqiperi apo bredh neper bote me cruise? Apo mos je i izoluar ne ndonje burg ne Europe apo Azi? Populli nuk ka alternative deri me tani! Pra alternativa Berisha eshte me e keqe se alternativa Rama. Ky eshte perceptimi i shumices se votueseve. Pra vazhdojme te votojme mbi bazen e se keqes me te vogel. Gjithashtu sistemi zgjedhor qe kemi, me i poshtri ne planet, nuk i mundeson votueseve te votojne alternativa te tjera opozitare pervec PD-se, sepse ju shkon vota dem, sic me shkoi mua qe votova Z. Qorri, i cili do te perfaqesohet ne parlament me vetem 1 deputet; e keshtu me radhe edhe disa parti te tjera start-up.

            Përgjigjjuni
            1. T
              Tao

              @Blendi, shoku nuk lidhet me popullin e majtë a jo, se ne vitin 2005 u bë rrokada dhe erdhi në pushtet Saliu i dytë. E vërteta është që Rama është kafshë politike me një staturë që nuk mund të sfidohet kollaj nga të gjithë ata që janë në politikë. Mbi të gjitha është lokomtiv që tërheq pas 500 vagonë nga pas, gjithmonë duke rigjeneruar vetëveten. Që kur u bë kryetar bashkie në vitin 2000 tregoi vizionin e tij se si mund të bëhet shtet, pavarësisht kostove politike që mund ta shoqëronin. Si mund të krahasohet vizioni i Ramës që pastroi Lanën dhe Parkun Rinia veç ca vite pasi kish ndodhur 1997, me vizionin e Sali primitivit që deri në vitin 2013 i lyente shkollat, godinat e institucioneve, madje dhe shtyllat e ndriçimit me bojë blu. Të tjerët nga partitë e reja mund të jenë burra të mirë në teori, por s’kanë kapacitet t’i zbatojnë teoritë në praktikë. Eksperimente me populistë ka bërë edhe Greqia me Italinë, por dështuan me sukses si Syriza, ashtu dhe Cinque Stelle. Ça fituan vendet, veç stanjacion dhe nga kriza në krizë politike. Nejse, shkëmbejmë mendime fundja.

              Përgjigjjuni
            2. A
              Antoni

              Një analiz shum e sakët,fushata kësaj here posht nivelit të votusëve.

              Përgjigjjuni
              1. p
                paragrafi i fundit

                Paragrafi i fundit i shkrimit i thotë të gjitha.

                Përgjigjjuni
                1. F
                  Futja vetes

                  Bravo Albania ne BE NE VITIN 2030 TE MOS NGELE ASNJË SHQIPTAR NE SHQIPERI TE VIJNË TE HUAJT TA ZBUKUROJNË. SHQIPERIA PA SHQIPTAR ,MUND TE BEHET BUKUR SJEMI TE ZOTE TE MARRIN TE TJERET

                  Përgjigjjuni
                  1. Z
                    Zaho Rama-Regjenti

                    Po po ne BE = ne Bythe te Edit

                    Përgjigjjuni
                  2. A
                    Aa

                    Ke thene shume. Por mendoj qe ne kete llogjike,nje pjese jane krryesore , nje pjese nuk per bejne argument domethenes. Une do te shtoja me shkonja te medha kush ishte perballe edi rames , Saliu, Iliri , Noka, paloka, Bardhi,Vokshi, etj. , nje parlament ku digjeshin karriket, saliun duke pellitur nga ballkoni , sulmin mbi shqup-in . …

                    Përgjigjjuni
                    1. M
                      Mara emigrante ne Itali

                      Pirdhno se liroheni o komentues , sa per hajdut Rama nuk eshte akuzuar dhe mbi te nuk ka ndonje akuze . Ju niseni nga akuzat qe I ka bere saliu si kriminel qe eshte qe duan ta bejne pis me do e mos .Mos u merni me pallavrave te saliut .

                      Përgjigjjuni
                      1. E
                        Emigranti i vjeter

                        Kjo analize e komplikuar nuk i sherben PDs ose Shqiperise ne kuptimin e shtetit te se drejtes ose dhe zgjedhjeve. Partia Demokratike ka qene dhe eshte nje parti horrash ne udheheqjen e saj qe ne gjenezen e formimit. Aty ke pasur mafiozin Azem Hajdari, kriminelin dhe te korruptuarin psikopatin Ssli Berisha, mafiozin tjeter Alessandra Meksi qe bashke me Saliun vodhen te gjitha parate e firmave piramidale pasi lejuan e inkurajuan ato ne menyre kriminale, Gramoz Pashkon nje debil me sindrome budallai qe dukej qe ne surratin e tij pa permend or ketu keta horrat e tanishem qe nga Vokshin, Noka e Paloqja prandaj shpesh degjojme qe populli ne Shqioeri voton majtas dhe kjo eshte me se e vertete se te djathten ne Shqiperi e kane zaptuar me horrat qe cuditerisht kane qene po ashtu horra te majte me perpara. Por me kryesorja eshte qe PDn e udheheq nje komunist I ndyre kriminel qe eshte Sali Berisha qe une ve bast qe 75% ose ne shume e popullsise e ka alergji ti shikoje surratin dhe jo me ta votoje. Problemi eshte ne PD qe sta vete nuk ngrihen ta heqin kete monster nga PD. E vetmja shores eshte Jorida Tabaku kryetare e PDs.

                        Përgjigjjuni
                        1. C
                          Cfurku

                          Të shkruash shkurt kërkon më shumë kohë se të shkruash gjatë.

                          Përgjigjjuni
                          1. V
                            V

                            Shkurt... Saliu eshte pjella me e keqe qe ka nxjer toka shqiptare,ndertoj dhe drejton nje bande kriminale me emri PD. Burgimin e perjetshem e ka pak.

                            Përgjigjjuni
                            1. S
                              Shqiptari gomari

                              Shqiptari vuan pak nga semundja e trallekut . Nje nje shoqeri te kultivuar bolle te shikoshe foton me diktatorin Hoxha apo foton me femijet e diktatorit Hoxha ne Drilon duke i lexuar pak CV si sekretar PPSH , doktor shurre i Hysni Kapos ky insekt nuk votohesh. Pastaj te kalojme te firmat piramidale te vjedhje zgjedhjesh korrupsion rrenim i shtetit 1997 , grusht shtetii 1998 , Gerdeci kater te vrare para kryeministris, shitje deti Greqis , perkrahje e hapur e terroristit Frédi Shehu tregone paster sa débile jane shqiptaret. Edhe ky qe kerkone te analizoje humbjen apo fitoren e Berrishes eshte po aq trap sa trapdt e tjere shqiptar. Berrisha eshte krye kriminel tradhetar spiune i vendit , ky emer duhet te fshihet nga historia e jo te komentohet humbi apo fitoje

                              Përgjigjjuni
                              1. X
                                X

                                Kur themi Saliu nenkuptojm anarshi shkaterrim dhune fizike e verbale kunder kundershtareve politik,deri vrasjet,shkurt,shemti urbane dhe morale.

                                Përgjigjjuni
                                1. P
                                  Popull

                                  Bravo ,@Dakord..! Analiza më lart të cilën e lexova me vëmendje është ajo çka duket,pra maja e ajzbergut dhe në këtë konteks konstatimet mbi pozicionet,sjelljet dhe qëndrimet e Berishës dhe Ramës ,si krerët e dy forcave politike PD dhe PS,janë përcaktuar drejt,por kjo e marre te mirqene si në kushtet e një situate politike normale ,në një ambient normal,ku këto forca përfaqësojnë vêrtetë të majtën e të djathtën dhe ku klima e integritetit politik është në lartësinë e duhur dhe po ashtu rivaliteti politik në një garë të barabartë ,ku jo vetëm këto dy parti,por edhe çdo parti tjetêr .apo të re në garë ,hedh idetë dhe alternativat e saj ‘fituese’. Por a është vërtetë kështu..!? Ma besoni ,që shumica ia bëjnë këtë pyetje vehtes dhe askush nuk i jep përgjigje publikisht,por në heshtje e nëpër dhëmbë të gjithë belbëzojnë dhe të gjithë,apo shumica nuk janë dakort me asnjë nga dy forcat kryesore politike. Dhe në fund shkojn tek kutia e votimit për të zgjedhur ‘të keqen më të vogël’,se në këto kushte s’dinë kujt t’ja japin. Por njerzit vazhdojnë ‘nëpër dhëmbë’ akoma të thonë,-‘Po pse kështu do të votojmë ne gjithmonë ‘..!? Z.Kajsiu, a mund ti japësh përgjigje kësaj pyetje të shumicës së shqiptarëve.që e dinë që janë të papërfaqesuar,por vazhdojnë akoma të votojnë ‘për të keqen më të vogël’.!? Unë ia kam dhënë përgjigje vehtes ndaj kësaj pyetje,por përgjigjen unikale të saj e mora nga një plak 96 vjeçar ,të cilin e takova rastësisht tek parku i liqenit artificial. Pasi e pyeta ,se a mbahej? Ja,më tha,si 96 vjeçar vazhdoj të shoh dhe ‘gallatën’ e këtij mileniumi të ri. Aq pata unë dhe fillova ta zhbiriloj. Më tha ,se ka qënë partizan ne Brigadën e 12 sulmuese në moshën 14 vjeç dhe kam shkuar të luftoj në çdo aksion në brezin e parë të frontit,se isha i hedhur ,pêr 17-18 vjecar dhe jo për moshën ,ku nëna më la 8 vjeç dhe unë si më i madhi duhet të mbaja dy vllezrit dhe motren time më të vegjel. E pyeta,se ç’thua për politikën e sotme dhe a ka demokraci në Shqipëri tani!? Më tha,demokracia është shtet ligjor,që nënnkupton drejtêsi,paqe,që do të thotë liri e vërtetë dhe jo padrejtësi,frikë,dhunë dhe prag lufte. Përderisa shqiptarët ikin nga vendi i tyre në masë,do të thotë ,se qeveritë nuk punojnë për ta dhe fasada qe trumpetohet si sukses,është thjesht mënyra per të ruajtur pushtetin dhe gjithçka tjeter ,infrastrukturë për të jetuar shtresat e reja të pasura me privilegjet e tyre. Më thuaj ,a e blen sot ,-më tha,- nje qytetar një apartament në Tiranë..!? E pra jo,por pas kësaj mund të deshifrish më mirë politikat e gabuara të qeverisë. Si i shikon zgjedhjet ne Shqipëri,- i thashë.!? Ai më tha teksualisht kështu;-“nëse drejtësia do të funksiononte,Berisha do te ishte në burg i dënuar dhe jo për ‘qoka’ dhe kjo do çlironte politikën,nga marrja peng dhe në garë alternativat e hedhura do të ishin të barabarta,ku PS e Ramës do bënte katarsis me Ramën dhe edhe ajo do çlirohej më në fund prej klimês mbytëse e aspak demokratike me dominimin e frymês autokratike të tij dhe do dilte dhe ajo PS e vërtetë që ka qenë,ku baza vlonte nga diskutimet.Po them,-shtoi plaku,- “se nuk do kishte më shans të fitonte ‘e keqja më e vogël’,pasi nga politika largohet Berisha si e ‘keqja më e madhe’,por nga ana tjetër kjo mund të ndihmonte PD tê rilindë dhe të fitojë seriozisht ,nëse shpalos alternatia dhe jo ‘sulm’ ndaj drejtësisë për të nxjerrë Berishën nga burgu” E kuptove tani ,-më tha..!? Qesha dhe ja ktheva,- se jam i bindur qê shumica e shqiptarëve mendojnë në këtë mënyrë,por si duket nuk janë pjekur kushtet edhe pas 35 vjetësh ‘demokraci’.

                                  Përgjigjjuni
                                  1. I
                                    I pagabueshmi

                                    E keqja me e madhe e Shaiperise Berisha prej vitit 1939!

                                    Përgjigjjuni
                                    1. U
                                      Une

                                      Je lodhur kot kaq gjate,Berisha donte ato aq mandate per te bere qokat,gjate ketyre 4 viteve marrin e ndonje tender a leje ndertimi se helbete sdo i lej thate fare qeveria dhe ata.Keshtu jan bere pazaret shume me heret qe me kodin, perderisa nuk ka hapesir asnje parti e re do qeverisin keta,kush eshte me energjik do bej pushtet in,kush do te clodhet do rrij njeher per njeher sdo merret me pushtet.

                                      Përgjigjjuni
                                      1. Z
                                        Zhan Valzhani

                                        Nje analize teorikisht e pranueshme, por qe calon ne shume aspekte praktike, te cilat jane me te prekshme per votuesin. Nuk eshte thjesht zgjedhja e te keqes me te vogel nga populli, por kundershtim ne mase i Berishes e i berishizmit per bemat dhe gjemat e tij. Askush ne kete vend nuk harron qendrimet e Berishes ndaj UCK-se dhe thirrjet per te mos nenshkruar marreveshjen e Rambujes. Te gjithe e mbajne mend kontrabanden e naftes me Miloshevicin. Eshte e njohur boterisht dhe e dokumentuar vjedhja masive e votave me 1996, si dhe vjedhjet dhe dhuna berishiste ne te gjitha zgjedhjet e tjera. Njerezit nuk i harrojne skemat piramidale qe cuan ne ngjarjet tragjike te v. 1997, kur shteti ra dhe humben jeten mijera veta, nuk harrojne as grushtin e shtetit te v. 1998. Jane te fresketa ngjarjet tragjike te Gerdecit e 21 janarit, per te cilat nuk eshte bere ende drejtesi etj. Pra, ketu nuk behet fjale per te zgjedhur te keqen me te vogel, por per te kundershtuar nje njeri qe ka bere veprime makabre ne kete vend. Nga ana tjeter, imitimi qesharak e grotesk i slloganeve te Trampit nuk ngjiti ne popull. Edhe njerezit qe ofroi si kandidate per deputete ishin pergjithesisht te konsumuar, medioker e pa personalitet. Gjithsesi, fraza e fundit e analizes eshte kuintesenca e nje analize te tille: "E gjitha kjo sepse halli ishte te non-grata dhe jo tek fushata. Kjo është tragjedia e një partie politike që fushatën elektorale nuk e ndërton për të mbajtur votuesit, por për të mbajtur kryetarin."

                                        Përgjigjjuni
                                        1. O @Zhan V….,’e keqja më e vogël’ është vota kundër Berishës..

                                          Përgjigjjuni
                                          1. D
                                            Dielli

                                            Fitorja e Ramës është njejt si fitoret e Shokut Enver,metoda s njejt,partia e njejt,populli i njejt,mashtrimi i njejt.Një ndryshim i vogël,megjithatë ekziston:Enveri bëri fabrika,shkritore,rafineri nafte,hidrocentrale,Ushtri,etj.ndersa Rama mbjell drogë fitonë lekë,nderton hotele në bregdet,vin të huajt nxejn k.qet,largoi gjysmën e shqiptarëve nga atëdheu etj etj.Ndersa të përbashkët Enveri dhe Rama kanëtë përbashkët luftën e pa kompromis kunder kundërshtarëve me të gjitha format dhe metodat,dhe orientimin pro sllav.Enveri me Rusinë ndersa Rama me të bijën e saj,Serbinë.

                                            Përgjigjjuni

                                            Lini një Përgjigje