
“Pse vonohemi kur e dimë fundin?”, pata shkruar me 11 mars të këtij viti. Nuk kam thënë “e di”, por “e dimë”, sepse procesi i njohjes në këtë situatë nuk përbën ndonjë qasje ekskluzive në informacione sekrete, por një racionalizim deduktiv nga observimi i vëmendshëm, mundësi nga e cila nuk është i përjashtuar askush me pak kureshtje për të vërtetën.
Prandaj, kur të vërtetën e kemi kaq zbuluar, është i pakuptueshëm diskursi publik që ndërtohet nga kombinimi i gënjeshtrave të qëllimshme nga politikanët dhe i injorancës së fajshme nga pjesa dërrmuese e folësve publikë.
Është e pafalshme mungesa e vetëdijes për privilegjin e platformës publike që i ofrohet secilit për ta keqpërdorur me sigurinë e padijes.
Atëherë çfarë ndodhi të martën në Bruksel?
Dje është bërë hapi i parë, është përmbushur kushti i përcaktuar me marrëveshjen e vitit 2015, që ekipi menaxhues të prezantojë një draft statut.
Askund nuk shkruhet dhe askush s’ka thënë – e nuk është as në Planin e Zbatimit të vitit 2013 – që ky draft duhet të pranohet nga Qeveria e Kosovës.
Ajo çfarë ndodhi dje është që të dyja palët prezantuan idetë e tyre. Serbia prezantoi konceptin e vet mbi atë çfarë duhet të jetë Asociacioni, ndërkaq Kosova prezantoi vizionin e saj mbi atë çfarë Asociacioni nuk mund të jetë.
Gjithkush duhet ta ketë të qartë, Asociacioni nuk do të plotësojë dëshirat e palëve, por do qetësojë frikën e tyre.
Plotësimi i dëshirave nuk është qëllimi. Për dëgjuesit e vëmendshëm, ndërkombëtarët na kanë thënë qysh në letrën e parë të Macron e Scholz se zgjidhja kërkon kompromisin e dhimbshëm. Pra fundi është një minimale e pranueshme dhe jo një maksimale e kërkuar.
Siç e keni parë, ekipi menaxhues i përberë nga serbë të Kosovës është liruar nga detyra, sepse tani e tutje procesi nuk ka nevojë për ekipin menaxhues, por ka nevojë për përkushtimin e palëve, në nivel politik dhe teknik.
Pas dëgjimit të palëve tani është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar që të gjejë mesin e pranueshëm në mes të dy qëndrimeve të kundërta.
Edhe pse politika gjithmonë paramendon qëllimin dhe jo specifikat dinamike të rrugëtimit, nëse gjithçka shkon sipas planeve, deri në fund të muajt maj Kurti e Vuçiç do ta kenë në tryezë një dokument që detyron lëvizje koke vertikale nga të dy.
Kur korniza e vizionit ndërkombëtar mbi Asociacionin do t’iu prezantohet Vuçiç-it dhe Kurtit, gjërat do të marrin një rrjedhë më dinamike, me synimin që çështja e Asociacionit të përmbyllet, më së voni, deri në shtator.
Në një pikë përgjatë këtij procesi duhet që Beogradi të këshillojë serbët e veriut të Kosovës të kthehen në institucione. Është e kotë të flasim për Asociacionin, nëse katër komunat e veriut vazhdojnë të kenë kryetarë shqiptarë, apo nëse – huazoj këtu përshkrimin e kryeministrit të Kosovës – “kryetarë jo normalë”.
Zgjedhjet e reja duhet të shpallen për më së voni në tetor 2023.
Komuniteti ndërkombëtar i ka gjërat e qarta dhe nuk do të lejojë që procesi të dalë nga binarët.
Brukseli zyrtar, nëse lexoni deklaratat dhe përtej tyre mimikën e Josep Borrell në paraqitje për media pas takimit, është në timing-un e vet dhe më e rëndësishmja, palët po negociojnë brenda logjikës dhe hapave të përcaktuar nga BE-ja.
Beogradi tashmë e di që procesi rreth Asociacionit nuk është një fontanë dëshirash serbe, ndërkaq Prishtina tashmë e ka të qartë që nuk jemi duke folur për OJQ e gjëra të tjera banale.
I pëlqeu apo nuk i pëlqeu Prishtinës, serbët e Kosovës do të sigurojnë një formë të vetëqeverisjes (më shumë se komunë dhe më pak se një entitet i veçantë) si formulë për paqe të qëndrueshme në veriun e Kosovës.
U pëlqeu apo jo shqiptarëve në Kosovë, zgjidhja do të vije përtej Kushtetutës së Kosovës, por kjo nuk duhet të demonizohet akoma pa u kuptuar.
Ekspertët s’do ta kenë fare të vështirë që kur të gërmojnë nëpër konventat e ndryshme ndërkombëtare që i kanë votuar deputetët e Kosovës pavëmendje, të gjejnë një sish të tilla që rregullojnë çështjet e minoriteteve brenda shteteve demokratike.
Në ditët në vazhdim do të dëgjoni shumë më shpesh fjali që fillojnë me “kartën evropiane për vetëqeverisje lokale…”
Gjithashtu, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu Beogradit, nuk do të ketë asgjë që ngjason me Republika Srpska-n.
U pëlqeu apo jo serbëve në Kosovë, në çfarëdo rregullimi të ardhshëm, ata sërish do jenë shtetas të Kosovës.
Opinioni i gjerë duhet ta kuptojë qartë dhe mirë: Nuk ka zgjidhje me polici dhe forca të armatosura për veriun e Kosovës!
Por, në këtë pikë të zhvillimeve duhet ta themi fuqishëm: nëse eskalimet ndodhin si pasojë e veprimeve të pamatura të Prishtinës, kjo do të çojë drejt ndarjes de-fakto të veriut të Kosovës. Dhe nëse eskalimet ndodhin për shkak të veprimeve të pamatura të Beogradit, kjo do të çojë drejt forcimit të pranisë kosovare në veri.
“We are not fooling around!”.
Ndërkombëtarët me mjeshtri kanë ndërtuar një situatë ku pasoja palëve u vjen nga veprimi i tyre të cilin mund ta kontrollojnë dhe jo nga veprimi i palës tjetër mbi të cilën s’kanë kontroll.
BE-ja në anën tjetër, deri më tani i ka mbajtur premtimet. Kosova ka parë brenda muajsh përparime që s’i ka pasur as brenda vitesh në rrugëtimin për integrim.
Liberalizimi i vizave, përshpejtim i procedurës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, relaksim i qëndrimeve të Greqisë dhe Spanjës dhe funksionalizimi i marrëveshjeve të Mobilitetit si derivat i Procesit të Berlinit janë vetëm disa.
Do të pasohen me njohje të pasaportave nga Spanja më së largu deri në muajin tetor, menjëherë pasi – ashtu siç e parasheh Marrëveshja Bazë – Serbia do t’i njoh pasaportat e Kosovës dhe anëtarësimin e plotë në KiE më së largu në marsin e vitit të ardhshëm. E gjithë kjo nuk është renditje e rastësishme e yjeve, por shpërndarje e karotave për konstruktivitet.
Pasaportat e Kosovës jo vetëm që do t’i njohin, por edhe do pajisen me to serbët e Kosovës, të cilët ndryshe e kanë të pamundur ta përjetojnë liberalizimin e vizave, meqë pasaporta si shtetas serb duke jetuar brenda territorit të Kosovës nuk iu vlen në Zonën Schengen.
Përtej kësaj dhe mbase më e rëndësishmja në planin afatgjatë, Serbisë – më saktësisht Vuçiç-it – i është bërë e qartë se data e fundit për shkoqitje përtej se deklarative nga Rusia është ajo e Krishtlindjeve të ardhshme.
Evropa dhe Amerika s’falin tolerim as datë tjetër. Serbia përfundimisht përcaktohet nëse do ta shoh veten brenda Evropës, apo do ta shoh Evropën jashtë vetes.
Ata që përcjellin zhvillimet në Serbi dhe faktorët që ndërtojnë diskursin publik të diktuar nga qeveria serbe e dinë se atje po shkohet në drejtim të alternativës së parë.
Një tjetër punë paralele duhet të jetë de-toksifikimi i diskursit publik mbi atë se çfarë është krijimi i veglave autonome për komunitete brenda shtetit. Ballkanikët që synojnë Evropën duhet edhe ta kuptojnë përgjegjësinë e të qenit evropian.
Pothuajse s’ka shtet në Evropë që ndonjë rajon s’e ka të rregulluar me status të veçantë dhe autonomi për pakicat në nivele të ndryshme. Disa me autonomi të niveleve kulturore e të tjera politike, ato përbëjnë trashëgimi të asaj që sot njihet si vlera evropiane.
Autonomia, në Evropë, nuk nënkupton tendencë për shkëputje nga shteti, por pikërisht të kundërtën – shprehje e vullnetit për të qëndruar brenda një shteti që të pranon si të ndryshëm, pasi të krijon mundësinë për të qenë i barabartë.
Të drejtat e veçanta dhe mekanizmat e komplikuara juridikë për sigurimin e barazisë, përtej se rregullime procedurale, janë dispozita që fillimisht jepen me vullnetin e shumicës, pikërisht për të garantuar pakicat që siguria e tyre në të ardhmen të shkoj përtej disponimeve politike të kohës.
Këto rregulla janë evolutive dhe u përgjigjen nevojave, prandaj edhe janë në ndryshim të vazhdueshëm progresiv – formulohen nga ekspertët, implementohen nga politikanët dhe jetësohen nga qytetarët.
Në hapësirën tonë ballkanike ekspertë për të formuluar nuk ka, prandaj ka propagandë në vend të zbatimit dhe njerëzit jetojnë vetëm mungesën e tyre.
Evropianët e kanë parë që ne nuk dimë, prandaj po na ndihmojmë. Në momentin që e kuptojmë edhe ne padijeninë tonë, do të ndihmonim shumë evropianët.
E di fare mirë se kjo nuk është e vërteta e një numri të madh qytetarësh në Kosovë të manipuluar nga kryeministri Kurti.
E di edhe se një pjesë tjetër – opozita dhe përtej saj – që e ka hetuar mashtrimin e tij dëshiron që të koncentrohet në theksimin e këtij mashtrimi.
E mirëkuptoj gjithashtu edhe revoltën e secilit që është irrituar nga ky mashtrim që po vazhdon, por opozita dhe të gjithë duhet ta kenë fare të qartë se mirëqenia jonë dhe ikja nga problemet anakronike njëherë e përgjithmonë është tejet më e rëndësishme se potencimi i mashtrimit të një politikani që njerëzit do ta harrojnë me kohën dhe vetë koha do e lë prapa.
Ai do të gjendet vetëm si nënshkrim burokrati në arkivat e parëndësishme të shtetit.
Kurti nuk e ka kuptuar pafuqinë dhe mungesën e rëndësisë që ka, ne s’duhet ta bëjmë gabimin e tij.
Qellimi i serbeve eshte qe asociacioni te jete i ngjashem me republikën serbska kurse me te drejte kerkon nje komunitet ngjashem me Serbet e Kroacisë dhe parashtrimi i Kurtit i jep shume pavaresi dhe vetevendosje ne kuadrin e kushtetutes se Kosoves.Shpresa eshte se tutoret perendimore nuk do te lejoje Serbet t'a mbajne veriun e Kosoves gjithmone ne gjendje lufte.
Ata qe kane inat Kurtin, i fryjne asociacionit sipas oreksit serb, gje qe nuk duhet ta beje askush,as media as nje politikan shqiptar, ndryshe jane agjente te serbise. Eshte momenti kyc qe cdo institucion e cdo njeri qe ka gjak shqiptari,, te ngrihet ne mbrojtje te Kosoves dhe te denoje politiken prej ujku te Serbise dhe te nderkombetareve frikacake "dele dele mos turbullo ujin"
Ke bere nje shkrim shume hulumtues dhe te verte. Bravo! E vetmja qe do komentoj eshte se me sa duket Albini eshte jashte loje. Ai thjeshte vazhdon me politikeat e tij populiste per ti pelqyer rrumpalles kosovare. Ai ben sikur do bej dicka dhe hiqet sikur eshte i "forte'" Nje element shume ordiner per te kuptuar kete politike te Albinit qe nuk ka lidhje dhe prosperitetin e Kosoves, por me Albinin dhe karieren e tij eshte edhe "keqekuptimi" i tij i vazhdueshem me perendimin. Psh kur Eskobar dhe Borel i sugjeruan Albinit te zgjithte nje model qe eshte ne fuqi ne Evrope, Albini e kundershtoi dhe propozoi nje varjant "populist" qe thjeshte ishte kenga e "Gjelit shqirak" maje plehut. Ai tha qe Albini vet do e ndertonte modelin dhe ne baze te ketij modeli qe do ndertonte Albini duhej te diskutonte edhe Vuciqi!!!! Tere idjotet e Kosoves thirren Urrraaa, per Albin komunistin qe po i tregon vendin imperializmit amerikan dhe degjenerimit evropian. Ai hiqej sikur nuk kuptonte se propozimi qe beri Boreli dhe Eskobar kishte pikerisht synimin qe te "cfuqizonte" marreveshjet e tjera dhe qeverite e meparshme te Kosoves dhe te ishte Albini ta niste nga e para biseden. Praktikisht nqs Albini do kish pranuar qe te perdorej modeli i marreveshjes midis Serbise dhe Kroacise, drejtimi i bisedimeve do ishte drejt nje marreveshje te ngjashme dhe praktikisht do ishin eliminuar keqekuptimet me te shkuaren dhe sidomos do ishte "cfuqizuar" ekipi menaxhues. Keto kakerdhi te Albinit paten si pasoje qe Kosova hengri nje "thike" ne brinje, sepse bisedimet filluan me draftin e ekipit manaxhes, te perbere nga serbet e Kosoves. Albini si kunderpergjigje paraqiti planin e vet, te cilin asnje nuk ja kerkonte ne ate moment. Ai vetem sa ne nxitim e siper djeg etapat dhe nxjerr sekretet ne shesh. Ai kete plan duhej qe paraprakisht ta diskutoje me miqte...etj...etj por Albini nuk ka kete axhende. Ai vazhdon te hiqet si i "forte", per tu pelqyer trushpelareve te tij. Ai nuk ben dipllomaci por rrumpallizem. E vetmja shprese per Kosoven, i dashur Baton eshte pikerisht ajo qe mendon edhe ti. Eshte Evropa dhe Amerika te cilat do e kishin me te lehte te realizonin politiken e tyre pro Kosoves pa Albinin. Albini vetem sa u ngaterohet neper kembe, duke e veshtiresuar "luften" e perendimit me Rusin...
Me gjithe deshiren e Batonit, kryeministri Kurti vazhdon te jete i pelqyeshem ne kosove dhe ka treguar se eshte nje bashkebisedues dinjitoz ne raport me serbet. Shkrimi ne formen e kohes se kryer ka ne thelb nenshtrimin e Batonit ndaj historise 100 vjeçari te nje te roberuarit. Une kam bindjen se repubilka e Kosoves çdo dite po fuqizohet dhe serbet perdite e me shume jane larg deshires se tyre per te rikthyer koloninine e tyre.