Perëndia është horizonti që nuk duhet humbur në oqeanin e jetës

27 Maj 2022, 11:18Blog TEMA

Perëndia është horizonti që nuk duhet humbur në oqeanin

Nga Ylli H. Doçi, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë*

Njeriu është i pashërueshëm në tendencën për të madhëruar veten në kurriz të të tjerëve!

Në këtë përpjekje të pandërprerë njeriu është gjithashtu i pashërueshëm në aftësinë për të justifikuar veprimet e tij, duke përdorur çdo lloj arti dhe shkence apo fe, moral e ideologji.

Kjo është arsyeja pse duhet të zgjohemi herë pas here nga gjumi i iluzionit që njeriu tashmë është ngritur në një shkallë më të lartë të ndërgjegjes dhe nuk mund të bëjë ato akte çnjerëzore që kemi parë në histori (siç është tmerri i holokaustit të luftës së dytë botërore).

Duket se brezi ynë, që nuk e jetoi holokaustin, apo “kasaphanën e njeriut” në Gjermaninë Naziste, duhet të përballet përsëri me të njëjtën mizori ndaj qenieve njerëzore tashmë të menaxhuar edhe dixhitalisht. Pamja në një rrugë të Brukselit, ku nga 40 prostituta 39 ishin shqiptare, mjafton për mua të revoltohem për atë tregti që po shkatërron jetën e njerëzve të mi sot.

Është shumë e natyrshme për njeriun të gjejë shpjegime dhe ta justifikojë këtë gjendje; disa thonë është varfëria, disa thonë është tranzicioni, disa thonë është edhe profesion prostitucioni, por kjo është ajo që unë e quaj “humbja e horizontit”: humbja e pikës se referimit për të gjykuar të mirën dhe të keqen.

Humbja e horizontit, apo humbja e kuptimit për të keqen, në përpjekjet justifikuese të njeriut është një nga humbjet më të mëdha.

Po shikoja diku një program që propagandonte “dorëheqjen nga antropocentrizmi”, apo dorëheqjen nga ideja që njeriu është në qendër të universit, dhe kuptimi këtu është që njeriu është i barabarte me lopën, apo me derrin, apo me insektet, apo edhe me një pemë, apo me një gur; thjesht një konfigurim tjetër molekulash të njëjta, që i gjejmë kudo në natyrë.

Janë pikërisht ide të tilla që duken novatore, që duken se po kujdesen për kafshët dhe bimët për të respektuar jetën në çdo shfaqje të saj, ato që kanë sjellë në krijimin e mundësive për ta trajtuar edhe njeriun si një lopë, apo si një derr, apo si një pulë, apo si një zog, apo si një insekt.

Një nga gjërat me të çmuara që ka njeriu në këtë botë, është moshumbja e standardit dhe e shpresës së dinjitetit njerëzor.

Është pikërisht në këtë situatë, kur e keqja që dukej se ishte burgosur një herë e përgjithmonë në kujtesën e historisë na përplaset po aq e tmerrshme në fytyrë në forma të përditësuara (tregtia e qenieve njerëzore sot), që duket qartë kontributi i pakrahasueshëm i botëkuptimit besimtar në hyjnoren: Standardi për matjen e njeriut nuk është një marrëveshje e njerëzve se çfarë vlere mendojnë ata qe duhet të ketë jeta njerëzore, por është rezultat i realitetit të qenit në botën e Mbretit të Universit që e krijoi njeriun si kurorën e gjithë krijesës.

Gjermania Naziste pikërisht filloi me kuptimin e evolucionit njerëzor, si një proces përmirësimi nga fazat primitive dhe njerëzit e pagdhendur tek zhvillimi që dallohej tek bukuria dhe arritjet e racës Ariane dhe thjesht po shpejtonte këtë proces evolucioni duke eliminuar mundësinë e ndërveprimit me speciet inferiore, që do pengonin zhvillimin e mëtejshëm. Prandaj ata u përkushtuan ta bëjnë këtë eliminim në mënyrë shkencore, të rregullt dhe sistematike, madje duke nxjerrë ligje sipas procedurave administrative të shtetit tashmë të bindur dhe të përkushtuar për këtë evoluim biologjik racor.

Kjo është arsyeja që, kur në vitin 1945 Aleatet fitimtarë të luftës së dytë i nxorën në gjyqin e Nurembergut këta administratorë shtetërorë të holokaustit, u justifikuan duke thënë praktikisht: “Ne kishim ligjet e shtetit tonë dhe ju keni ligjet tuaja, por nuk është e drejtë qe ju të na gjykoni me ligjet tuaja vetëm pse ju fituat luftën; pse qenka ligji juaj më i mirë se i yni?”

E vetmja përgjigje që ekziston për të mbyllur gojën e një justifikimi të tillë, të trajtimit të njeriut si orendi arredimi çfarëdo në hapësirën tënde të administrimit, ishte përgjigjja që ju dha në Nuremberg Nazistëve, që: “ka një ligj përmbi çdo ligj njerëzor; ka një ligj të shkruar në zemër nga Perëndia. Ky është ligji që gjykon ligjet e çfarëdo shteti.”

 Nuk kishte “karte të të drejtave të njeriut” dhe as Kombe të Bashkuara në atë kohe prandaj në fakt u pa e nevojshme që këto standarde të sanksionoheshin dhe qartësoheshin. POR sot ka ardhur përsëri koha të shohim pse janë këto standarde? Sepse një grup njerëzish u mblodhën në vitin 1948 dhe i shkruan këto? Kush u jep vlerë këtyre standardeve? (Këto standarde nuk ishin “një tjetër ligj njerëzor” por u shkruan si dëshmi e vetëdijes së përbotshme njerëzore për këtë ligj hyjnor).

Perëndia, që ka folur qysh nga fillimi i historisë dhe që flet në ndërgjegjen e çdo njeriu gjithashtu edhe sot, është arsyeja e dinjitetit të njeriut dhe përcaktimit çfarë është e mirë dhe e keqe si baza e vlerave.

Kuptimi i ekzistencës së një Perëndie krijues që përcakton dinjitetin e njeriut dhe përbën bazën e vlerave, është edhe mbështetja bazë ligjore që asnjë grup njerëzish, apo qeverish nuk mund ta cenojë këtë dinjitet pa sjellë mbi kokën e vet gjykimin që merituan Nazistet e shekullit të kaluar.

Perëndia është horizonti, që nuk duhet humbur në oqeanin e trazuar të jetës njerëzore edhe sot.

Kjo është arsyeja pse unë sot, si kryetar i Këshillit Ndërfetar, jam krenar të përfaqësoj vëllezërit e mi kryetarë të komuniteteve fetare në Shqipëri; si ata njerëz që ruajnë dhe kultivojnë për të mirën e gjithë shoqërisë kuptimin e bazës së vlerave të lidhura me Perëndinë, krijuesin tonë.

*Fjalim i mbajtur për skllavërinë e shekullit tonë në “Forumin e Lirisë Ballkanike”, Tiranë më 25 maj 2022.

1 Komente

  1. M
    Myslimani.

    Me nje fjale ke sqaruar teorine e materializmit. Teoria qe u rrezua nga shkenca 100%. Vetem naivet dhe mashtruesit mund ti kthehen prape kesaj teorie.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje