Finalja e Tiranës, një sukses i ri dhe ca halle të vjetra

26 Maj 2022, 10:57Blog Nga Skënder Minxhozi

Finalja e Tiranës, një sukses i ri dhe ca halle të vjetra

Kush thotë se finalja e Kupës Conference League mes Romës dhe Fejnordit nuk qe një sukses, thjesht gënjen veten dhe të tjerët. Ajo që shihej si një sfidë e madhe sportive, logjistike e njerëzore, rezultoi në një spot të shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë në botë. Një vend i vogël, një stadium i vogël, por një event i madh sportiv që i bëri nder Federatës Shqiptare të Futbollit, qytetit të Tiranës, policisë e institucioneve të shtetit e biznesit privat.

Kemi kaluar të gjithë një sfidë në të cilën fare mirë mund të kishin ndodhur probleme, përplasje, çorganizim e kaos, sepse jemi të pamësuar që të presim dhjetra mijëra tifozë të huaj brenda 48 orësh dhe t’i përballojmë ata me infrastrukturat e brishta që kemi. Gjithçka shkoi mirë dhe kjo na bën të ndjehemi të qetë teksa shohim dorëzimin e kupës në duart e Murinjos, në një stadium ku ekipi i fundit i madh që zbriti (me Ronaldon në krye) duroi ndër të tjera edhe fikjen e dritave në mes të ndeshjes!

E megjithatë Tirana dhe e gjitha zona e madhe demografike e ekonomike rreth saj kamufluan me mund, edhe me rastin e Finales së Kupës së Konfederatës, disa nga krizat e vjetra në komunikim e transport nga të cilat vuajnë prej kohësh që s’mbahen mend.

Ne shqiptarët nuk duhet të shpikim rrotën pas pesë mijë vjetësh. Duhet të bëjmë atë që bën e gjithë bota e zhvilluar, ku gjeografikisht na ka rënë për pjesë që të jetojmë: të çojmë zhvillimin, investimet, modernizimin dhe infrastrukturat, aty ku jeton shumica e popullsisë. Nuk duhet një shkencëtar raketash që të kuptosh se sot zona Tiranë-Durrës është zemreku ekonomik, social e demografik i shtetit. Sipas shifrave të vitit 2020 në këtë segment jetojnë rreth 1,3 milion nga 2.8 milion banorët që ka Shqipëria aktualisht. Pra 40% e vendit jeton në dy prej 12 qarqeve.

Kjo prezencë e madhe banorësh, biznesesh e aktiviteti social në harkun mes dy qyteteve, kërkon rrugë, struktura komunikimi, investime në energji, ujësjellësa, shkolla e spitale. Meriton absolutisht një linjë hekurudhore, me degëzim aeroportin e famshëm ku këto orë ka pasur flukse të jashtëzakonshme avionësh dhe udhëtarësh (176 fluturime brenda 24 orëve). Duhen pra infrastruktura të tilla që baseni Tiranë-Durrës, apo Durana siç e kanë quajtur, nuk i kanë.

Përtej një finaleje futbolli e cila është një ngjarje e jashtëzakonshme që zgjat vetëm dy ditë, këto orë mësojmë edhe një herë me pezmatim se qendra e shtetit, zemra e tij ekonomike, është e mbingarkuar dhe e ndërlidhur keq mes vetes dhe me pjesën tjetër të vendit.

Të shkosh sot nga veriu në jug duke kaluar nëpër nyjen Tiranë-Durrës vijon të jetë një sfidë për udhëtarët, turistët e bizneset. Duhet të bësh pirueta nëpër rrugë, kryqëzime e segmente të ngarkuara rëndë me trafik, të cilat kushtojnë të gjitha kohë, karburant e goma. Në tre dekadat e fundit kemi ndërtuar një rrjet superstradash e autostradash jo të këqia drejt jugut, por kur vjen puna tek lidhja e tyre me gjysmën tjetër të vendit, sharra ngec në gozhdë pikërisht aty ku duhet të ishte investuar më shumë në transport e komunikim: në pellgun Tiranë-Durrës.

Tridhjetë e ca vjet më parë qeveritë komuniste planifikonin një unazë të madhe për kryeqytetin, e cila edhe sot, pas kaq shumë kohësh, ka ngecur në mes, ndërkohë që trafiku është njëqindfishuar krahasuar me kohën e Adil Çarçanit. Sa punë do të kryente ajo unazë e përfunduar në një ditë si ajo e djeshmja?!

Shumë punë do të kishte kryer në fakt para dhe pas ndeshjes edhe një linjë hekurudhore mes Tiranës-Durrësit e Rinasit. Një projekt për të cilin Fatos Nano ka negociuar me amerikanët qysh në vitet e largëta 2003-2004, por që ende nuk egziston. Ndërkohë që Italia fqinje dhe Evropa bëjnë garë për linjat hekurudhore të shpejtësisë së lartë, këtu tek ne i kanë çuar me kohë shinat për skrap e nuk kujtohet askush të ndërtojë një metër hekurudhë. Jemi në mesjetën e thellë në këtë aspekt.

Patjetër që në një rast si ai i Finales do të kishte qenë mirë që kryeqyteti të kishte edhe një opsion tjetër transporti drejt Durrësit, siç është rruga e vjetër e Plepave, apo e Ndroqit, siç njihet. Me një autostradë të mbingarkuar e në gjendje aspak të mirë, ajo arterie do t’i duhej Tiranës jo vetëm për një ditë futbolli, por edhe për çdo ditë të javës dhe muajit, në sezone turistike apo ditë zakonshme. Sërish askush nuk kujtohet t’i hedhë një tapet asfalti atij segmenti, paçka se miliona hidhen nëpër pyje e male shpesh me ose pa kriter, siç është rruga e famshme e Qaf-Plloçës që nuk po mbaron kurrë prej më shumë se një dekade!

Duke ardhur rrotull nëpër hapësirën e madhe mes Durrësit e Tiranës, nuk mund të mos vesh re se diku në cep të saj, në Fushë Krujë, starton rruga kombëtare drejt Veriut të Shqipërisë, Kosovës dhe drejt bregdetit dalmat e Evropës. Kjo është gryka e shishes më e keqe dhe e bllokuar e të gjithë sistemit rrugor të Shqipërisë, është makthi i kujtdo që planifikon të kalojë aty sidomos në fundjavë e sezone turistike.

Një segment me dy korsi prej 6-7 kilometrash nga Fushë Kruja në Thumanë nuk është rastësisht edhe një ndër rrugët më vdekjeprurëse për udhëtarët e stresuar nga pritjet e gjata, por edhe një pengesë madhore për lidhjen mes dy gjysmave të vendit. Është krejt e pakuptimtë sesi mund të tolerohet që një segment kaq i shkurtër të shkaktojë kaq shumë stres, harxhim energjish e rrezik për jetët njerëzore. Është e pakuptimtë sesi askush në dhjetë vjetët e fundit nuk ka investuar diçka më shumë sesa projektet 3D në letër me autostrada e mbikalime moderne, ndërkohë që në realitet qindra mijë njerëz shtrydhen e digjen nga vapa në një copë asfalti të ngushtë që përbën sot turpin e sistemit tonë rrugor!

Këto halle të vjetra për fat nuk e penguan dot Finalen Roma-Fejnord. Një gjë shume e mirë që u shmang kaosi dhe kolapsi. Por kjo nuk do të thotë aspak se baseni më i madh ekonomik i vendit nuk lëngon në disa probleme të vjetra dhe të reja infrastrukturore, të cilat dëmtojnë standartin e jetës, performancën e bizneseve, turizmin e imazhin e vendit.

Nuk ka sens që Tirana të marrë ditë pushimi sa herë të luhet një ndeshje e rëndësishme apo të ketë një event madhor, vetëm që rrugët te jenë të lira e të mos pengohen mysafirët e huaj. Mund të ndodhë një herë po nuk është normale të kthehet në rutinë për shkak të mungesës së infrastrukturave. Qendra e Shqipërisë meriton të hyjë realisht në shekullin e 21!

11 Komente

  1. C
    Colombo

    Nje analize mjaft korrekte,dhe realiste!

    Përgjigjjuni
    1. L
      Like floriri

      Po banjo publike, nuk duhen? Ngeli populli duke u leshuar cepave e gropave...

      Përgjigjjuni
      1. K
        Kol Balla

        O Colombo cfare te terheq tek ky Keno Minxhozi se mua me duket si selçuk prej Bulqize?

        Përgjigjjuni
      2. X
        Xhaxhi

        Mire e ke o Mixhoz po ca te bejme duhet te zgjidhim hallin e Saliut edhe pas 32 vjeteve.. tufa e budallenjve qe i vene nga pas nuk do te dije per 'standartin e jetës, performancën e bizneseve, turizmin e imazhin e vendit" Keta nxijne nga surrati qe te gjithe e lavderuan stadiumin qe keta nuk lane gje pa thene. Si gjithmone asnjeher nuk mesuan dhe ngelen si muti ne shi.

        Përgjigjjuni
        1. S
          Skerdi

          Linja hekurodhore do zbuste shum trafikun, sidomos nqs do ishte menduar qe kur u be bulevardi i ri, te ruhej nje dalje nen tokesore ne Stacionin e vjeter te Trenit , do ishte ideale. Direkt nga Trageti ne qender te Tr.

          Përgjigjjuni
          1. p
            per sherbetoret e pushteteve ka vetem neveri

            Finalja e Kupes Konference League ne Tirane per turpin e madh nuk u transmetua per shqiptaret nga RTSH. Ky eshte sipas Minxhove sherbetore te qeverise, nje sukses!

            Përgjigjjuni
            1. S
              Sotiri

              Llafe vetem Llafe sikur cdo gje dote behet me urdherin e peshkut Ju i doni gjerat per 24 ore dhe nuk mendoni qe Shqiperia doli nga nje prapambetje shekullore ,kur Europa ecte me trena ,makina dhe me autostrada,mr retorante ,kafenera,e te tjera e te tjera Shqiperia nuk i kishte keto Tani doni per nje perjudhe te shkurter qe ti keni te gjitha ato qe bota i ka bere per qindra vite Mendje shkurter, dhe mendoni qe Shqiperia dhe ju jeni qendra e botes Gomarlleqe me bisht

              Përgjigjjuni
              1. © KENDVESHTRIM TJETER ©

                Aktivitetet e përmasave të mëdha kërkojnë infrastruktura funksionale. Për gjykimin tonë, duket se kemi bërë shumë,kjo vjen nga mungesa e përvojës. Jo vetëm treni, por dhe tramvaj , duhet në rrugën që lidh Durrësin me Tiranën . Normale që nuk do presim të ndërtojmë infrastrukturën,pastaj të zhvillojmë finalen! Europa e njeh Shqipërinë,ka inf. për zhvillimin, por do provoj dhe kushtet tona.

                Përgjigjjuni
                1. N
                  NAIMI

                  mor po ta nisin njihere, se as nder mend nuk e ka..

                  Përgjigjjuni
                  1. G
                    Gomari i Babatasit

                    Mos harrojme te dashur miq se brezi jone ka jetuar dhe epoken e hekurudhes shqiptare,ashtu si ishte por jo dhe fort keq per kohen.trenl levizte nga tirana ne vlore,durres,shkoder,pogradec,pa permendur fier,lushnje etj,por udheheqesia "demokratike"e pas viteve 90 qe si paresore kishte shkaterrimin sesa ndertimin,e dergoi per skrap sic dergoi me dhjetra uzina,kombinate dhe nen frymen e shkaterrimit te komunizmit shkaterruan gjithe vendin dhe e cuan gjithe shqiperine per skrap,zoti i gjykofte.

                    Përgjigjjuni
                    1. A
                      Arli

                      Shkrimet tuaja i pëlqej z. Minxhozi, por edhe ju gaboni. Shtimi i popullsisë në qytete bregdetare, vjen kryesisht nga mungesa e investimeve në pjesën lindore të Shqipërisë. Rasti i rrugës për në Korçë ka probleme që në projektim, për të cilët duhet të dënohen autorët. Por duhet lidhur me rrugë që nga Kukësi dhe deri në Korçë, si paraprirës për të kryer investime indivuale, që do të rrisë turizmin malor. Shqipëria nuk është vetëm bregdeti, gjë që shton rrëmujën në atë zonë.

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje