Në anën e drejtë të historisë

24 Maj 2022, 16:09Blog Ardi Stefa

 

Në anën e drejtë të historisë

 

Klisheja ka kohë që dëgjohet dhe ka hyrë në fjalorin e etërve tanë të kombit, politikanëve të rangut të dytë, atyre që aspirojnë për t’u bërë politikanë, analistëve, madje edhe njerëzve të thjeshtë.

Me shokët e mi, ish- studentë të Dhjetorit ’90 e Shkurtit ’91 gjithmonë e kemi diskutuar, sidomos pas çdo zhgënjimi dhe vrasjeje të idealeve tona. Dhe kuptuam se anët e Historisë u ngjanin anëve të monedhës, që dikush i dredh sipas interesit.

Nejse, nuk do të nxitohem të jap që në fillim konkluzione.

“Kemi qenë në anën e duhur të historisë!”, “Krenar që jam në anën e duhur të historisë”, “Shqipëria gjendet në anën e duhur të historisë!”, “Partizanët në anën e duhur”, “Ballistët në anën e duhur”..., me dhjetëra shprehje e deklarata për anët e duhura e të drejta të historisë.

Rama, gjithmonë krenar që ishte bir komunisti dhe komunistët (sipas tij) ishin në anën e duhur të historisë.

Udhëheqës të opozitës krenarë që me qëndrimet e tyre “ishin në anën e duhur (të konservatorizmit, tani së fundmi)”, edhe ata.

Të gjithë sipas këndvështrimit të tyre zgjidhnin që kishin qenë në anën e duhur, edhe nëpërmjet faljes që kërkonin për ndonjë qëndrim të gabuar.

Por kjo klishe është ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë bëri që kjo klishe të dëgjohet gjithnjë e më shumë, të përdoret vend e pa vend.

Por megjithëse kjo fratë për anën e drejtë të historisë përdoret rast e pa rast në luftën e sotme, kjo nuk do të thotë se është dëgjuar sot për herë të parë.

Është përdorur shumë vite më parë, madje, në dhjetor 2014 me rastin e përvjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, në një intervistë për gazetën “Shekulli” kam këto fjalë: “Historia jonë si studentë të Dhjetorit ’90 ishte gjithmonë historia e triumfeve, të cilat u pasuan nga katastrofat e mëdha. Por rruga jonë ishte e drejtë. Ishim gjithmonë në anën e duhur të historisë kur u thirrëm të bënin zgjedhjet tona!”

Ndaj them se kjo shprehje nuk është monopol i askujt.

Por që kur shfaqet kjo frazë. Që të jetë ndërkomnëtare, sepse përdoret ndërkombëtarisht, nënkupton se duhet të ekzistojë edhe në gjuhën angleze. Dhe, natyrisht që është  edhe një libër i intelektualit konservator amerikan Ben Shapiro me titull “The Right Side of History”. Libri i Shapiros, që është himn për “vlerat perëndimore” u botua në vitin 2019. Natyrisht që këtë frazë nuk e shpiku Shapiro, thjesht ky i fundit ndihmoi të bëhej edhe më e njohur.

Përpara këtij libri ishte botuar një tjetër libër, ai i Adrian Brooks me titull “The Right Side of History: 100 Years of LGBTQ Activism”.

Kam përshtypjen se ana e duhur e z. Brooks nuk është e njëjta me anën e duhur të z. Shapiro.

Duke vazhduar kërkimet për origjinën e frazës, nëse ekziston ana “e duhur”, ekziston edhe ana “e gabuar”. Dhe vërtet, gjej se në vitin 2011 Barack Obama, në një takim me presidentin e atëhershëm të Meksikës, kishte mbrojtur idenë se Gadafi gjendej në “on the wrong side of history”.

Nuk përjashtohet, pra që “ana e duhur e historisë” të ketë lindur më pas, natyrisht, nëse “ana e gabuar”  ekzistonte më parë si frazë, sepse ishte fraza e dashur jo vetëm e Obamës, por edhe e presidentit Klinton, përpara tij...

Por, a ka “anë” historia? Do më thoni, që përderisa e thotë Rama, e pat thënë edhe Basha, e tha edhe Kokalari, e kanë thënë edhe Obama e Klintoni dhe një sërë liderësh të tjerë, normalisht që do të ketë. Por përsëri unë nuk e kuptoj. Nuk mundem të shoh anë të historisë, ndërkohë që shoh mirë anët e njërës apo tjetrës përballje.

Sipas mendimit tim modest, dhe do të isha shumë i lumtur të më përgënjeshtronit, cilido thotë “gjendem në anën e duhur të historisë” nënkupton “gjendem në anën e asaj përballjeje (apo lufte) që i është e drejtë apo do t’i jepet të drejtë nga historia”!

Kjo frazë ka diçka më tepër kuptim kur, ai që e mbështet këtë, rreshtohet pro një mendimi që nuk është pranuar ende unanimisht, e cila has edhe kundërshtime, sidomos kur përpiqesh të bindësh të tjerët se gjendesh në anën e cila do të vlerësohej nga historia a do t’i jepej e drejta.

Sepse Historia ka shumë interpretime. Ana “e drejtë”, nëse doni “ana që u vlerësua dhe iu dha e drejtë nga historia” nuk është gjithmonë e lehtë të përcaktohet. Mundet që në raste të veçanta, sidomos për Luftën e Dytë Botërore, të biem dakord të gjithë se cila ishte ana e drejtë. Por çfarë të themi për Luftën e Parë Botërore? Cila ishte atëherë ana e duhur? E fitimtarëve? E të humburve? Asnjanësve? Të gjithë atyre që kundërshtuan luftën? Dhe Salvador Aliende në cilën anë ishte? Në të duhurën apo të gabuarën?

Apo do të themi se “ana e duhur ishte ana e fitimtarëve?” Ky do të ishte një interpretim vulgar, sikundër mund të thoshim se Putin ishte në anën e duhur të historisë, nëse ushtria ruse do të pushtonte Kievin që ditën e parë.

Ndaj mendoj se ndonjëherë klisheja i jep prestigj dhe “objektivitet” një këndvështrimi që është subjektiv. Në të njëjtën kohë, intelektualët e krahut të djathtë përdorin shprehjen "ana e duhur e historisë" për t'iu referuar vlerave perëndimore si absolute, të padiskutueshme.

Ndonëse, për shumë prej tyre, ana e drejtë e historisë është thjesht ajo që është më afër lugës.

 

p.s: Nuk mjafton të jesh në anën e duhur të historisë. Kjo shprehje do të përmendet e do të vazhdojë të përdoret vazhdimisht, sepse ekuilibri do të jetë gjithmonë i paqëndrueshëm dhe kursi i pasigurt. Nuk është kriza ekonomike e morale që po na gërryen. As kriza politike, as kriza e identitetit. Nuk është as shpresa e rrënuar e shqiptarëve që duan ndryshimin. Të gjitha këto mund të përballohen. Është diçka më e thellë që na bën pis, diçka shumë e rëndë, të cilën e kemi të pamundur ta heqim prej vetes.

Është ndarja jonë e madhe e brendshme dhe kërkohet një politikë dhe lidership që ta kapërcejë atë. Të kapërcejë faktin që palëvizshmërinë, statusquonë e konsideron përparim, që përditë i vendos pengesa çdo ndryshimi...

 

 

 

 

1 Komente

  1. P
    Progon Pollogu

    SHQIP - PETULLA për VETE, kjo puna e faqes së historisë

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje