Vetvetja sfiduese

22 Maj 2022, 00:35Blog Ardi Stefa

 

Vetvetja sfiduese

Shqipëria do të bëhet një vend normal kur të bëhet një vend i mërzitshëm.

D.m.th kur të fillojmë të flasim në ditën pas zgjedhjeve jo se kur do të bëhen zgjedhjet; kur asnjë politikan nuk do të flasë, apo bërtasë sikur të jetojmë në Shqipërinë e dekadës ’90; kur dy partitë e mëdha do të mund të merren vesh për të gjitha ato çështje, të cilat janë të domosdoshme e të nevojshme që Shqipëria të ecë përpara e të zhvillohet.

Nga ky objektiv jemi shumë larg. Natyrisht. Dhe do të jemi edhe për shumë kohë larg.

Secili prej nesh, që ka minimumin e kulturës qytetare e politike, rrënqethet kur dëgjon gjuhën që përdoret në parlament, debatet politike apo studiot televizive nga “etërit tanë të kombit”.

Madje, sikur edhe paksa histori politike të dish, e kupton se çfarë shtegu i rrezikshëm është ky që ndiqet prej tyre.

Opozita aktuale (po e nis me të) nuk është opozitë konstruktive dhe, pavarësisht gjendjes së saj, nuk ka lidhje me Shqipërinë e vitit 2022.

Një “luftë e paepur” thënë ndryshe “revolucion” do të jetë një karikaturë, një skeç i keq, i cili rivihet në skenë pas shumë dekadash. Do të jetë një karikaturë, e cila nuk do të bëjë më askënd të qeshë, por do të frymëzojë veç militarët dhe mendjengushtët aspak vizionarë politikë. Por edhe këta me një afat të shpejtë skadence.

Dhe do të çojë në një çarje të paimagjinueshme, jo të opozitës, por të shoqërisë dhe demokracisë. Do të na çojë vite të tëra mbrapa, në një zhgënjim total të atyre shqiptarëve që kanë ngelur ende në Shqipëri.

Dhe kjo është gjëja e fundit, për të cilën ne kemi nevojë. Natyrisht, opozita aktuale nuk është opozita për të cilën ka nevojë vendi. Mundet që të fanatizojë tribunat e mitingashëve, shëtitësit pas kryetarëve, por shoqërinë e le krejtësisht dhe ftohtësisht indiferente. Madje largon edhe ata votues, të cilët pa qenë fanatikë politikë do të përzgjidhnin si alternativë opozitën.

E njëjta gjë vlen edhe për pozitën, e cila, cinike qëndron përballë e kundër Shqipërisë e shqiptarëve.

Të gjitha gjasat tregojnë se do të shkojmë me një skenar veçanërisht toksik dhe të polarizuar deri në zgjedhje, kurdo që të bëhen ato.

Nisni me zgjedhjen e presidentit dhe vazhdojmë më pas.

Pozita, dhe, nëpërmjet saj qeveria, duhet të shmangë tërheqjen e “magnetit” që do ta rrëzojë edhe atë. Të jetë institucionalisht e patëmetë, të shmangë të këqijat, të mos hapë fronte aty ku nuk duhen. Nuk është e lehtë, sepse kanë kaluar nëntë vjet e gjysmë qeverisje dhe kjo shpesh çon në mentalitetin e “bunkerit”. E mundur? Shumë e vështirë për t’u thënë. Me mentalitetin mbizotërues në pozitën aktuale kjo ngjan shumë larg.

Barra i ngelet opozitës, e cila duhet të rimbledhë forcat e të gjejë vetveten në shërbim të kombit e jo të interesave të ngushta të momentit.

Por qytetarët janë të lodhur dhe të zemëruar. Nga qeveria dhe nga opozita. Nga papërgjegjshmëria e të dyjave.

E mira është se nga krizat dhe sprovat shqiptarët, kur nuk dorëzohen dhe largohen, shpesh herë e gjejnë edhe të vetëm rrugën e tyre. Shpesh pa, ose më mirë, pa përfshirjen e qeverive dhe politikanëve.

Natyrisht që nuk jemi vend normal dhe do të vonojmë të bëhemi, për shkak të krimit, arrogancës, korrupsionit, Drejtësisë së kapur dhe administratës tejet të korruptuar...

Sepse ne shqiptarët e kemi kollaj. Kur shikojmë veten në pasqyrë dhe pamja nuk na pëlqen, nuk përmirësojmë veten,- thyejmë pasqyrën!

Por çështja është të mos shkojmë gjithnjë e më mbrapa. Është e thjeshtë  dhe e lehtë që Parlamenti dhe rrugët e Tiranës të bëhen rrëmujë dhe të hyjmë në një periudhë paqëndrueshmërie paralitike.

Vetvetja jonë e keqe nga përgjon gjithmonë nga një cep. Rrymat që do të na shtyjnë atje janë të forta dhe të thella. Ne mund t'u dorëzohemi këtyre forcave dhe le të bëhet ç’të bëhet. Sport i njohur ky për ne. I përshtatet psikosintezës sonë mesdhetare. Megjithatë, nuk mund ta durojmë, sepse sfidat dhe kërcënimet, me të cilat përballemi nuk janë aspak qesharake.

Por Historisë i pëlqejnë surprizat, madje, kur historia përsëritet, edhe farsat. Një nga një të gjitha ato që konsideronim si të sigurta e të panegociueshme janë shembur vitet e fundit.

Për ne që jemi jashtë valles, kritika është e lehtë. Por në fund të fundit kjo është puna jonë.

Çështja qëndron se si të zgjidhen nyjet gordiane, si të ndryshojnë dekada mentaliteti, si të ecim përpara.

Mosveprimi nuk është zgjidhja. Shtyrja për… më pas nuk është zgjidhje. Nuk ka fitore magjike dhe të lehta. Duhet kurajo, gjakftohtësi dhe guxim të fitojmë, në radhë të parë mbi vetveten tonë të keqe!...

Dhe të mos thyejmë vetëm pasqyrat!

 

4 Komente

  1. K
    Kom Interni

    Llapaqenëri

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Nuk dua të jem cinik, por ca gjera edhe pse te vogla në dukje, ta tërheqin venmendjen. Qeveria e Rames ka në pushtet qysh nga shtatori i 2013-ës. Deri në shtator 2021 bëjnë 8 vjet, dhe deri më sot bëjnë 8 vjet e gjysem. Atehere si dalin 9 vjet e gjysëm? Epo, keta po na behen të gjithe lulër! Mund të jete edhe lapsus, por kam pershtypjen se rritja e kohes së qeverisjes, po ta analizosh holle-holle, duhet ta kete një qellim. Nuk do ta thoja kete po te ishte vetem per kete rast, qe ajo rritet me tendencen: Kaq shumë dhe...prape kjo na qeveris?! Po sikur të shkoje deri në 2025 dhe të behen 12-të, e le më pastaj, më tej...?! Rama ka gjetur lëmë, dhe siç thote populli, shin. Nuk i heq asnje presje çka thote autori per qeverisjen Rama, ato qe ka bere dhe qe nuk i ka bere, qe i ka bere mire apo që i ka bere keq. Keto të gjitha vihen në peshore nga elektorati kur të votohet. Po si do anojë pesha nga ana e opozites, jo vetem asaj politike, por dhe popullore? Ku ta gjeje popull ziu alternativen? Besoj qe tashme cilido, e di pergjigjen.

      Përgjigjjuni
    2. T
      Tani

      Hartim i bukur.)) Populli i di te gjitha këto. Por nuk po gjenë zgjidhje, sepse ketu kemi analiste profesionistë që për 30 vjet bejnë sikur kanë zbuluar diçka që njerëzit nuk e dinë dhe që kerkojne qe të dale populli në rrugë, por që ti prije nuk po del dikush.. arsye që nuk mund ta dijë. Sidoqoftë mirë që bëhen "analiza" të paktën. Analiste ne Shqipëri ka me bollëk. Ndoshta sepse na pelqejne më shumë fjalët se pjesëmarrja në veprim.

      Përgjigjjuni
      1. p
        ppa

        Shkrimi perputhet me foton e autorit - qe duket interesant , sikur mendon dhe do thote gjera te padegjuara; perseritje deri ne bezdi e gjerave te njohura; e bukura eshte se autori deshiron te barazoje te dy palet; opoziten e vjeteruar cope - cope dhe poziten qe po them se nuk shkelqen po eshte ne punen e saj.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje